Kulturë

“Galaksia”- fituese në “Moisiu On” që përfundoi me shpresë për rikthim në skenë

I quajtur edhe si “festivali i gjithë shqiptarisë”, 20 trupa teatrale nga tri shtetet shqiptare për tri javë rresht i kanë sjellë online publikut shfaqjet e tyre më të mira. Duke përsëritur thirrjen “Teatri vazhdon”, organizatorët e kanë vlerësuar angazhimin e trupave teatrale për edicionin e sivjetmë. “Jemi me shpresën që duartrokitjet së shpejti do t’i kthejmë në skenë”, ka thënë drejtori i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Hervin Çuli. Shfaqja “Galaksia” e këtij institucioni ka marrë çmimin kryesor e dy trofe kanë marrë edhe teatrot nga Kosova

Janë dhjetëvjetëshat e fundit të shekullit të 16-të që po e mbyllte perden e vet me një fitore të pabesueshme evropiane kundër osmanëve. Kur një koalicion shtetesh të krishtera u dhanë dërrmën osmanëve në Betejën e Lepantos, piktorja me emrin Galaksia u ngarkua nga Venediku që të bënte një kanavacë të madhe që do të përjetësonte ngjarjen ngadhënjyese. Rebele në frymëzimet e saj, artistja solli në jetë një tablo me vizione që ndryshonin shënueshëm nga ato të Doxhit venedikas dhe Kishës Katolike.

E përshtatur në tekstin dramaturgjik të Howard Barkerit e duke ruajtur përplasjen e gjithëkohshme artist-pushtet, shfaqja “Galaksia”, nën regjinë e Rovena Lule-Kukës, është kurorëzuar me çmimin e shfaqjes më të mirë në festivalin mbarëkombëtar të teatrit “Moisiu On”.

Në natën e fundme të ngjarjes që bashkoi 20 trupa teatrale nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të mbajtur online mbrëmjen e së martës, janë vlerësuar me çmime aktorët, shfaqjet dhe regjitë më të mira.

Duke i mëshuar motos “Teatri vazhdon”, edicioni i sivjetmë i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit që nga 23 shkurti, për tri javë rresht, ka dhënë online shfaqje teatrore nga Tirana, Prishtina, Shkupi, Shkodra, Durrësi, Kumanova, Prizreni, Gjirokastra, Ferizaj, Korça, Fieri, Gjilani, Vlora, Gjakova etj.

Në ceremoninë online që i ka paraprirë votimit, drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, ka falënderuar të gjitha teatrot shqiptare që u bënë pjesë e këtij festivali.

Me thirrjen që artistët t’i kthehen sa më parë skenës, ai ka vlerësuar se të gjitha teatrot dhanë maksimumin e tyre që ky edicion të kalonte me sukses edhe përkundër rrethanave të pandemisë.

“Realizuam një festival të vështirë, por që më mirë që e bëmë sesa të prisnim”, ka thënë Çuli teksa ka nënvizuar se edicioni ishte një aktivitet me “goxha vlerë”.

Fill pas kësaj, përfaqësues të teatrove pjesëmarrëse kanë dhënë propozimet e tyre për aktorët, shfaqjet dhe regjitë më të mira.

Pas llogaritjes së votave nga të gjitha trupat, aktorët Igli Zarka nga shfaqja “Galaksia” dhe Silvio Goskova nga “Kopshti i qershive” u kumtuan si fitues të përbashkët të çmimit aktori/aktorja i ri më i mirë. Gert Ferra, që luajti në “Kopshtin e qershive”, fitoi çmimin e aktorit më të mirë joprotagonist. Po kjo shfaqje i ka sjellë regjisorit me prejardhje shqiptare që jeton në Sarajevë, Dino Mustafiq, çmimin për regji më të mirë.

Aktorja e lindur në Prizren, Arta Muçaj, ka fituar çmimin e aktores më të mirë joprotagoniste për shfaqjen “Zgjimi i pranverës”, nën regji të Zana Hoxhës. Po në Prizren ka shkuar edhe çmimi për aktorin më të mirë protagonist: ky iu nda aktorit Gëzim Rudi, që interpretoi rolin e Iskierdos në shfaqjen “Monserati” me regji të Roland Roshit, të dhënë nga teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren. Po kështu, aktorja tiranase Olta Daku ka marrë çmimin e aktores më të mirë protagoniste për rolin e saj në shfaqjen “Galaksia”. Kurse çmimi i karrierës i është akorduar Bujar Lakos, që do t’i jepet në mënyrë postume.

Po këtë mbrëmje ishte paraparë të jepej edhe “Çmimi i Publikut”, për të cilin ishte hapur votimi në mënyrë online që nga mbrëmja e së hënës.

“Çmimi i publikut do të marrë disa ditë, sepse fluksi i votimeve ka qenë i jashtëzakonshëm”, ka thënë Çuli.

Deri në orët e vona të mbrëmjes, në faqen e Teatrit Kombëtar, në Tiranë, kanë votuar më shumë se 3200 njerëz.

I quajtur alternativisht edhe “festival i gjithë shqiptarisë”, Festivali Mbarëkombëtar i teatrit “Moisiu On” është organizuar nga Teatri Kombëtar, si dhe nga teatri eksperimental “Kujtim Spahivogli” me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës.

Sipas kalendarit të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit, shfaqja nga Teatri Shqiptar i Shkupit “Makbeth” nga regjisorja Diana Dobreva, më 23 shkurt, hapi siparin e edicionit të sivjetmë.

Ditën tjetër, shfaqja e radhës u pasua me atë të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Arturo UI”, nën regjinë e Kiço Londos. Më 25 shkurt, skena e pavarur solli “Black bird” nën regjinë e Donard Hasanit; më 26 shkurt teatri “Aleksandër Moisiu”, Durrës, shfaqjen “Martesa” nën regji të Driada Dervishit; më 27 shkurt Teatri i Gjilanit shfaqjen “Aylan” me regji të Blerta Nezirajt; më 28 shkurt teatri “Zihni Sako”, Gjirokastër, tragjikomedinë “Fqinjët”, nën regji të Ruzhdi Pulahës; më 1 mars skena e pavarur solli shfaqjen “Mashtrimi” me regjisor Artan Imamin; më 2 mars teatri “Migjeni”, Shkodër, shfaqjen “Jugori”, me regjisor Dino Mustafiq; më 3 mars teatri i qytetit “Hadi Shehu”, në Gjakovë, shfaqjen “Dorëzimi në Spokan” me regji të Ilir Bokshit; më 4 mars skena e pavarur “Teatri Rikthim”, “Qyteti i akuzuar” me regji të Bajram Torbës; më 5 mars “Teatri Metropol” shfaqjen “Ëndrra e një nate vere” me regji të Armela Demajt; më 6 mars teatri “Adriana”, Ferizaj, shfaqjen “Oh, Oh Xhulia” me regji të Besim Ugzmajlit; më 7 mars teatri “Bylis”, Fier, komedinë “Zija e bardhë” me regji të Milto Kutalit; më 8 mars Teatri Shqiptar në Kumanovë, shfaqjen “Në det”, nën regji të Qëndrim Rijanit; më 9 mars teatri “Petro Marko”, Vlorë, shfaqjen “Në shtëpi në orën shtatë” me regji të Roland Mingës; më 10 mars teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren, shfaqjen “Monserati” me regji të Roland Roshit; më 11 mars teatri “Andon Zako Çajupi”, Korçë, “Kopshti i qershive”, me regji të Dino Mustafiqit; më 12 mars skena e pavarur “Kush e solli Doruntinën”, me regji të Laret Vasilit; më 13 mars TKK, Prishtinë, “Zgjimi i pranverës” me regji të Zana Hoxhës; si dhe më 14 mars Teatri Kombëtar e përmbylli edicionin me shfaqjen “Galaksia” me regji të Rovena Lule Kukës.

Derisa komuniteti teatror në të dy anët e kufirit është treguar solidar, veçmas për çështjen e godinës së Teatrit në Tiranë, që u shemb vitin e kaluar, repertori i teatrove rezervon fare pak vend për shfaqje të ndërsjella. E gjithë kjo ngjan pavarësisht kalendarëve të përbashkët të nënshkruar thuajse për çdo vit nga 2014-a nga dy ministritë e Kulturës.

Vitin e kaluar KOHA ka raportuar për nivelin e ulët të shkëmbimeve teatrore Kosovë-Shqipëri, duke sjell rrëfime dramaturgësh, regjisorësh e njohësish të teatrit. Viti 1971 konsiderohet si pikënisja e shkëmbimit kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Duke përfituar nga erërat e mbara që frynin asokohe në liberalizimin e kufijve, edhe kultura konsiderohej si një nga shtyllat e bashkëpunimit ndërshqiptar. Në vitin 1971, në sallën e kinemasë “Rinia” në Prishtinë ishte hapur “Java e Filmit Shqiptar”.

Regjisorë si Endri Keko e Viktor Gjika e aktorë si Edi Luarasi e Sandër Prosi kishin ardhur në Kosovë si pjesë e delegacionit të kinostudios “Shqipëria e re”. Në analet e këtyre viteve të bashkëpunimit është edhe vizita e një delegacioni të Teatrit Popullor të Tiranës në përbërje të të cilit ishin drejtori i tij, Riza Hajri, regjisori Pirro Mani e aktorët Violeta Manushi, Besa Imami e Naim Frashëri.

Gjatë këtij turneu që filloi më 11 qershor 1971, trupa tiranase kishte dhënë shfaqjen e dramës së Loni Papës “Cuca e Maleve” nën regjinë e Pirro Manit. Kurse më 1 dhjetor 1978, një trupë e Teatrit të Prishtinës do të udhëtonte në Shqipëri për një turne 12-ditor gjatë të cilit ishin dhënë disa shfaqje në qytete të ndryshme. Kinostudioja “Shqipëria e re” kishte bërë një film dokumentar kushtuar kësaj vizite.