Kulturë

Qeveria zotohet për ideim të Teatrit të ri Kombëtar dhe shpëtim të trashëgimisë kulturore

Descriptive Text

Përderisa ka përmendur artistët dhe sportistët si ambasadorët më të mirë jashtë vendit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se do të punohet shumë që ata të kenë kushtet e nevojshme për potencialin e tyre. Menjëherë më pas është zotuar për diçka për të cilën nuk ka nevojë të punojë fare. “Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve do të kenë të garantuar financimin e rregullt dhe fondin e shtuar për projektet artistike”, ka thënë ai

Për herë të dytë në qeverisje e të parën në udhëheqjen e Ministrisë së Kulturës, Lëvizja Vetëvendosje synon të vazhdojë projektet aktuale e të nisë edhe të reja. Këtë do ta bëjë me Hajrulla Çekun, ministër të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në ekspozenë e prezantuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, derisa kërkonte votën për kabinetin e tij qeveritar, kryeministri Albin Kurti kulturën e ka përmendur diku në mes të fjalës së tij. Këtë e ka bërë pasi ka dhënë zotimet për bujqësi e para se të flasë për Policinë. Kulturën kësaj radhe e ka renditur më lart sesa kur kishte prezantuar programin në fushatë elektorale, kur renditej krejt në fund. Ato që i ka thënë nëpërmjet ekspozesë, i ka quajtur zotime që së shpejti do të jenë edhe program qeverisës.

Përderisa ka përmendur artistët dhe sportistët si ambasadorët më të mirë jashtë vendit, kryeministri Kurti ka thënë se do të punohet shumë që ata të kenë kushtet e nevojshme për potencialin e tyre. Menjëherë më pas është zotuar për diçka, për të cilën nuk ka nevojë të punojë fare.

“Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve do të kenë të garantuar financimin e rregullt dhe fondin e shtuar për projektet artistike”, ka thënë ai. Teatri Kombëtar pos të punësuarve ka buxhet vjetor për projekte. Në përgjithësi sivjet, sipas Ligjit për buxhet, ka 940 mijë e 401 euro. Prej tyre 370 mijë vetëm për projekte në skenën e madhe dhe të voglën. E prej vitit të kaluar tetë teatrot e qyteteve kanë buxhet vjetor për personale dhe për realizimin e shfaqjeve. Buxhet e përkrahje është zotuar se do t’u jepet edhe Baletit Kombëtar të Kosovës dhe ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, si dhe institucioneve të tjera vartëse të MKRS-së.

“Do të fillojmë të ideojmë Teatrin e ri Kombëtar”, ka thënë Kurti, duke lënë të nënkuptohet projektimi i një ndërtese të re të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Por në ditën kur ka marrë udhëheqjen e ekzekutivit të vendit, këtë çështje e ka lënë vetëm në suaza të ideimit. Nuk ka përmendur asnjë projekt tjetër kapital në fushën e kulturës. As teatrin e operës dhe baletit “dr. Ibrahim Rugova”, për të cilin pas një konkursi ndërkombëtar Ministria e Kulturës është duke rivlerësuar projektet.

Sa i përket trashëgimisë kulturore, kryeministri Kurti ka thënë se ajo do të mbrohet. Ka përmendur edhe mbrojtjen e përhershme, të cilën e gëzojnë vetëm 23 asete. “Do të kemi mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai. Për ta arritur këtë synim duhet që shteti të zgjedhë anëtarët e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore ose kompetencat e këtij organi t’ia delegojë dikujt tjetër nëpërmjet ndryshimit të Ligjit për trashëgimi kulturore.

“Kurse trashëgimia në rrezik do të shpëtohet nëpërmjet ndërhyrjeve emergjente dhe fuqizimit të Inspektoratit”, ka thënë Kurti duke aluduar në forcimin e Inspektoratit të trashëgimisë kulturore.

Kryeministri, i cili udhëheq me Qeverinë e votuar nga 67 deputetë në seancën e Kuvendit të mbajtur të hënën, ka thënë se ekspozeja prek vetëm disa pika programore.

Në anën tjetër, Hajrulla Çeku për herë të parë në pozitë ekzekutive është emëruar si ministër i Kulturës. Paraprakisht ka qenë deputet.

I lindur në vitin 1983 në Prizren, ka studiuar në Universitetin e Prishtinës për shkenca politike dhe ka magjistruar për qeverisje dhe zhvillim lokal në Universitetin e Trentos në Itali dhe Universitetin e Regensburgut në Gjermani. Sipas biografisë së tij, për 15 vjet ka qenë pjesë e shoqërisë civile, i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, planifikimit urban dhe mjedisit. Ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës.

Ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Kosovar të Turizmit, ndërsa në cilësinë e ekspertit të jashtëm ka përkrahur hartimin e politikës nacionale për konservim të integruar të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ka qenë zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit në Qeverinë e Shqipërisë gjatë mandatit të dytë të Edi Ramës si kryeministër.