Kulturë

Projekti për “Muze të Hamamit të Pushtuesit” – tjetërsim i monumentit

Nëse realizohet ashtu siç është në projektin për të cilin janë dakorduar edhe institucionet e vendit, Hamami i Madh i Prishtinës do të jetë Hamami i Muzeut të Pushtuesit. Një gjë e tillë, nga historianë e ekspertë të fushës konsiderohet skandaloze pasi kapitulli i Mehmet Fatihut – pushtuesit me shqiptarët është i errët. Pos kësaj është tjetërsim i monumentit pesëshekullor

Një prej skandaleve më të mëdha në trashëgiminë kulturore është parë të jetë projekti për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës, pasi planifikohet të shndërrohet në “Muze të Hamamit të Pushtuesit”. Marrëveshja e nënshkruar midis Komunës së Prishtinës dhe agjencisë qeveritare turke për zhvillim dhe rindërtim – TIKA e bën monumentin pesëshekullor Muze të Hamamit të një prej sulltanëve më famëkëqij osmanë. Bëhet fjalë për Mehmet Fatihun, pushtuesin e Kostandinopojës, Stambollit të sotëm dhe njëkohësisht pushtuesin e trevave ballkanike.

Pikërisht për shkak të këtyre veprimeve Mehmeti i Dytë kishte marrë epitetin “Fatih” (pushtues). E në fotografitë e publikuara nga Komuna – për të cilat KOHA kishte raportuar edhe të mërkurën – del se në ballë të Hamamit të Madh do të jetë e shkruar me germa të mëdha “FATIH HAMAMI MÜZESİ” (Muzeu i Hamamit të Pushtuesit).

Kjo është e papranueshme për historianë e arkeologë që kanë dekada pune në trashëgiminë kulturore të Kosovës. Projekti i TIKA-s, që është konkretizuar të mërkurën me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëfinancim me Komunën, ishte miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Tash me një milion euro ka mbetur të kryhen punët. Menjëherë më pas, të enjten, kanë plasur reagimet. Madje edhe Komuna e Prishtinës është zotuar të bisedojë edhe një herë me TIKA-n. Ky investim do të vijë një dekadë pasi u shpenzuan 800 mijë euro në tentim për ta restauruar ndërtesën e më pas u konstatua se bëhej fjalë për shkatërrim.

Marrëveshja e nënshkruar midis Komunës së Prishtinës dhe agjencisë qeveritare turke për zhvillim dhe rindërtim – TIKA e bën monumentin pesëshekullor Muze të Hamamit të një prej sulltanëve më famëkëqij osmanë. Bëhet fjalë për Mehmet Fatihun

Rexha: “E papranueshme për shtetin tonë dhe historinë tonë”

Sipas projektit në “FATIH HAMAMI MÜZESİ” do të ekspozohen mjete që kanë shërbyer kur Hamami ishte funksional si banjë publike. Sipas memorandumit, 49.35 për qind e mjeteve do të jepen nga Komuna e 50.65 nga TIKA.

Projekti që është planifikuar fillojë së implementuari në maj të këtij viti është krejt i papranueshëm për historianin Enver Rexha, i cili është edhe drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Ai ka thënë se sipas historiografisë ndërkombëtare Sulltan Mehmeti i Dytë njihet si “Fatihu”, që në shqip i bie pushtuesi.

“Këtë nofkë e merr me rastin e pushtimit të Konstandinopojës apo Stambollit të sotëm. Ai ka pushtuar edhe trevat ballkanike. Me këtë Sulltan themelohet Perandoria Osmane”, ka thënë Rexha.

Sipas tij, për turqit ka logjikë që monumenti i Kosovës të tjetërsohet deri në atë shkallë sa të jetë “Muze i Hamamit të Pushtuesit”.

“Kjo është e papranueshme për shtetin tonë dhe historinë tonë. Ne në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme e mbrojmë si monument me emrin ‘Hamami i Madh i Prishtinës’. Për t’u ndërruar ky emër duhet një vendim”, ka thënë ai.

Mehmetaj: “Nuk ka vrarë as Milosheviqi shqiptarë sa ka vrarë Mehmet Fatihu”

Edhe më i ashpër ka qenë arkeologu Haxhi Mehmetaj. Para një dekade ai ishte drejtor i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë, që asokohe quhej Instituti i Prishtinës për Mbrojtjen e Monumenteve. Ai ka treguar se në vitin 2009 kishte ndërmarrë gërmime arkeologjike pikërisht në hapësirën e Hamamit dhe ishin zbuluar artefakte të periudhës ilire të hekurit.

“Pra që nga shekulli VII para erës sonë. Duke e parë rëndësinë e këtij Hamami, kemi bërë kërkesë që të shndërrohet në muze të qytetit të Prishtinës, ku do të prezantohej trashëgimia arkeologjike nga neoliti e në vazhdimësi. Është aprovuar, por jo realizuar”, ka thënë ai. Si një prej ndërmarrjeve më skandaloze e ka cilësuar projektin e TIKA-s për Hamamin e madh.

“Vendimi i sotëm që t’i ndërrohet emërtimi vërtet është skandaloz. Do të thotë po i ngrihet muze Mehmet Pushtuesit, pasi ‘Fatih’ do të thotë pushtues, gjakpirësit më të madh të shqiptarëve. Nuk ka vrarë as Milosheviqi shqiptarë sa ka vrarë Mehmet Fatihu”, ka thënë Mehmetaj. Sipas tij, veprimet e tilla mund të shpien deri te kërkesat e tjera.

“Kjo vërtet nuk ka kuptim. Po bëhet një objekt i Turqisë. Me këtë logjikë nuk është çudi që nesër edhe serbët të kërkojnë që kisha në oborrin e Universitetit të Prishtinës të shndërrohet në muze të Milosheviqit”, ka thënë Mehmetaj.

“Kjo është e papranueshme për shtetin tonë dhe historinë tonë. Ne në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme e mbrojmë si monument me emrin ‘Hamami i Madh i Prishtinës’. Për t’u ndërruar ky emër duhet një vendim”, ka thënë Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës

Komuna e Prishtinës në diskutim me agjencinë turke për emrin e Hamamit

E Komuna e Prishtinës ka ndërruar mendje. Të paktën këtë e ka bërë Adrian Berisha, drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunë.

“Edhe ne si Komunë dje (e mërkure v.j.) e kemi parë për herë të parë këtë mbishkrim. Ky do të jetë një diskutim midis nesh dhe TIKA-s. Do të jetë primare që emri të mbetet Hamami i Madh i qytetit të Prishtinës. Do të kemi një diskutim përmbajtjesor me TIKA-n, pasi ne nuk duhet të ndryshojmë emrat e objekteve të trashëgimisë kulturore pasi ne po ndryshojmë identitetin e Hamamit. Është Hamami i Madh i Prishtinës dhe ashtu duhet t’i mbetet emri”, ka thënë Berisha. Ka qenë Berisha ai që të mërkurën shpërndau fotot e projektit ku shihej emri në turqisht.

Sa i përket sulltanit Mehmeti i Dytë, historiografia ndërkombëtare e ka përshkruar atë si më agresivin dhe pushtues të pashoq. Sipas të dhënave të Enciklopedisë britanike ai u lind më 1432 në Adrianopol dhe vdiq më 1481 në Maltepe.

“Ishte një udhëheqës i madh ushtarak, i cili pushtoi Kostandinopojën dhe po ashtu pushtoi territore si Anadolli dhe Ballkani, që përbënin zemrën e Perandorisë Osmane për katër shekujt e ardhshëm”, shkruhet në këtë Enciklopedi. Pos Hamamit të Madh në kohën e sundimit të Mehmet Fatihut, në Prishtinë është ndërtuar edhe Xhamia e Madhe. E gjurmët e këtij sulltani del se edhe Turqia e sotme mundohet t’i fuqizojë.

Agjencia qeveritare turke për zhvillim dhe rindërtim – TIKA ka kohë që tjetërson monumente duke fshirë çdo shenjë shqiptare në to. Një prej rasteve është ai me hapësirën përreth Xhamisë së Jashar Pashës në Prishtinë.

Në muajin qershor të vitit 2015, TIKA – që kishte nisur restaurimin e Xhamisë në gusht të vitit 2014 – gjatë punës kishte hasur në kalldrëm të stilit shqiptar, që pas pushtimit të Perandorisë Osmane njihej si “arnaut kalldrëm”. Ky stil i shtrimit të rrugëve me gurë lumi ishte hasur pas gërmimeve midis xhamisë dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës. Asokohe KOHA nuk ishte lejuar as ta fotografonte rrugën që është rreth 20 metra e gjatë dhe rreth 3 e gjerë. Në atë kohë punëtorët e kësaj agjencie kishin nisur mbulimin e rrugës. Një gjë e tillë ishte bërë me lejen e Ministrisë së Kulturës, përderisa nga disa ekspertë të fushës ishte cilësuar si dëmtim i trashëgimisë autoktone kulturore. Asnjë metër katror e atij që njihet si kalldrëm i stilit shqiptar nuk mund të shihet në atë që tash është bërë oborri i Xhamisë së Jashar Pashës. Dikur aty ka qenë rrugicë e shtruar në stil mesjetar. I tëri është mbuluar me gurë katërkëndësh, që ngjajnë me ata të Xhamisë së shekullit XV.

Institucionet e Kosovës fillimisht ishin pajtuar që të mos dalë në sipërfaqe i gjithë kalldrëmi që “fshihej” nën asfalt. Asokohe Ministria e Kulturës dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë ishin dakorduar me investitorin e restaurimit TIKA që rreth dy metra katrorë të kalldrëmit të ekspozohen duke i ngritur në nivelin aktual të rrugës. Por dy institucionet e shtetit janë tërhequr edhe nga kjo marrëveshje. Janë pajtuar që krejt rruga të marrë pamjen që e ka tash.

Historia e re e TIKA-s me Hamamin e Madh të Prishtinës nuk do të ishte as tentativë sikur shteti të konkretizonte mirë punën e ndërprerë para një dekade.

“Po bëhet një objekt i Turqisë. Me këtë logjikë, nuk është çudi që nesër edhe serbët të kërkojnë që kisha në oborrin e Universitetit të Prishtinës të shndërrohet në muze të Milosheviqit”, ka thënë arkeologu Haxhi Mehmetaj

Në këtë monument të ndërtuar në shekujt XIV dhe XV gjatë viteve 2007-2009 ishte punuar hartimi i planit të konservimit dhe restaurimit – fazë kjo e financuar nga CHwB/Sida, duke angazhuar një ekip ekspertësh nga Turqia. Projekti i hartuar me ndihmën e ekspertëve turq konsiderohej se jo vetëm që nuk përkonte me vlerat autentike të monumentit, por edhe ishte një përkthim i keq prej turqishtes.

Kompania “Arda Rei” kishte nisur punët restauruese. Madje, përfaqësuesit e saj gjatë përgatitjes së monumentit për restaurimin në muret e brendshme kishin zbuluar një pikturë murale me përzierje të dy ngjyrave themelore – kaltër e verdhë.

“Pas përzgjedhjes së kompanisë fituese për zbatimin e këtij projekti është parë që kjo kompani nuk ka asnjë përvojë në punë konservuese/restauruese”, thuhej në një raport të datës 12 dhjetor të 2013-s të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Komisioni i monitorimit përbëhej prej institucioneve qendrore dhe komunale të kulturës, si dhe nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës.

Hamamit të Prishtinës autenticitetin ia humbi krejtësisht me ndërhyrjet e vrazhda kompania “Daja Rrah”, kur i betonoi muret e jashtme.

Me urdhër të ish-ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, punimet në Hamam janë ndërprerë tri herë. Për herë të fundit në mars të vitit 2013, dhe nuk kanë rinisur më. Gjendja e tanishme e këtij objekti është e rëndë. Përveç problemeve me të çara në fasadën që ia mbuloi autenticitetin, ky monument pesëshekullor ka probleme edhe në hapësirën brenda.

Në shtatorin e vitit 2012, Isa Mustafa, si kryetar i Komunës së Prishtinës, do ta vizitonte Hamamin e Madh të Prishtinës dhe do të thoshte se pas përfundimit të punimeve objekti do të shndërrohej në muze neolitik.

“Trashëgimia kulturore pa kufij” ishte tërhequr nga projekti për restaurimin e Hamamit tre muaj pasi kishte nisur puna.