Kulturë

Tentimin që Hamami i Madh i Prishtinës të bëhej “Muze i Hamamit të Pushtuesit”, Komuna e cilëson keqkuptim e gabim teknik

Gabim në prezantimin e videos e keqkuptim, e ka quajtur Komuna e Prishtinës tentativën që me projektin restaurues të Hamamit të Madh të Prishtinës – hartuar e projektuar nga agjencia turke TIKA – monumenti të bëhej “FATIH HAMAMI MÜZESİ” (Muzeu i Hamamit të Pushtuesit). Qeveria lokale ka dalë me sqarim të premten pasdite, dy ditë pasi KOHA raportoi për projektin që e tjetërsonte monumentin edhe në emër, e që nxiti reagimin e menjëhershëm të historianëve e të opinionit publik.

“Krejt ky keqkuptim i opinionit publik ka ndodhur shkaku që ne, me gabimin tonë, kemi përdorur një video të vjetër prezantimi të restaurimit të projektit”, ka shkruar Adrian Berisha, drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës. Tjetër qasje kishte pasur të mërkurën kur midis TIKA-s dhe Komunës qe nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit, me të cilin qenë dakorduar për projektin njëmilionësh. Vetë Berisha e kishte shpërndarë foton e videon ku në ballë të monumentit shihej edhe mbishkrimi “FATIH HAMAMI MÜZESİ”. Me pohim i ishte përgjigjur edhe pyetjes në rrjete sociale nëse mbishkrimi do të ishte edhe në shqip e që i bie “Muzeu i Hamamit të Pushtuesit”.

Tash tërthorazi e ka konfirmuar edhe atë se TIKA ka synuar që Hamamit t’ia ndërrojë emrin.

“TIKA ka bërë kërkesë për restaurim të objektit dhe në ketë kërkesë kanë paraqitur edhe idenë e ndryshimit të emrit të Hamamit të Madh të Prishtinës. Kërkesa për restaurim është aprovuar, por kërkesa për ndryshim të emrit është refuzuar nga Instituti Kosovar për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) duke u thirrur në faktin se nuk mund t’i ndryshohet emri një objekti kaq të rëndësishëm”, ka shkruar ai, teksa është zotuar: “Pra, Hamamit do t’i mbetet emri ashtu siç e ka: Hamami i Madh i Prishtinës”.

Krejt në hyrje të sqarimit të tij, Berisha ka përshkruar gjendjen e Hamamit. Ka kërkuar përgjegjësi.

“Në këtë gjendje Hamami ka ardhë si pasojë e intervenimit në periudhën e vitit 2009-2012. U mbetet institucioneve përkatëse për me e zbulu se kush e ka fajin për këtë gjë”, ka shkruar ai.

Por ka qenë vetë qeveria lokale e cila qysh më 2007 ia dha teposhtën këtij projekti. Një prej fajtorëve të shkatërrimit në emër të restaurimit për të cilin u shpenzuan 800 mijë euro është edhe vetë Komuna, e cila asokohe krye më vete e nisi projektin. Qeveria aktuale me kryetar Shpend Ahmetin, deri më tash nuk bëri asnjë hap për këtë monument.

Në Hamamin e Madh të Prishtinës të ndërtuar në shekujt XIV dhe XV, gjatë viteve 2007-2009 ishte punuar hartimi i planit të konservimit dhe restaurimit – fazë kjo e financuar nga CHwB/Sida, duke angazhuar një ekip ekspertësh nga Turqia. Projekti i hartuar me ndihmën e ekspertëve turq konsiderohej se jo vetëm që nuk përkonte me vlerat autentike të monumentit, por edhe ishte një përkthim i keq prej turqishtes.

Kompania “Arda Rei” kishte nisur punët restauruese. Madje, përfaqësuesit e saj gjatë përgatitjes së monumentit për restaurimin në muret e brendshme kishin zbuluar një pikturë murale me përzierje të dy ngjyrave themelore – kaltër e verdhë.

“Pas përzgjedhjes së kompanisë fituese për zbatimin e këtij projekti është parë që kjo kompani nuk ka asnjë përvojë në punë konservuese/restauruese”, thuhej në një raport të datës 12 dhjetor të 2013-s të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Komisioni i monitorimit përbëhej prej institucioneve qendrore dhe atyre komunale të kulturës, si dhe nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës.

Hamamit të Prishtinës autenticitetin ia humbi krejtësisht me ndërhyrjet e vrazhda kompania “Daja Rrah”, kur i betonoi muret e jashtme.

Në shtatorin e vitit 2012, Isa Mustafa, si kryetar i Komunës së Prishtinës, do ta vizitonte Hamamin e Madh të Prishtinës dhe do të thoshte se pas përfundimit të punimeve objekti do të shndërrohej në muze neolitik.

Me urdhër të ish-ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, punimet në Hamam janë ndërprerë tri herë. Për herë të fundit në mars të vitit 2013, për të mos rinisur më.

Agjencia qeveritare turke për zhvillim dhe rindërtim – TIKA ka kohë që tjetërson monumente duke fshirë çdo shenjë shqiptare në to. Një prej rasteve është ai me hapësirën përreth Xhamisë së Jashar Pashës në Prishtinë.

Në muajin qershor të vitit 2015, TIKA – që kishte nisur restaurimin e Xhamisë në gusht të vitit 2014 – gjatë punës kishte hasur në kalldrëm të stilit shqiptar, që pas pushtimit të Perandorisë Osmane njihej si “arnaut kalldrëm”. Ky stil i shtrimit të rrugëve me gurë lumi ishte hasur pas gërmimeve midis Xhamisë dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës. Asokohe KOHA nuk ishte lejuar as ta fotografonte rrugën që është rreth 20 metra e gjatë dhe rreth 3 e gjerë. Në atë kohë punëtorët e kësaj agjencie kishin nisur mbulimin e rrugës. Një gjë e tillë ishte bërë me lejen e Ministrisë së Kulturës, përderisa nga disa ekspertë të fushës ishte cilësuar si dëmtim i trashëgimisë autoktone kulturore. Asnjë metër katror e atij që njihet si kalldrëm i stilit shqiptar nuk mund të shihet në atë që tash është bërë oborri i Xhamisë së Jashar Pashës. Dikur aty ka qenë rrugicë e shtruar në stil mesjetar. I tëri është mbuluar me gurë katërkëndësh, që ngjajnë me ata të Xhamisë së shekullit XV.

Institucionet e Kosovës fillimisht ishin pajtuar që të mos dilte në sipërfaqe i gjithë kalldrëmi që “fshihej” nën asfalt. Asokohe Ministria e Kulturës dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë ishin dakorduar me investitorin e restaurimit TIKA që rreth dy metra katrorë të kalldrëmit të ekspozohen duke i ngritur në nivelin aktual të rrugës. Por dy institucionet e shtetit janë tërhequr edhe nga kjo marrëveshje. Janë pajtuar që krejt rruga të marrë pamjen që e ka tash.


Kryetari Ahmeti demanton zyrtarin e vet për emrin e Hamamit

Për çështjen e emrit të Hamamit të Madh të Prishtinës të premten vonë ka reaguar edhe kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti. Por në sqarimin e tij ka demantuar zyrtarin e vet. E ka bërë këtë vetëm pas dy orësh. Përderisa drejtori i Kulturës, Adrian Berisha – duke e përmendur katër herë kërkesën – e pranoi se ka pasur kërkesë të TIKA-s që Hamamit t’i ndryshohet emri, ndryshe shkruan shefi i tij.

“TIKA ka bërë kërkesë për restaurim të objektit dhe në këtë kërkesë e kanë paraqitur edhe idenë e ndryshimit të emrit të Hamamit të Madh të Prishtinës. Kërkesa për restaurim është aprovuar, por kërkesa për ndryshim të emrit është refuzuar nga Instituti Kosovar për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) duke u thirrur në faktin se nuk mund t’i ndryshohet emri një objekti kaq të rëndësishëm”, ka shkruar Berisha.

Kryetari Ahmeti ka shkruar krejt tjetër gjë sa i përket kërkesës. “Nuk kanë kërkuar e as që kërkojnë që Hamami të jetë Muze e as që të quhet në një mënyrë apo tjetrën”, ka shkruar ai në sqarimin e tij. Nuk do të jetë as Muze i Sulltanit e as Muze i dikujt tjetër. As që është diskutuar ndonjëherë”, ka shkruar krejt në fillim.

 

Nuk do të jetë as Muze i Sulltanit e as Muze i dikujt tjetër. As që është diskutuar ndonjëherë. Kjo ndërtesë e...

Posted by Shpend A. Ahmeti on Friday, March 26, 2021