Kulturë

Profesori që refuzon teknologjitë e reja

“Zejnullah Gruda është njohësi më i mirë i së drejtës ndërkombëtare që ka Kosova. Ai nuk mban celular. Nuk ka as adresë elektronike. Për profil në ndonjë rrjet social as që bëhet fjalë. Madje, edhe për qëllime informimi, internetit fare rrallë i qaset. Kondicionin në shkencë e mban duke u shërbyer nga burime tradicionale – librat e revistat shkencore të shtypura”, shkruhej në artikullin e botuar në “Koha Ditore”, në dhjetor të vitit 2015

Është e mundur t’i mbani në distancë teknologjitë e reja dhe të mbani kondicionin në fushën që specializoni. Shembullin e keni në Prishtinë.

Profesori Zejnullah Gruda është njohësi më i mirë i së drejtës ndërkombëtare që ka Kosova. Ai nuk mban celular. Nuk ka as adresë elektronike. Për profil në ndonjë rrjet social as që bëhet fjalë.

Madje, edhe për qëllime informimi, internetit fare rrallë i qaset. Këtë izolim e bën në kohën kur varshmëria nga teknologjitë e reja është shndërruar në sëmundje, imunë ndaj së cilës nuk janë kosovarët. Madje, hulumtimet profesionale kanë treguar se rreth 80 për qind e 1.8 milionë banorëve të Kosovës përdorin internet, ndërsa në qarkullim janë edhe rreth 1.9 milionë kartela celulari.

Por, profesorin në pension, as celulari e as interneti nuk e ekzaltojnë, aq më tepër kur thotë të shohë si dhe sa përdoren e keqpërdoren. Për ta parë tërë hendekun sugjeron të shikohen shtëpi që vlejnë miliona, në të cilat nuk shihet asnjë libër. Prandaj këmbëngul që, në vend se të shërbejnë për të avancuar mësimin dhe për të ngritur cilësinë, teknologjitë e reja përdoren për qëllime të kundërta.

“Kjo nuk do të thotë se unë këto nuk i llogaris si arritje të mëdha dhe si diçka më se e domosdoshme për njerëzit e sotëm. Personalisht, internetin e shfrytëzoj por jo tepër, për arsye që lidhen me moshën, me mënyrën e edukimit, mënyrën e punës etj., por edhe për shkak të një perceptimi personal se ai nuk është i pashmangshëm ose gjithçka”, thotë Gruda. “Thjesht, për mua këto janë mjete të fuqishme të informimit, por edhe dezinformimit, burim i njohurive, por edhe i plasmanit të gjithçkaje që është vlerë, por edhe antivlerë, për të mos thënë të diçkaje që i kontaminon mjedisin, shoqërinë dhe mendjet e njerëzve”. Forma e komunikimit dhe kanalet e informimit kanë pësuar ndryshime me themel në shekullin e ri. Celulari thuajse i ka zëvendësuar tashmë kompjuterët dhe, nga një mjet komunikimi, është kthyer në një mekanizëm që të udhëheq drejt virtualitetit. Tani, ai përbën “drogë teknologjike”.

E shfrytëzon edhe për qëllime sociale, edhe për qëllime politike, edhe për biznes, edhe për argëtim. Edhe për punë akademike, po kështu. Të rralla janë personalitetet që janë imunë ndaj varësisë prej celularit. Përpos profesor Grudës, është edhe një shkencëtar shqiptar me nam që po kështu nuk mban celular. Është Mentor Petrela, një nga 100 neurokirurgët më të mirë në botë. Ai ua ndalon edhe pacientëve përdorimin e tij, sapo të hyjnë në ambientet e spitalit, duke vendosur kështu një rregull të zbatuar gjerësisht në botë. Petrela mund të kontaktohet vetëm në telefonin fiks të shtëpisë, apo edhe të zyrës. Po kështu edhe profesor Gruda. Me këtë të fundit, takim caktuam nëpërmjet telefonit të shtëpisë. Dhe, me sugjerim të tij, si pikëtakim u caktua një stendë librash përballë shtatores së Zahir Pajazitit, që ndodhet në sheshin qendror të kryeqytetit. Me mburrje e entuziazëm thotë se nuk ndien varshmëri nga teknologjitë e reja.

Ai rikujton se popujt më të përparuar i kanë të botuara dhe të ribotuara, disa madje me dhjetëra e qindra herë, krejt ato që janë vepra kapitale dhe që përbëjnë trashëgiminë fetare, sikur janë Bibla e Kurani, apo filozofike, si veprat e Platonit, Aristotelit, Kantit, Hegelit, Marksit, Leninit etj., e edhe veprat letrare, si ato të Homerit, Firdusit, Aligierit, Shekspirit, Tolstojit, Draizerit, Markesit etj. Pastaj veprat e historianëve, politologëve dhe burrështetasve, si Herodoti, Cezari, Makiaveli, Shpengleri, Laski, Çerçilli, Nehrui etj.

“Shumë nga këto madje i kam në disa gjuhë. Nuk më mungon gjë. Kjo vlen edhe për vepra të interesit të veçantë profesional, si ato të Grotiusit, Vattelit, Fiores Oppenheimit, Rousseauit, Acciolyt, Andrassyt, Verdrossit, Hydes etj., librat e të cilëve gati të gjitha i kam në bibliotekë private; i kam studiuar dhe i lexoj më me kënaqësi si të këtilla sesa në ekran kompjuterik, edhe po qe se janë; dhe në të cilat shpeshherë bëj nënvizime ose në ndonjë mënyrë tjetër markoj pjesët që më interesojnë posaçërisht”, thotë profesor Gruda. “Këto personalisht i preferoj më shumë se ato që ofrojnë teknologjitë e reja, sado që sigurimi i tyre është më i vështirë, më i shtrenjtë, vendi për mbajtje më i madh, mundësia për bartje më e rëndë etj.”

Ka një bibliotekë të pasur në banesën ku jeton. Për bindjen e tij, asnjë bibliotekë nacionale në rajon nuk është më e pasur sesa e tija me botime nga e drejta ndërkombëtare. Botime të vjetra e të reja. Bibliotekat janë ato që kanë pësuar rëndë nga teknologjitë e reja. Studiuesja Etleva Domi, në kumtesën “Bibliografia kombëtare – interneti – kujtesa kombëtare”, ka shtruar nevojën që institucionet bibliotekare ta zënë hapin. Studimin e saj e ka shpalosur këtë muaj në Prishtinë, në edicionin e dhjetë të Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë, dhe ka shprehur drojën se bibliografitë do “të vriten” nga interneti.

“Punimet e edicionit të 10-të të kësaj konference zhvillohen në një kohë kur, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, bibliotekarët, bibliografët, specialistët e teknologjive të reja dhe të komunikimit, të përfshirë nga zhvillimet e vrullshme të pashmangshme teknologjike, po diskutojnë gjithnjë e më shumë për implementimin e risive teknologjike në shërbimet bibliotekare për mbledhje dhe regjistrim të trashëgimisë kombëtare në çfarëdo lloj forme”, ka thënë Domi. “Me këtë problem nuk po përballet vetëm shoqëria kosovare, por edhe ato në mbarë botën”.

Së fundmi, një institut britanik që nxjerr statistikat në lidhje me botimet dhe leximin ka konstatuar se në Britaninë e Madhe vetëm për një vit janë mbyllur 100 biblioteka. Por, a mbeten libri dhe revistat shkencore në formatin e shtypur si burime të vetme shkencore që i konsulton profesor Gruda dhe si ai mbërrin të ketë qasje në botimet e reja që trajtojnë aspekte me rëndësi të fushës së tij të interesit? Gjatë kohës së shkollimit, kur është formuar dhe kur ka mbajtur mësim e është marrë me punë shkencore, libri dhe revistat shkencore kanë qenë burimet e vetme.

Thotë të kenë mjaftuar ato, ngaqë, në parim, ishin botuar libra të mirë dhe të vlefshëm, falë autorëve seriozë, por edhe falë mekanizmave kontrollues: shtëpive serioze botuese, këshillave botues, recensioneve e të tjerë, të cilët kanë garantuar se nuk botohet çfarëdo qoftë. Sipas tij, kësaj i ka shkuar në favor edhe fakti se shteti dhe institucionet kanë pasur qëndrim shumë të mirë ndaj librit. Për ilustrim ka përmendur faktin se në fillim të viteve gjashtëdhjetë, Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës ishte i parapaguar në gjashtë-shtatë revistat juridike më të mira në botë, nga SHBA-ja, BRSS-ja, Franca, Mbretëria e Bashkuar e të tjera, por edhe në revista që botoheshin në hapësirën e ish-Jugosllavisë.

“Tashti shkoni dhe pyetini sa libra ka blerë fakulteti, dhe jo vetëm ky, për 15 vjetët e fundit, sa revista nga jashtë marrin sot, por edhe ku janë ato të blera atëherë”, sfidon Gruda. “Dhe, si kulm i krejt kësaj është diçka që mua më ka ndodhur, që nuk kam mund ta bind një institucion bibliotekist të marrë si dhuratë disa qindra libra, të gjitha botime të reja në gjuhën angleze, sikurse nuk kam mundur të siguroj afro 1.600 euro për blerjen e më se 600 titujve për një institut që e ka titullin ‘për kërkime shkencore’, për shkak se ndryshe nga më përpara, shoqëria, shteti dhe institucionet ndajnë mjete minimale për libra, ose nuk ndajnë fare”.

Sipas vlerësimit të këtij profesori të së drejtës ndërkombëtare, pjesa më e madhe e botimeve tashti bëhen pa respektimin e asnjë kriteri elementar; recensionet shpeshherë i shkruajnë personat totalisht inkompetentë, e në promovime flasin personat që madje as që e kanë lexuar veprën që promovohet. Prandaj thotë se të rinjtë, edhe po të donin, më nuk i kanë në dispozicion ato që më parë ekzistonin.

“Në mungesë të kësaj, atyre s’u mbetet tjetër pos të shfrytëzojnë ato që munden dhe ku kanë qasje. Kështu, interneti, në vend që të shërbejë për t’i plotësuar informatat, bëhet burimi i vetëm. Natyrisht, kjo u pëlqen disave, sepse siguron qasje më të lehtë dhe më të shpejtë, kursen mjetet dhe kohën, por edhe lehtëson shfrytëzimin e pse jo edhe kopjimin”, thumbon profesori Zejnullah Gruda. “Prandaj, s’mund të jem i ekzaltuar dhe të meditoj si një ‘ekzistencialist’”.