Kulturë

Munchi, Picasso e Banksy - një ankand me vepra 5-shekullore

(Reuters) – Piktura nga Edvard Munchi, argjendurina të Pablo Picassos dhe një kanavacë e Banksyt janë mes veprave artistike në ankandin e ardhshëm të shtëpisë Sotheby që përfshin një hark kohor të artit prej pesë shekujsh.

Më 25 mars shtëpia londineze e ankandeve do të mbajë shitjen e parë të madhe të këtij viti të quajtur “Modern Renaissance”. Aty do të jetë vepra e Munchit “Embrace on the Beach”, që kryeson me një çmim të vlerësuar prej 9 deri në 12 milionë paundë (12 – 16 milionë dollarë).

“Me shitjen e parë të këtij viti, pasi patëm një vit tejet sprovues me pandeminë, ne po kthehemi rishtas me një përzgjedhje të fortë veprash”, ka thënë Ema Baker, drejtuese e mbrëmjes së shitjes në shtëpinë londineze të ankandeve.

“Ka qenë sfiduese, por ne ia dolëm mbanë të bëjmë bashkë ca vepra të pabesueshme nga i gjithë rruzulli”.

Një vetëportret i piktorit norvegjez është vlerësuar nga 4.5 deri në 6.5 milionë paundë.

Portreti i Picassos nga fotografja Dora Maar (Femme assise dans un fauteuil) pritet të mbledhë 6 deri në 8 milionë paundë, derisa një set me pjata të argjendta nga artisti spanjoll ka një çmim që shkon nga 1.2 deri në 1.8 milionë.

Peizazhi i gjerë prej 4 metrash i David Hockneyt “Tall Dutch Trees After Hobbema”, e që u frymëzua nga “The Avenue at Middelharnis” e shekullit të 17-të është vlerësuar nga 6 deri në 8 milionë paundë.

Të tjera vepra artistike në ofertë përfshijnë “Portrait of a Youth” nga piktori i shekullit të 15-të Piero del Pollaiuolo, me një vlerë të llogaritur nga 4 deri në 6 milionë paundë.

Një kanavacë plot parodi e artistit të rrugës Banksy për një kopertinë të Vanity Fair për aktoren Demi Moore, shtatzënë dhe lakuriqe, është në shitje për 2 deri në 3 milionë paundë.

Më shumë se dy metra e gjatë, “Original Concept for Barely Legal Poster” (pas Demi Moore), paraqet një figurë shtatzënë që mban një maskë majmuni dhe tymos një cigare.

Kjo vepër ishte imazhi i posterit për ekspozitën e Banksyt “Barely Legal”, që u mbajt në Los Angeles më 2006.