Kulturë

Don Kishoti në Prishtinë si aktivist për të drejtat e njeriut

Tragjedia e komedia përplasen fort në rrëfimin për Don Kishotin e shekullit XXI, i cili në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës vjen si person romantik, por përfundon në rolin e aktivistit që lufton për të vënë drejtësi.

Emocionet ekstreme - të qeshurit në situatat komike, ku ndërthuren realiteti kosovar, e përlotja, kur përmenden dëshmitë e tragjedisë që po i jeton njerëzimi sot – përjetohen nga shikuesi i shfaqjes qëkur aspekti i realizimit të lojës së aktorëve merr përmasat e një spektakli teatral, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Aventurat e reja të Don Kishotit”, është një rrugëtim aventuror nëpër kohë. Rrëfimi i aristokratit të quajtur Alonso Quixano që lexon aq shumë romanca kalorsiake, saqë e humb ndjenjën e realitetit dhe ndan mendjen për ta ringjallur kalorësinë, të zhbëjë të këqijat dhe të sjellë drejtësinë në botë, nën emrin Don Kishoti i Mançes, përplaset me rrëfimet e tre Don Kishotëve kosovarë.

Shkëlzen Veselit, Armend Ismajlit e Blin Sylejmanit u është kërkuar t’i identifikojnë e t’i shpërfaqin në skenë telashet me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare. Dhe nuk janë kursyer. Don Kishotët e shfaqjes, nën regji të regjisorit boshnjak, Dino Mustafiq, me tekst të bazuar në dramën “Aventurat...” të shkrimtarit të njohur britanezo-pakistanez, Tariq Ali, në tre monologë e përmbledhin gjithë historinë e dhimbshme të kohës së pasluftës në Kosovë.

Aktorët e kastës - që përbëhet edhe nga Ard Islami, Ylber Bardhi, Gresa Pallaska, Dukagjin Podrimja, Semira Latifi, Kumrije Hoxha, Shengyl Ismajli, Fatlume Bunjaku, Molikë Maxhuni e Sheqerie Buqaj - një nga një dalin në skenë për të rrëfyer se kush është Don Kishoti i tyre.

Përmendin Adem Demaçin, Nënë Terezën, Bob Marleyn, Malala Yousafzain, Igballe Rugovën e shumë emra të tjerë që kanë lënë gjurmë në histori, në ndonjërën prej shumë kauzave globale, për të cilat jep mesazh shfaqja... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.