Kulturë

Vihet gurthemeli i monumentit që përkujton Pranverën Shqiptare të 81-s

Ajo që filloi dyzet vjet më parë si përplasje e thyerje enësh në Mensën e Studentëve në Prishtinë do të përshkallëzohej në demonostrata të gjera në të gjitha qytetet e Kosovës.

Në 40-vjetorin e këtyre ngjarjeve historike, Këshilli Organizues “Pranvera Shqiptare 81” të enjten paradite ka vënë gurthemelin e monumentit që përkujton revoltën studentore ku u zëruan kërkesat për Kosovën Republikë.

Në emër të Këshillit Organizues, Xhevat Bislimi ka thënë se dyzet vjet më parë ndodhën veprime kryengritëse që u bën “shkëndija e zjarrit” për bashkimin kombëtar.

Hydajet Hyseni nga Shoqata e ish të Burgosurve Politikë ka thënë se “Pranvera shqptare” poiI bën bashkë njerëzit edhe në një gjendje të pazakontë të pandemisë.

“Na bashkoi edhe ndryshimi i motit që në mënyrë simbolike sjell klimën e para dyzet viteve kur përfundoi dimri i acarit dhe erdhi pranvera e armëve”, ka thënë Hyseni.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka vlerësuar se demonstratat e vitit 1981 janë një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare.

“Këto protesta janë baza e shtetit të Kosovës, por edhe shenjë e një populli që tregoi se po jetonte””, ka thënë kryetari Ahmeti teksa ka shtuar se është nder që kryeqyteti do të ketë një memorial të tillë. Nga Maqedonia e Veriut kishte ardhur edhe kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës, Fazli Veliu, i cili ka përkujtuar angazhimin e grupeve ilegale, përfshirë edhe të studentëve nga trevat shqiptare në Maqedoni.

“Djemtë dhe vajzat e Kosovës e treguan heroizmin e tyre që nga Ylfete Humolli e deri te Hyrë Emini”, ka thënë Fazliu.

Në emër të studentëve të asaj kohe, Ramadan Gashi ka thënë se marsi është një muaj i festave të mëdha për arritjen në fushën e të drejtave kombëtare. “Demonstratat e 81-s ishin shkëndija e paralajmërimit të shembjes së perandorisë së sllavëve të jugut”, ka thënë Gashi.

Aktiviteti ka vazhduar me hapjen e ekspozitës “Vullkani i Republikës” të organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës. Në të janë shpalosur për herë të parë fotografi origjinale, aktakuza, dokumente të kohës si dhe copëza gazetash legale e ilegale. Aktiviteti është përmbyllur me organizimin e një Tryeze për 11 marsin brenda mjediseve të Mensës së Studentëve si dhe është bërë përurimi i librit të Jonuz Jonuzajt “Ngritja e Historisë”.