Kulturë

Ura me katër harqe e Glinës shpëtohet nga shkatërrimi

Në regjistrat zyrtarë, Ura e Glinës figuron si monument kulture i kategorisë së parë. Por duke mos e ndier dorën e shtetit për dyzet vjet, ajo sot rrezikon të shembet. Të hënën, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale i ka dhënë dritën e gjelbër restaurimit të Urës që dikur lidhte fshatrat dropullite

Në ditët e saj më të mira ishte shenjë e lulëzimit të mirëqenies në viset e Shqipërisë Jugore. Jo me tri harqe, por me katër sosh, Ura e Glinës ishte vetëm një nga objektet e shumta infrastrukturore që ngrenë krye në kohën e sundimit dorëhekurt të pashait shqiptar Ali Tepelena.

Me ujërat e pakta që lëvrijnë poshtë saj, e dëmtuar në plot vende, kjo urë sot nuk është as hija e shkëlqimit të dikurshëm sikundër paraqitet në piktura e litografi të huaja të fillimshekullit të 19-të.

Megjithatë, institucionet e shtetit shqiptar janë kujdesur që kjo urë të shpëtojë nga rrënimi. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, të hënën ka njoftuar për vendimin e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale për miratimin e projektit për kryerjen e ndërhyrjeve konsoliduese-restauruese në Urën e Glinës, në fshatin Grapsh, në Krahinën e Dropullit të Poshtëm.

Sipas njoftimit të afishuar në faqen e saj në “Facebook”, Ura e Glinës, e klasifikuar si monument kulture i kategorisë I, është e ndërtuar me gurë gëlqerorë me katër hapësira, me harqe guri.

“Projekti parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në strukturën e urës, si edhe në kalldrëmin e saj”, thuhet në njoftimin e ministres Margariti.

Në të vërtetë, sipas shënimeve që ekzistojnë, kjo urë nuk është prekur nga dora e shtetit që prej dyzet vjetësh. Në restaurimet e bëra gjatë viteve 1980-81, në këtë monument ishin plotësuar disa pjesë të dëmtuara të kalldrëmit me gurë pllakë me trashësi 10-15 cm të vendosur këllëç.

Pesë vjet më parë, Ura e Glinës ishte në prag të shembjes së plotë: kërkues ilegalë të thesareve kishin hapur një gropë në pjesën perëndimore të themeleve të saj.

E ndodhur pranë fshatit Grapsh, funksioni i urës ishte lidhja e Krahinës së Dropullit me fshatrat Peshkëpi, Nepravishtë dhe Vraogoran.

“Kjo urë, që dikur i shërbente rrugës së moçme nga Gjirokastra në fshatin Glinë me pasuritë e tij minerale, ndodhet afër fshatit të Grapshit, 15 kilometra në jug të qytetit”, shkruan studiuesi holandez Machiel Kiel në librin e tij “Ott oman Architecture in Albania, 1385-1912” (botim i vitit 1990). “Nën të kalon përroi zakonisht i tharë i Kseropotamit (‘lum i thatë’ në dialektet lokale greke). Ura është 50 metra e gjatë dhe 3.70 metra e gjerë dhe kalon shtratin e thatë me katër harqe…”.

E nga zona e jugut, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale një ditë më parë ka miratuar edhe projektin për restaurimin e shpellës me piktura në fshatrat Kostar, Mespotam, në Finiq.

Në Ministrinë e Kulturës janë shprehur optimistë që ky projekt do të shpëtojë një tjetër thesar të trashëgimisë sonë kulturore.

“Me të gjitha faqet e pikturuara, kisha, monument kulture i kategorisë I, ndodhet në anën veriore të fshatit Kostar, ndërtuar në fund të shek. XVIII, në faqen e malit, mbështetur në një gur shkëmbor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

Ky objekt i trashëgimisë shpirtërore vazhdon të ketë relevancë për banorët vendës sot e gjithë ditën: brenda tij ende kryhen rituale, shërbesa dhe ceremoni.