Kulturë

Zyrtarizohet kandidimi i “Kcimit të Tropojës” dhe xhubletës për UNESCO

Si paravalle unike që shpreh shpirtin tropojan, dinamika e saj nuk zbehet asnjëherë. Megjithëkëtë, për syrin e stërvitur të koreografit ajo nuk është bash valle, sepse është pa radhë. “Kcimi” tropojan është njëra nga katër “dukuritë” që shteti shqiptar i ka listuar si vlera në rrezik e që duhet të bëhen pjesë e panteonit të thesarit botëror të UNESCO-s. Bashkë me “Kcimin e Tropojës”, formulari është nënshkruar edhe për dijebërjen e xhubletës

Është një kërcim që përçon simbolikë në çdo lëvizje: nën tamtamet e tupanit, çifte gocash shamikuqe e djemsh plisbardhë formojnë qerthuj që pasohen nga qerthuj të tjerë.
Është një kërcim i koreografuar asisoj ku çdo lëvizje shpreh shpirtin tropojan të Malësisë së Gjakovës.

Me këtë kërcim unik – që sipas njohësve cilësohet si paravalle – Shqipëria synon të kandidojë në UNESCO me një tjetër vlerë shqiptare për thesarin e kulturës shpirtërore të botës.

Një hap në këtë drejtim është hedhur të martën me rastin e nënshkrimit të formularit të kandidimit të dukurisë së “Kcimit të Tropojës” për listën përfaqësuese të dukurive të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të njerëzimit (Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity) për në listën e dukurive në rrezik.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nëpërmjet një shkrimi në faqen e saj zyrtare në “Facebook”.
“Një moment i rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin brez pas brezi, por edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore përtej kufijve lokalë”, ka shkruar Margariti teksa ka falënderuar komunitetet lokale që propozuan dhe këmbëngulën për ta çuar përpara këtë nismë.

Bashkë me “Kcimin e Tropojës”, formulari është nënshkruar edhe për dijebërjen e xhubletës.

Në fakt, “Kcimi i bjeshkës me tupan të Tropojës” kishte nisur rrugëtimin për në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) verën e kaluar. Ai ishte një nga katër “dukuritë” për të cilat Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore i dha dritën e gjelbër për t’u bërë pjesë e pasurisë shpirtërore nën mbrojtje nga shteti.

Të tjerat vlera ishin edhe “Rituali i lashtë i shtegtimit të bagëtive”, “Xhubleta si teknologji dhe dijebërje artizanale unikale dhe format e përdorimit të saj”, si dhe “Eposi i Kreshnikëve i kënduar dhe shoqëruar me lahutë”.

Sipas mjeshtrit dhe koreografit nga Malësia e Gjakovës, Skënder Haklaj, “Kcimi i bjeshkës me tupan të Tropojës” është një traditë e ndryshme nga vallja.

Siç e ka shpjeguar edhe në librin e tij “Tropoja e mrekullive shpirtërore”, “kcimet me tupan” janë të ndryshme nga vallet për një mori arsyesh.

“Kcimet janë paravalle, janë ndryshe në konceptin e perceptimit, kolektivizimit dhe unifikimit të lëvizjeve. Kcimet janë individuale, statike, improvizuese”, ka shkruar Haklaj.

Në një prononcim të bërë asokohe për KOHËN, ai e kishte vlerësuar vendimin e institucioneve kulturore të shtetit shqiptar.

“Ruajtja e këtyre vlerave dhe përcjellja si trashëgimi në breza është edhe në dorën tonë, në kujdesin dhe punën tonë efikase, sidomos te mënyra, metodika dhe forma tërheqëse e të rinjve, në mënyrë që ata ta duan dhe ta përqafojnë këtë lloj arti popullor”, kishte thënë Haklaj.

I lindur në Rosujë të Bujanit, në Malësinë e Gjakovës, ai është kthyer prej disa vitesh nga mërgimi duke i kushtuar energjinë dhe pasionin gjallërimit të folklorit shqiptar.

Në maj të vitit të kaluar është mbajtur Festivali i Parë Mbarëkombëtar i “Kcimit të Tropojës”, ku morën pjesë ansamble nga Tropoja, Librazhdi, Plava, Gucia, Hasi, Peshkopia e Burreli.

Megjithatë, në fund të muajit të kaluar, Unioni Artistik “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” ka kritikuar ashpër përpjekjet e grupit të punës për mbledhjen e informacioneve dhe përgatitjen e dosjes për “Kcimin” e Tropojës.

Në një reagim të kësaj shoqate ishte thënë se kjo vlerë po tjetërsohej që në emërtim, duke e quajtur atë si “Kcim i Bjeshkës me Tupan i Tropojës” që, sipas saj, po e vriste përfundimisht autenticitetin e atij që në Malësinë e Gjakovës është i njohur si “Kcim vendi”.

“Malësia e Gjakovës (Tropoja) nuk ka pasur kurrë kcim bjeshke me tupan, dhe emërtimi është shumë i rëndësishëm, pasi nuk bëhet fjalë nëse një njeri quhet Hajdar apo Baftjar, por bëhet fjalë për një vlerë të rëndësishme kulturore që ndikon ndjeshëm në identitetin kombëtar”, ishte thënë ndër të tjerash në reagim.