Kulturë

Besart Gashi synon rekordin e dytë “Guinness”

Gjysmë viti pasi u bë pjesë e librit të rekordeve “Guinness”, artisti Besart Gashi i është përveshur një vepre tjetër me misionin e njëjtë. Pavarësisht se këto ditë është ftohtë, ai tash e dhjetë ditë nuk po i ndahet punës në njërën prej sallave në objektin e Zyrës së gjendjes Civile në Komoran të Drenasit.

Në përvjetorin e rënies së gjeneralit Xheladin Gashi, ai ka nisur ta krijojë portretin e tij në punimin që i ka dhënë formën e librit. Këtij punimi ka vendosur t’i japë formë me vulën “Liria ka emër”. E figura e Xheladin Gashit i njohur me nofkën “Plaku” thotë se e ka inspiruar për dy arsye.

“Këtë dizajn e kam përzgjedhur, sepse Plaku ka qenë një ndër mësuesit e parë në Komoran. Faqen e parë ia kam kushtuar kontributit të tij të dhënë për dije, kurse në faqen tjetër e kam vendosur emblemën e UÇK-së, sepse prej mësuesit ka kaluar në ilegale dhe në formimin e UÇK-së, kurse libri është histori e kombit shqiptar. Historinë e Plakut kam dashur ta realizoj përmes kësaj vepre të artit”, ka treguar Gashi.

Besart Gashi shprehet optimist se do të arrijë për të dytën herë rekordin botëror për faktin se nuk ka ndonjë punim tjetër të këtij lloji.

“Me këtë dizajn, me figurën e komandant Plakut do të aplikojë për ‘Guinness’, por që ata mund të më ndryshojnë çdo gjë dhe mund t’i përcaktojnë masat se sa mund të thyhet rekordi. Një e di sigurt se nuk ka rekord aktual me ‘Vulë’ dhe nuk ka ndonjë vepër të tillë artistike”, ka shpjeguar artisti Gashi.

Këtë vepër, ai do t’ia dhurojë shkollës me emrin “Xheladin Gashi” në mënyrë që të përcjellë një mesazh te nxënësit e kësaj shkolle. Pas kësaj, caku është rekordi “Guinness”.

“Dimensionet e kësaj vepre janë 2.40 cm me 1.80, kjo vepër do t’i dhurohet shkollës që mban emrin “Xheladin Gashi” në Komoran. Do t’ua dhuroj në mënyrë simbolike për 75-vjetorin e lindjes së Plakut. Besoj që do t’i motivojë brezat e rinj që ta shohin se me sa mund ka ardhur liria”, është shprehur ai.

Besart Gashi në shtator të vitit të kaluar ka arritur rekordin botëror “Guinness”, me 3 milionë kapëse teli në sipërfaqe prej 26 metrash katrorë. Në këtë punim, ai kishte potretizuar heroin kombëtar, Agim Ramadani.