Kulturë

Çeku zotohet ta nxjerrë kulturën nga periferia, për artistët mision i zorshëm

“Do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje që kulturën ta ofrojmë sa më shumë nga qendra, ta largojmë nga periferia e vëmendjes së politikave publike dhe qeverisjes në përgjithësi”, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, që në ditën e parë në këtë detyrë. Në anën tjetër, disa pjesëtarë të komunitetit artistik kanë thënë se emërimi i tij në krye të MKRS-se është përzgjedhje e duhur, porse zor që do t’ia dalë në zotimet e tij dhe për këtë janë numëruar disa arsye

Vazhdimi i punëve të mira e ofrimi i kulturës në qendër të politikëbërjes janë zotimet me të cilat Hajrulla Çeku e ka nisur punën si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Pasditen e së martës i vetëm ka hyrë në ndërtesën e MKRS-së për të pranuar edhe praktikisht pozitën qeveritare. Është pritur nga zëvendësministri i deritashëm, Engelbert Zefaj. Me falënderime për punën që kanë bërë dhe zotime për shtim të dinamikës e energji të re në drejtim të këtij institucioni, Çeku ka përcjellë ish-drejtuesit politikë të MKRS-së. Por pavarësisht premtimeve të kryeministrit Albin Kurti e ministrit të Kulturës, disa anëtarë të komunitetit kulturor nuk kanë pritje të mëdha nga udhëheqja e re e institucionit më të lartë kulturor në vend.

Vlora Dumoshi, e cila ka drejtuar MKRS-në deri të hënën, kur pranoi mandatin e deputetes në Kuvendin e Kosovës, nuk ka qenë e pranishme në ceremoninë e pranimit të detyrës nga ministri Hajrulla Çeku.

E zëvendësi i Dumoshit, Engelbert Zefaj, ka lëvduar ministrin e ri, por edhe ish-shefen e tij. Ka thënë se Ministria e Kulturës është një institucion i konsoliduar mirë në aspektin funksional dhe administrativ. Ka treguar gjëra që dihen, siç është fakti se MKRS-ja ka buxhet vjetor, plan pune e synime për realizim të projekteve kapitale.

“Ministrja Dumoshi ka punuar shumë gjatë vitit 2020, pavarësisht që pandemia ishte shumë sfiduese. Ka qenë një vit sfidues edhe për operatorët kulturorë, artistët individualë dhe institucionet kulturore. Por është punuar shumë dhe janë arritur rezultate të kënaqshme”, ka thënë Zefaj. Si top-sukses ka përmendur faktin se prej sivjet institucionet vartëse të MKRS-së kanë kodet e veta buxhetore.

“Pavarësimi financiar i institucioneve kulturore është një arritur e madhe”, ka thënë ai. Por në praktikë ky pavarësim nuk është realitet.

E Hajrulla Çeku, i cili në moshën 37-vjeçare është ulur në karrigen e ministrit të MKRS-së, ka falënderuar ish-ministren Vlora Dumoshi për punën që ka bërë. Ka thënë se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që po e merr.

“Është një detyrë për t’u shërbyer vendit dhe qytetarëve, më specifikisht komuniteteve të cilave u shërben Ministria. Do të jem këtu për ta kryer detyrën me ndershmëri deri në momentin kur edhe unë do t’ia përcjell këtë detyrë të shërbimit ndaj qytetarëve ministrit apo ministres së ardhshme të Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka thënë ai. Ka treguar se është i lumtur për besimin që i është dhënë për të drejtuar MKRS-në.

Çeku: “Kulturën ta ofrojmë sa më shumë nga qendra”

Image

“Është një detyrë për t’u shërbyer vendit dhe qytetarëve, më specifikisht komuniteteve të cilave u shërben Ministria”, ka thënë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku


“Do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje që kulturën ta ofrojmë sa më shumë nga qendra, ta largojmë nga periferia e vëmendjes së politikave publike dhe qeverisjes në përgjithësi”, ka thënë ai.

Pjesa e kulturës ka qenë në fund të programeve të partive politike në zgjedhjet e sivjetshme, përfshirë edhe në programin e shkruar e të prezantuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka caktuar Çekun për ministër. Udhëheqësi i ri i MKRS-së ka thënë se disa punë do të vazhdojnë.

“Zotohem që punët e mira do të vazhdojnë tutje edhe me shtim të dinamikës dhe energjive të reja që do të vijnë në drejtim politik të kësaj Ministrie”, ka thënë ministri, i cili ka studiuar në Universitetin e Prishtinës për shkenca politike dhe ka magjistruar për qeverisje dhe zhvillim lokal në Universitetin e Trentos në Itali dhe në Universitetin e Regensburgut në Gjermani.

Paraprakisht të hënën, kur është votuar Qeveria, kryeministri Albin kurti në ekspozenë e tij para deputetëve ka thënë se do të ideohet një Teatër i ri Kombëtar dhe do të shpëtohet trashëgimia kulturore në rrezik.

E ministri Çeku, si kandidat për deputet në shkurt të këtij viti, kishte shpalosur programin e VV-së për kulturë në ciklin e debateve për këtë fushë që ishin organizuar nga Kohavisioni.

Asokohe për shumicën e gjërave Çeku, që shoqërohej nga Yll Rugova, nuk kishte dhënë detaje.

“Zgjidhjet e sakta përfundimtare duhet t’i gjejmë bashkë”, kishte thënë ai, duke aluduar në gjithëpërfshirje sa u përket vendimeve. Departizimin e institucioneve publike të kulturës e kishte përmendur krejt në fillim. Ministrat e Kulturës implementojnë politika dhe kontrollojnë institucionet qendrore të kulturës nëpërmjet këshillave drejtuese, anëtarët e të cilëve emërohen nga vetë ministri.

“Ne besojmë që ndërmjet ministrit dhe këshillit duhet të ketë një filtër ku validohet mendimi që ka ministri”, kishte thënë Çeku, i cili në mandatin e dytë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kishte shërbyer edhe si zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri. Por edhe në këtë rast nuk kishte dhënë përgjigje se kush do të jetë filtri.

“Duhet të ulemi bashkë me komunitetin për ta gjetur zgjidhjen më të mirë. Institucionet publike kulturore nuk duhet të maltretohen me burokraci për të prokuruar edhe elemente operative ditore”, kishte thënë ai, duke shtuar se duhet stimulin të qëndrueshmërisë financiare të tyre.

E sa i përket trashëgimisë kulturore kishte dhënë alamet zotimesh. Kishte treguar se nëpërmjet ndërhyrjes emergjente do të shpëtohen monumentet që janë në rrezik.

“Duhet të vendoset moratorium i përgjithshëm i aktivitetit ndërtimor në zonat e trashëgimisë kulturore për ta bërë një dokumentim të gjendjes. Moratorium në të gjitha zonat e trashëgimisë kulturore”, kishte thënë Çeku, i cili në dy palë zgjedhje ka marrë votat për deputet.

Mbrojta e përhershme ligjore, sipas tij, do të bëhet nëpërmjet funksionalizimit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Shteti aktualisht mbron përhershëm vetëm 23 asete të trashëgimisë kulturore, kurse përkohshëm 1657 asete. Për këtë çështje ai ka qenë i zëshëm ndër vite edhe kur udhëhiqte organizatën “Ec Ma Ndryshe”.

Çeku për artefaktet e marra nga Serbia në fund të viteve ’90 kishte thënë se janë dy forma për t’i kthyer. “Do të jetë një nga kushtet tona të dialogut me Serbinë. Besoj në nevojën e kushtëzimit të dialogut me nevojën e kthimit të artefakteve. Do të ketë kushtëzim, por edhe mënyra të tjera të presionit, përfshirë edhe padinë”, kishte thënë ai për koleksionin, që zyrtarisht thuhet se përfshin 1244 aktefakte arkeologjike dhe etnografike.

Skepticizmi nga komuniteti artistik

Por premtimet e zotimet e Çekut dalin të jenë goxha vështirë të zbatueshme, sipas disa prej atyre që janë pjesë e skenës kulturore.

Dramaturgu Jeton Neziraj, udhëheq qendrën “Multimedia” dhe ishte pjesë e debatit me Çekun në KTV.

Të martën ai ka thënë se në këta rreth njëzet vjet qëkur ekziston Ministria e Kulturës, komuniteti ka mësuar një gjë: “Që nuk bën të jemi shumë entuziastë”.

“Se sa herë që kemi pasur shpresa të mëdha, dëshpërimi ka qenë më i thellë”, ka thënë ai. Sipas Nezirajt, përzgjedhja e Hajrulla Çekut për ministër është lajm i shkëlqyeshëm. Ka thënë se vërtet e çmon për punën e deritanishme, se nuk njeh njeri më kompetent sesa ai për këtë pozitë dhe se është i sigurt që do të punojë mirë.

“Megjithatë, siç e dimë, nuk bëhet fjalë për një ‘one man show’. Kam frikë që ai do të kurthohet e do të humbë kohe duke u marrë me një administratë dembele, me parazitë e sabotues të ndryshëm brenda Ministrisë, dhe kështu nuk do të ketë më kapacitet e energji për reforma e për punë të tjera më të hairit”, ka thënë Neziraj. Nga përvoja e tij, administrata e MKRS-së është si një “fosil që funksionon për ta frenuar veten dhe të tjerët që kanë punë me të”. Ka thënë se pos Ministrisë së Kulturës, që është e mbushur me militantë partiakë e jokompetentë, ngjashëm janë edhe institucionet e tjera të kulturës.

“Nuk e di, vërtet jam shumë skeptik që ajo administratë mund të reformohet e depolitizohet. Ministrit natyrisht i dëshiroj sukses në këtë ‘mission impossible’”, ka thënë Neziraj.

Hulumtuesja Donjetë Murati, e cila ishte paneliste në ciklin e debateve për programet kulturore si përfaqësuese e grupimit “Punëtorët në Art”, ka thënë se pret që deklaratat publike të ministrit Çeku për një qeverisje pjesëmarrëse dhe gjithëpërfshirëse të zbatohen.

“PART konsideron që ministrin e ri e presin sfida të shumta në sektorin e artit dhe kulturës, sidomos në kontekstin ku gjendemi tash, ku pandemia po vazhdon ta cenojë zhvillimin normal të jetës kulturore në Kosovë”, ka thënë ajo të martën për KOHËN. Sipas Muratit, krijuesit e pavarur ende po e presin shtetin të veprojë në tërësi, karshi nevojave urgjente të shkaktuara nga pandemia e që lidhen direkt me mirëqenien bazike të tyre.

“Është esenciale që fondi i mbetur të zbatohet duke reflektuar në gjendjen reale, i cili si proces do të duhej të trajtonte parimet e përgjithshme rreth përkufizimit të ‘punës’ në kulturë, si dhe rregulloret të cilat do ta materializonin atë”, ka thënë ajo.