Kulturë

“Dodona” e Fakulteti i Arteve – oaza kulturore ku bëhej rezistencë

Descriptive Text

Paga e drejtorit mund të mos ishte më e lartë se tri marka, por vullneti për të bërë diçka nuk mungonte tek asnjëri. Me një vendim të Kuvendit Komunal të Prishtinës në vjeshtën e vitit 1986, ai kishte filluar si teatër i të rinjve, fëmijëve dhe i kukullave. Por si “Dodonë” do të niste hapërimin kur masat represive shtrënguan darën dhe jeta publike shqiptare thuajse pushoi së ekzistuari. Nga një çmim i fituar në Sarajevë, tok me simpatinë e publikut artdashës të atjeshëm e deri tek akti i një profesoreshe serbe që i ishte bashkuar fakultetit “ilegal” që vijonte mësimin në bodrumet e Prishtinës, teatri “Dodona” dhe Fakulteti i Arteve ishin dy nga oazat e vetme ku jeta kulturore e Prishtinës bënte rezistencë në mënyrën e vet

Kur jeta kulturore po frymëzihej prej masave represive të Serbisë pushtuese, jo gjithçka kishte mbaruar.

Megjithëse të pakuptueshëm për të tjerët, kishte tek-tuk artistë që guxonin të besonin që arti kishte fuqi. Nga teatri “Dodona” e Fakulteti i Arteve që funksiononte në bodrume, prodhimi kulturor ia doli të plazmonte vlera të admirueshme.

Në Sarajevë artdashësit i duartrokiten fort, madje edhe profesorë arti nga Beogradi vlerësuan se ajo çfarë po bëhej në jetën paralele shqiptare mund të quhej krijim i njëmendët.

Një ekskursion prapa në kohë është evokuar nga artistë e dramaturgë që qëlluan të ishin protagonistë në dramën e teatrit dhe jashtë tij.

Të gjitha këto kanë zënë vend në diskutimin “Teatri i rezistencës”, i mbajtur mbrëmjen e së martës në Teatrin “Oda”. Në diskutimin e moderuar nga Florent Mehmeti, të pranishmit, secili në mënyrën dhe perspektiven e vet, e kanë plotësuar faktin se si edhe teatri iu bashkua rezistencës që asokohe shqiptarët bënin me luftën në dukje të pamundshme të Davidit kundër Goliatit të së keqes.

Nga “Dodona” ilire deri te “Dodolja” e këngës serbisht

Dhe rrëfimi i të gjithëve është bashkuar me një tribut për kontributin e Rabije Bajramit për themelimin e Teatrit të rinjve, fëmijëve dhe kukullave “Dodona”. Me këtë rast, aktori e regjisori Enver Petrovci e ka rindërtuar në kohë rrugëtimin e këtij teatri.

“Jetoja rehat me familje në Beograd”, ka nisur rrëfimin e vet Petrovci teksa ka shpjeguar se si ishte zgjedhur drejtor në krye të këtij teatri. Në një kohë kur ishin zënë shtatë vetë për këtë post, Bajrami e kishte propozuar aktorin e njohur që me autoritetin e tij të “heshtte” garën mes tyre.

Gjithçkaja, sipas tij, kishte nisur mes vështirësive prej ulëseve të blera në Sarajevë e deri te ndriçimi i sjellë nga Sllovenia. Në një kohë kur dinari ishte zhvlerësuar si asnjëherë më parë, rroga e drejtorit ishte pak diçka mbi 2 marka.

“Në kohën kur u mbyllën teatrot e tjera, e vetmja mbeti ‘Dodona’ si oazë ku punohej. Për mua thuhej se jam ‘shka’ e për këtë arsye, më lejonin të veproja”, ka vijuar më tej Petrovci.

Duke i përmbledhur vitet e vështira të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, ai ka dhënë edhe një tjetër dritare njohjeje për atë se si ishte vendosur që teatri të emërohej “Dodonë”, që ndonjë që merrte erë nga historia e dinte se bëhej fjalë për një emër ilir.

“E zgjodha sepse më pëlqente dhe jo pse ishte ilir”, ka thënë Petrovci. Kur ndonjë serb e kishte pyetur për këtë zgjedhje, ai ishte rropatur ta obfuskonte këtë me përngjasimin që kishte emri në fjalë me “Dodoljen” që këndohej nga fëmijët në Jugosllavi.

“Bërthama të jetës kulturore”

Në minutat në vazhdim të diskutimit, profesori i dramaturgjisë, Fadil Hysaj, ka vlerësuar se “Dodona” dhe Fakulteti i Arteve ishin dy bërthamat e vetme që e mbajtën gjallë shpirtin e Prishtinës në kuptimin kulturor.

“Pa këto dy oaza, pasojat do të ishin katastrofike për vendin”, ka thënë Hysaj, i cili ka shtuar se ata që besuan në art gjatë viteve ’90 kanë merita të jashtëzakonshme.

“Falë tyre shpëtuam nga më e keqja”, ka thënë ai.

Në vazhdim, Hysaj ka bashkëndarë për publikun një udhëtim në vitin 1998 drejt Sarajevës në rrugën që kishte përshkuar edhe të ashtuquajturën “Republika serbe”.

Shfaqja e bërë nën regjinë e tij “Duke pritur Godonë” të Samuel Beketit, si prodhim i “Dodonës”, kishte marrë çmimin special të jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “Mess” që mbahej në kryeqytetin boshnjak.

“Kur isha asokohe në Sarajevë e kuptova që asaj nuk ia kishin vrarë dot shpirtin, por njësoj as Prishtinës nuk arritën t’ia vrisnin shpirtin”, ka thënë ai.

“Ata që guxuan të besojnë në art”

Ndërsa Fakulteti i Arteve, i cili kishte vetëm degën e aktrimit, ishte detyruar të vijonte nëpër bodrume, duke ndjekur modelin e jetës paralele të kohës, kishte qëlluar që edhe një profesoreshë serbe që ligjëronte për teknikën e zërit t’i bashkohej fakultetit “ilegal”.

“Profesoresha Juliana e braktisi fakultetin ‘zyrtar’ dhe erdhi me ne. Ishte një zonë shpirtërisht e lirë prej së cilës rrezatoi diçka e bukur dhe shpresa që nuk mund të shkatërrohej gjithçka”, ka vijuar Hysaj, duke kujtuar profesoreshën Juliana Anastasijeviq e cila vdiq vitin e kaluar.

Ndërsa janë evokuar episode njëra pas tjetrës, rrëfimi i tij e ka evokuar edhe aktoren e ndjerë Adriana Abdullahu. Me këtë rast, me një minutë heshtje të pranishmit kanë nderuar aktoren e cila më 22 mars 1999 ishte qëlluar për vdekje nga forcat serbe.

Për Hysajn, “Dodona” e Fakulteti i Arteve, në një kohë shkatërrimi e rënieje, arritën të krijojnë një ngritje të fizionomisë së teatrit dramatik.

“Ishin dy oaza të lira artistësh që guxuan të besojnë në fuqinë e artit. Kjo e shpëtoi vendin për të mos vdekur shpirtërisht”, ka shtuar mes të tjerash Hysaj.

“Gati si një komunë hipikësh”

Rrëfime nga këto vite ka bashkëndarë edhe aktorja, Rebeka Qena. Asokohe, ajo kishte qenë studente në Fakultetin e Arteve.

“Për ne ishte krijuar një lloj ‘komoditeti’ dhe harronim se sa shumë po sakrifikonin njerëzit që ne të vazhdonim në ato rrethana”, ka thënë Qena e cila ka skicuar edhe momentet kur kishte marrë vendimin që t’i hynte rrugës së aktrimit.

Duke qenë pjesë e klasës së profesor Faruk Begollit, ajo është kthyer në kohë për të evokuar lokalin “Kairos”, ku mblidheshin studentë e profesorë, por edhe bodrumin e Mentor Safqiut ku zhvillohej mësimi.
“Ishin kushte të tilla sa ne shpesh shtrëngoheshim edhe të ngjyrosnim vetë posterët e shfaqjeve. Dukej sikur të ishim një lloj komune e hipikëve”, ka thënë Qena.