Kulturë

Ankesës për shkelje me projekte filmike Ministria i përgjigjet me komision

Me një ankesë prej katërmbëdhjetë pikash, nëpërmjet së cilave ai pretendon se ka evidentuar parregullsi, regjisori Arben I. Kastrati ka kërkuar anulimin dhe rishpalljen e konkursit të Qendrës Kinematografike të Kosovës për projekte filmike.

Në ankesën që ia ka drejtuar Zyrës Ligjore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit dhe Këshillit Drejtues të QKK-së, Kastrati pretendon se anëtarët e jurisë vlerësuese të filmave të gjatë artistikë nuk i përmbushin kriteret e kërkuara me Rregulloren për punën e jurisë vlerësuese për projektet filmike, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zyra Ligjore e MKRS-së do të themelojë një komision “ad hoc” për ta shqyrtuar këtë ankesë dhe të tjerat që lidhen me konkursin për film, derisa Këshilli Drejtues i QKK-së paralajmëron se do të veprojë sipas ligjit e rregulloreve të këtij institucioni.

Edhe vitin e kaluar juria qe akuzuar për joprofesionalizëm e QKK-ja për shkelje ligjore. Të përmbledhura në një ankesë të shkruar, akuzat kishin mbërritur deri në adresë të ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, i cili pati themeluar komision për shqyrtimin e tyre, vetëm sa për t’i hedhur poshtë ato.

Qysh kur u shpallën emrat e fituesve të metrazhit të gjatë në ditën e pestë të këtij muaji, Kastrati, skenarist e regjisor i projektit filmik “Faleminderit Hagë”, që ka konkurruar për financim, kishte paralajmëruar padi ndaj QKK-së. Por, ka thënë se atë nuk do ta bëjë derisa të marrë përgjigje në ankesën drejtuar MKRS-së dhe Këshillit Drejtues të QKK-së.

Për projektin e tij, i cili s’është në mesin e fituesve, ka thënë se ka pasur referenca nga kineastë të njohur botërorë, si: Lech Majewksi nga Polonia, Peter Carpentier e Lazar Ristovski, por ato nuk janë marrë parasysh nga anëtarët e jurisë, shumicën prej të cilëve, siç ka thënë ai, nuk i njeh fare... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.