Kulturë

Botimet KOHA – dhuratë për lexuesit në Kukës, Has e Tropojë

Descriptive Text

Me rreth 90 tituj të Botimeve KOHA janë pasuruar bibliotekat në tri vende në verilindje të Shqipërisë. Është dhuratë që u bëhet lexuesve në Kukës, Has e Tropojë, dhe një ndërmarrje e tillë është vlerësuar nga përgjegjës institucionalë të këtyre bashkive, por veçmas nga lexuesit. Grupi KOHA tashmë e ka shndërruar në traditë dhurimin e librave dhe pasurimin e bibliotekave

Botimet KOHA ka dhuruar 450 ekzemplarë me rreth 90 tituj për bibliotekat e bashkive të Kukësit, Hasit e Tropojës. Në ceremoninë e dhurimit të librave në Kukës, që u realizua në Këndin Amerikan të bibliotekës “Agim Spahiu” të Kukësit, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Grupit KOHA, nxënës të gjimnazit “Havzi Nela” të qytetit, mësues të letërsisë dhe lexues.

Përgjegjësi i bibliotekës “Agim Spahiu”, Arbër Palushi, ka thënë se dashamirësit e librit në Kukës do ta kenë mundësinë që të kenë në dorë profile të ndryshme të librave të historisë, politikës, monografi e të tjera, prodhime të shtëpisë së njohur botuese në Kosovë. Shkrimtari Petrit Palushi, i pranishëm në ceremoninë e dhurimit, ka thënë se ky është një lajm i mirë për bibliotekën dhe qytetarët e Kukësit.

“Sot është një ditë e bukur për Kukësin. E bukur se ka të bëjë me librin, me dijen, kulturën e qytetërimin. Enti i njohur botues KOHA i Prishtinës sjell dhuratë në sasi të konsiderueshme librash për bibliotekën ‘Agim Spahiu’ të qytetit tonë. Një gjest që duhet vlerësuar. Lexuesit kuksianë e vlerësojnë këtë gjest dhe mund të thonë vetëm fjalë miradije”, ka thënë Palushi. Sipas tij, është një përzgjedhje e librave cilësorë në lëmi të historisë, letërsisë e kulturës në përgjithësi.

Image
Ceremonia e dhurimit të librave në Kukës

“Natyrisht, në këtë prurje janë edhe botime të shkrimtarit dhe publicistit të njohur Veton Surroi”, ka thënë Palushi kur ka folur për themeluesin e “Kohës Ditore”, shkrimtarin e njohur që ishte laureuar si “Nderi i Qarkut” të Kukësit.

Dhurimi i librave për bibliotekën e Kukësit është vlerësuar edhe nga lexuesit. “Më vjen mirë që Botimet KOHA mbërritën në qytetin tonë. Unë i kam blerë botimet KOHA sistematikisht në Prizren, kur ato shiteshin përmes gazetës ‘Koha Ditore””, ka thënë Fatri Bajraktari, mësues i edukimit fizik në një nga shkollat 9-vjeçare në Kukës. Edhe nënkryetarja e Bashkisë së Kukësit, Bege Cena, pjesëmarrëse në këtë ceremoni, ka falënderuar Grupin KOHA për dhuratën që ajo e ka konsideruar me mjaft vlerë për bibliotekën e qytetit.

Në të njëjtën ditë, të enjten pasdite, Grupi KOHA ka shpërndarë libra edhe për bibliotekën e Bashkisë së Hasit dhe atë të Tropojës.

Image
Ceremonia e dhurimit të librave në Has

Nënkryetari i Bashkisë së Hasit, Flamur Thaçi, i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të librave, ka falënderuar Grupin KOHA për dhuratën, në një kohë kur, sipas tij, bashkitë e vogla në verilindje të vendit janë me mundësi të kufizuara financiare për blerjen e librave. Edhe në ceremoninë e dhurimit të librave në bibliotekën e qytetit të Bajram Currit kanë marrë pjesë mësues të letërsisë e nxënës të gjimnazit “Asim Vokshi”, të shkollës 9-vjeçare “Ali Podrimja”, nxënës të këtyre shkollave, lexues, përfaqësues të Bashkisë së Tropojës, e të tjerë.

“Falënderoj Grupin KOHA për librat që na ka dërguar. Të gjithë e dimë se është shumë e rëndësishme thënia se ‘çdo libër që lexon të hapë një dritare në jetë’ dhe kështu është në fakt. Sa herë lexon një libër mëson të reja nga më të ndryshmet. Unë sugjeroj që të lexoni sa më shumë libra, sepse çdo libër që lexoni jeni të zhytur në historinë e librit dhe ju do ta kaloni një kohë shumë të mirë”, ka thënë lexuesja Kejsi Katroshi, nxënëse e klasës së shtatë e shkollës 9-vjeçare “Ali Podrimja” të qytetit të Bajram Currit.

Në emër të nxënësve të gjimnazit “Asim Vokshi” të qytetit Bajram Curri, Grupin KOHA e ka falënderuar Arjana Avdia, maturante në gjimnazin “Asim Vokshi” të Bajram Currit.

“Leximi është një e mirë që gjithsecili prej nesh ia bën vetes në radhë të parë dhe pastaj kur e transmeton edhe te të tjerët me idetë e tij, me mendimet që ka, mundohet të influencojë në një komunitet të tërë. Unë jam një lexuese e rregullt në bibliotekën e shkollës dhe kjo më ka bërë që të jem e plotësuar si njeri, pasi libri është shoku më i mirë që një njeri mund ta ketë”, ka thënë Avdia.

Image
Ceremonia e dhurimit të librave në Tropojë

Përgjegjësja e bibliotekës së qytetit Bajram Curri, Nafie Demushi, duke falënderuar Grupin KOHA për dhuratën, ka bërë edhe një zotim.

“Ju premtoj se këta libra do ta kenë reklamën e duhur dhe përdorimin e duhur”, ka thënë Demushi.

Grupi KOHA e ka shndërruar në traditë dhurimin e librave. Rëndom, përvjetorët e themelimit të “Kohës Ditore” i ka shënuar edhe në këtë formë. Në marsin e 2017-s, në 20-vjetorin e gazetës që numrin e parë e nxori më 31 mars 1997, Grupi KOHA ia dhuroi 70 tituj, që numëronin 13 mijë ekzemplarë, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, që më pas ajo t’ua shpërndajë bibliotekave të vendit e jashtë. Më 2012, kur “Koha Ditorë” shënoi përvjetorin e 15-të, u dhuruan 30 mijë libra.