Kulturë

Një minibibliotekë në Prishtinë vidhet për hekur, të tjerat do të largohen

Demolimi i minibibliotekës në lagjen e “Qafës” me qëllimin e shitjes për hekur është sulmi i fundit që u është bërë minibibliotekave. Kjo gjendje ka shtyrë organizatën “ETEA”, që të marrë vendimin që t’i largojë 9 prej 12 minibibliotekave që u inauguruan në fund të 2019-s e që gati asnjëherë nuk u bënë funksionale. Bartësit e këtij projekti po synojnë që tri prej tyre në sheshet kryesore të kryeqytetit të provojnë edhe një herë t’i funksionalizojnë

Minibiblioteka në lagjen “Qafa” është vjedhur e copëtuar për skrap. Në një video që bartësve të projektit u është adresuar, një person shihet tek e copëton atë dhe pjesët e saj i ngarkon në karrocë dore. Është një nga 12 minibibliotekat e inauguruara në fund të vitit 2019 në lagje të ndryshme në kryeqytet e që shpejt, të gjitha u bënë jofunksionale.

rasti i fundit i demolimit të saj e ka shtyrë organizatën “ETEA” që të marrë vendim të prerë: do t’i largojë 9 prej tyre. Minibiblioteka tashmë e shkatërruar ishte vendosur përballë në rrugën “UÇK”, por për shkak të punimeve në atë lokacion më vonë ishte zhvendosur prapa “Kafeve të vogla” respektivisht në rrugicën “Demokracia” afër rrugës kryesore “Fehmi Agani”, aty ku janë pamjet e videos që “ETEA”-s ia ka dërguar një palë e tretë. Personi nuk mund të identifikohet nëpërmjet xhirimeve.

Drejtori i organizatës “ETEA”, Agon Ahmeti, ka thënë një rast si ky u ka shërbyer si indikacion i qartë që të marrin vendimin që minibibliotekat e dëmtuara ose të zbrazëta të largohen nga qyteti në mënyrë që të mos mbesin të tilla siç kanë mbetur.

“’ETEA’ do të bëjë rinovimin e 9 minibibliotekave që do të largohen dhe do të hapë thirrjen për shkollat e Prishtinës që të bëhen me minibiblioteka në oborret përkatëse me marrëveshje të kushtëzuar me mirëmbajtjen e tyre dhe zhvillimin e aktiviteteve letrare”, ka thënë ai. Vetëm tri minibibliotekat në sheshet kryesore të Prishtinës do të mbesin aty, e për to do të përkujdeset organizata.

“Edhe këto kanë mbetur plotësisht pa libra, mirëpo nuk po kemi dëshirë që me u tërheq komplet prej projektit, po dëshirojmë që të insistojmë pasi që e gjithë situata ka qenë pak zhgënjyese. Me Komunën e Prishtinës kemi biseduar dhe kanë thënë se do t’i shikojnë kamerat që janë të vendosura nëpër sheshe, që për të njëjtat të shihet mundësia që të kenë edhe pamjen e minibibliotekave”, ka thënë Ahmeti.

Duke u rikthyer te demolomi i minibibliotekës me qëllimin e shitjes për hekur, ka thënë se rasti nuk është paraqitur në polici.

“Ishte një rast pak i ndejshëm, por sidoqoftë ilustrues për gjendjen e tërësishme të tyre. Vetëm në fillim i kemi denoncuar, por pasi që nuk patëm asnjë lloj rezultati, e pa dashur për të paragjykuar pasi që edhe për policin mund të jetë e vështirë identifikimi e në anën tjetër edhe projekti është më shumë në mirëbesim të qytetarit, por rezultati ishte zero. Ishte vetëm humbje kohe nëpër intervista për deklarata e asgjë konkrete dhe nuk kishim motiv për t’i denoncuar dëmtimet e tjera”, ka thënë ai.

Gjithçka në lidhje me minibibliotekat kishte nisur në nëntor të vitit 2019. Brenda dy muajve u bë finalizimi i tyre. U lyen me ngjyra që gërshetoheshin me ambientin përreth dhe në secilën prej tyre u vendosën rreth 100 libra. Tituj si “Evgjeni Grande” i Balzacut, “Vilhelm Teli” i Schillerit e “Rikardi i Dytë” i Shakespeareit ishin veçse disa nga librat që zinin vend në raftet e minibibliotekave. Kishte tituj për të rritur dhe fëmijë. Qëllimi ishte që njerëzit që kalonin andej të merrnin librat dhe t’i lexonin, ose të përvetësonin të njëjtën në shkëmbim që të linin një libër tjetër në minibibliotekë. Kjo qe sqaruar në një copëz letër që i ishte ngjitur secilës minibibliotekë.

Në përurimin e minibibliotekës së parë, më 5 nëntor të vitit 2019, Ahmeti nga “ETEA” kishte thënë se ato do të arrijnë që të bëhen pjesë e përditshmërisë së kryeqytetit.

“Libri do të jetë në dispozicion të kujtdo që dëshiron të lexojë. Derisa libri ekspozohet çdo ditë, banorët do ta kenë në mendje librin sa herë kalojnë para tyre”, kishte thënë ai.

Por, gjithçka u përmbys. Thyerja e xhamave, hedhja me vezë, hedhja e mbeturinave brenda tyre, vjedhja e librave e së fundi demolomi i tyre për hekur janë disa nga incidentet që kanë pësuar minibibliotekat.

Minibiblioteka në “Dardani”, pa kaluar 24 orë nga inaugurimi, u gjuajt me vezë. Pas saj, më 15 nëntor ishte hapur minibiblioteka në lagjen “Ulpiana”, ndërsa më 21 nëntor, në të njëjtën ditë me atë në “Breg të Diellit” dhe Lagje të Spitalit ishte hapur edhe një në “Velani”. Të parës fillimisht i ishin thyer xhamat dhe si rrjedhojë e dëmtimeve ishte vendosur në një pikë të re, përkatësisht në parkun e ri afër sallës së sporteve "1 Tetori". Të dytës i ishin vjedhur librat. Më 12 dhjetor ishte inauguruar minibiblioteka në sheshin “Adem Jashari” dhe ajo në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Dëmtime kishte pësuar edhe kjo e fundit, prandaj ishte zhvendosur te parku “Heroinat”. Më 24 dhjetor të atij viti ishin vendosur minibibliotekat te “Qafa” dhe në “Arbëri”, një ditë më pas ato në “Parkun e Qytetit” e në "Taukbahçe", për ta përmbyllur këtë projekt me minibibliotekën në sheshin "Ibrahim Rugova".

Në tetor të vitit të kaluar, “ETEA” me qëllim të rifunksionalizimit të tyre iu dha tri minibibliotekave në sheshe imazh të ri me shpresë që kjo do të shpëtonte projektin e tyre – veçanërisht pas njoftimit nga Komuna e Prishtinës se do t’i largojë për shkak se po i japin pamje të shëmtuar qytetit. Kërkuan ndihmë edhe nga festivali i muraleve, “Mural Fest”. Por, portretizimi i figurave të njohura në minibiblioteka ishte një test që nuk pati sukses pasi që shumë shpejt këto tri minibiblioteka u zbrazën dhe mbetën pa asnjë libër.

Sidoqoftë, pikërisht këto tri minibiblioteka mendohet që të rimbushen me libra me shpresë që do t’u mbijetojnë dëmtimeve të mundshme.

Minibiblioteka në sheshin “Adem Jashari” mban portretin dhe emrin e shkrimtarit Ali Podrimja, ndërsa Simone de Beauvoir dhe Jean Paul Sartre janë portretizuar në minibibliotekën e vendosur në parkun “Heroinat”. E minibiblioteka në sheshin “Ibrahim Rugova” ka portretin dhe emrin e shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari.

E vetmja minibibliotekë, që në ditët e sotme qëndron më mirë është në “SOS Fshatrat” në parkun e “Velanisë” dhe kjo vjen si rrjedhojë e kujdesit të “SOS Fshatit” në raport me minibibliotekën aty. E për të njëjtën “ETEA” do të bisedojë me “SOS Fshatin” nëse dëshirojnë që ende të kujdesen për të. Nëse përgjigja e tyre është pozitive atëherë ka mundësi që kryeqyteti të mbetet me katër, në vend të tri minibibliotekave siç është marrë vendim nga organizata.

Pas vendosjes së 12 minibibliotekave në Prishtinë, organizata “ETEA” e kishte shpalosur planin për zgjerimin e projektit edhe në qytete të tjera të Kosovës, duke i shndërruar ato në hapësira pushimi ku edhe mund të lexohet. Megjithatë, nuk ka shpresa për projektin arkitekturor të Kosovare Sadikut.

“Është një projekt shumë i mirë dhe ka qenë një ide që na ka entuziazmuar që të vazhdojmë tutje me këtë projekt, por duke parë gjendjen se me çfarë jemi përballur me këto 12 minibiblioteka që u vendosën, projekti është pezulluar”, ka thënë Ahmeti.

Në fund të muajit të kaluar, u demolua me qëllim që të shitet për skrap. Në një video amatore që i është dërguar organizatës “ETEA”, shihet një person tek e copëton atë