Kulturë

Një bibliotekë sekrete e kohës së luftës

Gjithçka filloi me një fotografi të postuar në Facebook në llogarinë “Humans of Syria” në vitin 2015 – një imazh i dy djemve të rinj duke qëndruar në një dhomë pa dritare, të rrethuar prej grumbullit të librave. Përshkrimi qe: “Libraria sekrete e Darayas”. Kur e pa këtë, gazetarja që vepron në Stamboll, Delphine Minoui, është prekur nga pamja e kësaj “paranteze të brishtë në mes të luftës: Kush ishin këta djem të rinj? Çfarë po kërkonin?”

Në vitin 2021 Daraya, 8 kilometra larg Damaskut, filloi të pushtohet nga forcat qeveritare siriane. Brenda katër vjetëve si në ferr, 40 sirianë të rinj nisën një projekt të mrekullueshëm, shpëtimin e të gjithë librave që ata mund të gjenin në rrënojat e qytetit të tyre të bombarduar.

Kishte diçka tërheqëse në lidhje me këtë ide të vetëdijshme si një mburojë kundër forcave brutale, dhe është një ide e cila menjëherë rezonoi te Minoui. “Libraria është fortesa e tyre e fshehtë kundër bombave”, shkruan ajo. “Librat janë arma e tyre e shkatërrimit të masave”.

Minoui ra në kontakt me Ahmad Muaddamanin, fotografi prapa imazhit të Facebookut dhe një nga themeluesit e librarisë. Daraya është ende e pushtuar kështu që intervista u bë online: disa nga imazhet me mahnitëse përshkruajnë lidhje e internetit. “Imazhi i tij zgjat dhe deformohet si një portret i Picassos”, ka shkruar ajo për thirrjen e tyre të parë përmes “Skype”. Më vonë, “kurdo që humb lidhja për shkak të një eksplodimi tjetër, zëri i tij vjen, lëkundet dhe fillon, duke mbushur tavolinën time në Stamboll me fjalë të palidhura”.

Minoui, e cila është franceze dhe iraniane, ka fituar çmime për raportimin e saj nga Lindja e Mesme, por për këtë rrëfim ajo nuk ka mundësi që të udhëtojë në Siri. “Si mund të përshkruash diçka që nuk e ke parë, diçka që nuk e ke përjetuar”, pyet ajo. E kompenson mungesën e qasjes në terren me vëmendje dhe ndjeshmëri.

Dhe herë pas here, lufta fillon që të mos duket edhe aq larg. Në nëntor të vitit 2015, Minoui e gjen veten duke thirrur me nxitim shokët dhe familjen e saj në Paris pasi që mëson për sulmin në sallën koncertale në Bataclan dhe në stadiumin “State de France”. Ajo është tronditur me të kuptuar se “dhuna ka arritur qytetin e saj”, dhe “streha e pamposhtur, ku unë shkoj të rimbushem midis detyrave të vështira për të mbuluar luftërat, revolucionet dhe krizat politike. Papritmas, linjat janë mjegulluar”. Pastaj, një mëngjes në Stamboll, ndërsa Minoui dhe vajza e saj katërvjeçare Samarra ishin rrugës së tyre për seancën javore për histori në Institutin Francez, një bombardues vetëvrasës shpërthen një bombë pak para hyrjes së Institutit. Minoui tërheq Samarrën brenda, duke kërkuar strehë midis librave. Simetria është e çuditshme.

Pas shumë muajve bisedë me Muaddamanin dhe shokët e tij, mendimi fillestar i Minouit – se librat u ofrojnë një ikje shpirtërore – është konfirmuar. Para revolucionit, Muaddamani studioi inxhinieri, i pëlqente të luante futboll dhe kishte pak kohë për të lexuar. Lufta i ndryshoi gjithçka. “Librat janë mënyra jonë për të kompensuar kohën e humbur, për të zhdukur injorancën”, thotë bashkëdrejtori i bibliotekës Abu el-Ezz.

Daraya kurrë nuk pati një bibliotekë publike nën Bashar al-Assad, kështu që shpëtimi i literaturës ishte gjithashtu një akt politik dhe qytetar. Pasi librat e parë u gjetën në rrënojat e një shtëpie të shkatërruar, dhjetëra vullnetarë dhanë për të më shumë tituj. Brenda disa javësh biblioteka mburrej me 15 mijë tituj. Bibliotekarët gjithmonë u kujdesën të shkruanin emrin e pronarit në faqen e parë të librit; ata nuk e përjashtojnë mundësinë që dikush, një ditë, mund të kthehet për t'i kërkuar librat.

Titujt më të njohur variojnë nga librat e Tony Robbins dhe Stephen Covey te klasikët arabë siç është “Kitāb al-’Ibar” (Libri i mësimeve) nga historiani tunizian i shekullit 14, Ibn Khaldun, ose vargjet romantike të poetit sirian Nizar Qabbani. Biblioteka bëhet gjithashtu një vendtakim – për mësimet e anglishtes, për ligjërata dhe debate rreth demokracisë dhe revolucionit, dhe herë pas here, për vallëzime dhe shfaqje filmash. Është një barrikadë jetike për këta të rinj revolucionarë, por jo e padepërtueshme. Kur rrethimi intensifikohet, bunkeri i librit sulmohet. WiFi-ja bëhet gjë e rrallë, thirrjet e gjata të Minoui reduktohen në tentim për të dërguar mesazhe në “WhatsApp” dhe ajo fillon të dallojë humbjen dhe depresionin tek të rinjtë.

Gjërat arritën pikën më të ulët në verën e vitit 2016, kur regjimi i Asadit përshkallëzoi sulmin e tij. Një koleksionist i librave vritet dhe të tjerët ikën pasi helikopterët e regjimit hodhën napalm në Daraya, në gusht. Nuk është historia që këta burra e parashikuan, ose ajo që Minoui u nis për të treguar. “Pse të shkruaj? Për çfarë përfundimi?”, pyet ajo. “Sikur të mund të parashikoj se çfarë ndodh më pas, duke shpresuar që do të jetë tragjedia e fundit, dhe pas disa ngjarjeve të lumtura, të vijë fundi”. Por jo të gjitha tregimet kanë një fund të lumtur, por ne kemi nevojë për të gjitha njësoj.

Libri “The Book Collectors of Daraya” i Delphine Minoui, përkthyer nga Lara Vergnaud, është botuar nga “Picador”.

Përktheu: Alberina Haxhijaj