Kulturë

Bibliotekës së Pejës i mungojnë rreth dy mijë libra të pakthyer nga lexuesit

Jo rrallë bibliotekat e vendit ankohen për mungesë lexuesish. Por, biblioteka e qytetit të Pejës, “Azem Shkreli” është në hall me një tjetër kategori: ata që s’ia kthejnë librin. Janë rreth dy mijë libra që i janë huazuar. Në mesin e tyre, ka të tillë që librin e mbajnë tash e një dekadë. “Jemi duke e rishikuar edhe një herë gjendjen e kartonëve të lexuesve dhe adresat e tyre të sakta që t’ua dërgojmë me postë kërkesën me vërejtje për ta kthyer librin. Përndryshe, nëse nuk i përgjigjen kërkesës së Bibliotekës dhe nuk e kthejnë librin, ata lexues do të përfundojnë në gjykatë dhe dënimi për moskthim të librit është 500 deri në një mijë euro”, ka paralajmëruar drejtoresha e kësaj biblioteke, Shengyl Kelmendi-Gashi

Mbi tavolinën e drejtoreshës së bibliotekës së qytetit “Azem Shkreli” në Pejë, çdo ditë po shtohet grumbulli i kartonëve me emrat e lexuesve të librit të regjistruar në këtë bibliotekë, të cilët nuk i kanë kthyer librat që kanë huazuar. Punëtorët e kësaj biblioteke aktualisht janë duke e verifikuar secilin karton të lexuesve dhe deri tash është konstatuar numër i madh i librave të pakthyer jo vetëm me javë e muaj, por edhe me vite.

“Sfida më e madhe e Bibliotekës është mungesa e kulturës së lexuesve për kthimin e librit. Dhe kjo është shqetësuese, sepse bëhet fjalë për një numër të madh librash që nuk janë kthyer nga lexuesit që i kanë marrë librat. Nga verifikimet që i kemi kryer, deri më tash kanë dalë se janë rreth dy mijë libra që ende janë në duart e lexuesve të cilët nuk i kanë kthyer”, ka thënë drejtoresha e bibliotekës “Azem Shkreli”, Shengyl Kelmendi-Gashi. Po ky nuk është i vetmi shqetësim.

Image
Punëtorët e kësaj biblioteke aktualisht janë duke e verifikuar secilin karton të lexuesve dhe deri tash është konstatuar numër i madh i librave të pakthyer jo vetëm me javë e muaj, por edhe me vite

“Ka lexues që nuk i kanë kthyer librat që nga viti 2010. Pra, të gjithë këto libra nuk janë kthyer që nga viti 2010 e deri në fund të vitit 2020”, ka thënë ajo. Kelmendi-Gashi ka thënë se edhe vitet e kaluara, deri para fillimit të pandemisë i kanë identifikuar lexuesit që nuk i kanë kthyer librat dhe i kanë kontaktuar ata, prej të cilëve disa i kanë kthyer librat e të tjerët ende jo. Zakonisht lexuesve u tërhiqet vërejtja për ta kthyer librin, por siç ka thënë drejtoresha, ata prapë nuk e bëjnë një gjë të tillë. Kjo mungesë e titujve të librave Bibliotekës i shfaq edhe të tjera probleme, por edhe lexuesve.

“Librat e pakthyer janë të të gjitha llojeve. Në mesin e atyre që nuk i kanë kthyer librat janë të rritur, fëmijë, e ka madje edhe ligjërues në fakultete. Pra, janë nga të gjitha grupet e nivelet. Kjo është shqetësuese, sepse po e shohim se kultura e kthimit të librit nuk është në nivelin që duhet të jetë. Libri duhet të kthehet, sepse janë aset i Bibliotekës”, ka thënë Kelmendi-Gashi. Me Ligjin e bibliotekës, siç ka thënë ajo, librat që nuk kthehen nga lexuesi brenda afatit kohor prej 15 ditësh prej ditës kur është huazuar, është vepër penale, “e lëre më që ka me vite që nuk i kanë kthyer”.

Pavarësisht se qindra lexues e kanë shkelur këtë ligj, Biblioteka nuk ka hapur ndonjë procedurë penale ndaj lexuesve të pandërgjegjshëm. Ky institucion bibliotekar s’e ka bërë këtë duke ndier keqardhje për shkak se lexuesve do t’u shqiptoheshin gjoba për moskthimin e librit si aset i një institucioni shtetëror. “Po na vjen keq, por njerëzit po e keqpërdorin Bibliotekën. Ne jemi që të lexohet sa më shumë libri, por libri duhet të kthehet që edhe të tjerët të mund ta lexojnë. Por te ne është stërmbushur me kartonë të lexuesve që nuk e kanë kthyer librin. Jemi duke i rishikuar edhe një herë gjendjen e kartonëve të lexuesve dhe adresat e tyre të sakta që t’ua dërgojmë me postë kërkesën me vërejtje për ta kthyer librin”, ka thënë ajo. Nëse nuk kthehen librat, do të ndërmerren të tjerë hapa.

“Nuk do të na vjen më keq dhe ata lexues do të përfundojnë në gjykatë dhe dënimi për moskthim të librit është 500 deri në një mijë euro. Sepse faktikisht libri i Bibliotekës është aset i shtetit”, ka paralajmëruar drejtoresha e Bibliotekës përballjen me gjykatë të atyre lexuesve që nuk po i kthejnë librat. Për moskthimin e librave të bibliotekës, madje me vite, lexuesi i rregullt Mehmet Trakaniqi është i befasuar, sidomos me numrin aq të madh të librave të pakthyer. Trakaniqi, i cili vetë posedon në shtëpi një bibliotekë të pasur me rreth dy mijë libra të ndryshëm, e sheh këtë mungesë e kulturës dhe përgjegjësisë së lexuesve sikurse edhe mungesë e respektit ndaj librit prej atyre që i marrin e nuk i kthejnë më.

“Nuk po mund ta marr me mend si mund të mos i kthejnë librat. Vërtet nuk po mund ta kuptoj lexuesin pse nuk e kthen librin, sepse libri nuk është i tyre. Aq libra sa nuk i janë kthyer Bibliotekës nga lexuesit, pothuajse aq i kam në bibliotekën time. E është numër shumë i madh. E pakuptueshme kjo mungesë e kulturës dhe vetëdijes së ultë e atyre lexuesve që nuk i kthejnë librat”, ka thënë Trakaniqi. Ka thënë se këta lexues mund ta konsiderojnë librin si mall dhe nuk e kthejnë. “Libri nuk është mall, por është vlerë, është vlerë nacionale”, ka thënë Trakaniqi.

Moskthimi i librit po shkakton mungesën e atij titulli në sirtarët e Bibliotekës dhe nga përvoja e tij, Trakaniqi ka thënë se shpeshherë mungesa e një libri në bibliotekë ndikon që ai vetë apo lexuesi që e ka kërkuar atë libër, të mbetet pa informatën e kërkuar.

“Bibliotekën nuk e frekuentojnë vetëm lexuesit pasionant sikur unë që jam, por aty frekuentojnë edhe lexues të tjerë që kanë nevojë edhe për literaturë të ndryshme dhe biblioteka e qytetit është e pajisur vërtet mirë me tituj. Dhe zakonisht gjithnjë pajiset me botimet e fundit të shtëpive botuese. Por, numri prej dy mijë librave të pakthyer është vërtet shumë i madh. Kështu që lexuesit duhet të tregohen të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm dhe t’i kthejnë librat pasi t’i lexojnë, sepse nuk janë të tyre. Duhet të kthehen që edhe të tjerët t’i lexojnë”, ka thënë Trakaniqi. Ka një “formulë” që Biblioteka thotë se do të mund ta aplikonte në raste të tilla. “Po të pyetesha unë, do të kisha mbajtur kapar nga lexuesi një shumë të caktuar të hollash dhe pastaj nuk besoj që lexuesi nuk e kthen më librin. Mendoj që qytetarët, me i prek në kuletë, i vetëdijeson”, ka thënë ai.

Biblioteka e qytetit “Azem Shkreli” në Pejë, në sirtarët e saj aktualisht ka rreth 43 mijë ekzemplarë librash me tituj të ndryshëm dhe rreth 2 mijë e 500 lexues të regjistruar. E këtyre lexuesve Biblioteka ua ka mundësuar që nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, të kontaktojnë Bibliotekën nëse nuk e kanë lexuar librin dhe kërkojnë ta vazhdojnë edhe për ndonjë ditë mbajtjen e librit, e të mos kenë nevojë të vijnë në Bibliotekë për të njëjtin qëllim. Zakonisht, Biblioteka në këso rastesh ua vazhdon edhe për dhjetë ditë mbajtjen e librit.