Kulturë

“Pa mua” nga Shkurtë Aliu dhe Alban Beqiraj portretizon përmes artit gruan shqiptare

Descriptive Text

Shfaqja “Pa mua” e ardhur si një ‘diptych’ teatror në Teatrin Kombëtar të Kosovës, nën regjinë e Shkurtë Aliut në pjesën e parë dhe të Alban Beqirajt në pjesën e dytë, ishte një pasqyrim artistik individual e pastaj edhe social i gruas, të cilën shoqëria e shtyp, e dhunon dhe e bën të heshtur.

Gruaja, zëri i së cilës u dëgjua vetëm kur qau më momentin e parë që erdhi në këtë botë, nuk mund të flas deri në të 70-tat, teksa të vetmen zbrazje të brendisë e gjen tek makina e shkrimit. Roli i luajtur nga Donikë Ahmeti, zbriti aktualitetin shqiptar përpara publikut artdashës, duke portretizuar gjithë barrën fizike e psikike që gruaja detyrohet ta durojë.

Në anën tjetër, në pjesën e dytë të shfaqjes aktorët Afrim Muçaj, Labinot Raci dhe Rajmonda Ahmetaj interpretojnë infermieren, mësuesen dhe varrmihësin e saj. Duke jetësuar nëpërmjet roleve artistike prizmin social, ata konkludojnë se uria më e madhe e gruas në fjalë ka qenë të shprehurit dhe të dëgjuarit nga dikush.

I pranishëm në këtë shfaqje ishte edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili çmoi përgatitjen dhe tematikën e kësaj pjese teatrale.

“Realizimi i këtyre dy shfaqjeve të së njëjtës dramë të bazuar në njërën prej kryeveprave të nobelistit irlandez Samuel Beckett, ishin mbresëlënëse me aktrimin dhe me gjetjet regjisoriale në kushtet kur drama është shumë abstrakte por në të njëjtën kohë depërton në thellësinë e problemeve siç janë kujtesa, trauma, identiteti etj.... zëri i njeriut ndodhet mes shprehjes racionale të tij dhe klithmës ekzistenciale”, tha Kurti për KOHA-n.

Tutje, kandidati për kryeministër e vlerësoi shfaqjen si të mirë dhe tha se papunësia dhe varfëria janë faktorë të shfaqjes së dhunës. Kurti theksoi se në vendin tonë 1 në 8 të punësuar është një grua, teksa shtoi se papunësia e tyre është më shumë strukturore, sesa ciklike.

“Andaj, me programin tonë që ne e kemi shpalosur gjatë fushatës elektorale e që do ta shndërrojmë në program qeveritar, synojmë ta ndryshojmë. Duam që grave t’u japim përparësi, në punësim dhe në të gjitha sferat e ekonomisë, por duke i inkurajuar ato qysh prej shkollimit, sidomos studimeve, ku ne kemi paraparë 2.000 bursa për vajzat studente, e në veçanti nëse studiojnë shkencat natyrore dhe teknike. Në këtë mënyrë, diskriminimi që e kanë në shoqëri do të tejkalohet me përparësitë që u japin institucionet”, premtoi Kurti.

Në anën tjetër ai përmendi se vajzat dhe gratë e Kosovës janë duke korrur më shumë suksese sesa burrat dhe djemtë në shumicën e fushave dhe se nuk beson në barazi shoqërore pa barazi gjinore.

“Është e nevojshme që solidariteti gjinor të institucionalizohet nëpër të gjitha organizatat e shoqatat e ndryshme jo vetëm të shtetit. Në anën tjetër duhet t’i emancipojmë burrat sepse unë besoj që gratë nuk vuajnë nga mungesa e emancipimit por kemi nevojë t’i emancipojmë burrat në raport me gratë dhe kësisoji, ta realizojmë barazinë”, tha Albin Kurti.

Regjisorja e shfaqjes së parë, Shkurtë Aliu beson se teksti i shkruar nga Samuel Beckett është aktual për shoqërinë shqiptare.

“Jam munduar që përmes pjesës së çmendisë, ta përshkruaj pak atë pjesën se si përfundojnë tek ne shumë gra. Pra është kjo pjesa ku unë paraqes përpjekjet e shumë grave që lajmërojnë policinë, paraqesin rastin nëpër gjykata, por nuk kanë përgjigje kurrë, nuk marrin zgjidhje të problemit kurrë derisa të përfundojnë ndoshta edhe në fatalitet, deri në vrasjen e tyre”, tha Aliu.

Sipas saj, vet heshtja e aktores ka dhënë mesazhin e synuar.

Regjisori tjetër, Alban Beqiraj thotë se ideja e realizimit të një diptychi teatror ka lindur nga bordi i TKK-së.

“Në bashkëpunim me Shkurten e kemi diskutuar materien, përderisa ajo e ka trajtuar materien origjinale, një pjese të vogël i kemi ngelur besnik. Mirëpo, pjesa më e madhe është adaptim dramaturgjik i realizuar prej autorit Ilir Azizaj i cili ka ruajtur elementet bazë të Beckettit. Megjithatë ngjarja që trajton Becketti vjen e përshtatur me realitetin tonë social dhe politik”, u shpreh regjisori Beqiraj.