Kulturë

Orkestra e Filharmonisë me tjetër nivel në Shkup shkaku i kushteve ideale

Për dallim nga Prishtina, ku publiku ishte i ulur në të katër anët e Sallës së Kuqe – me disa veta që qëndronin prapa instrumentistëve – publiku në Shkup ishte i gjithë përballë Orkestrës, i rehatuar e në distancë për shkak të pandemisë. Koncerti ishte i veçantë dhe kapte tri periudha të ndryshme. Ishte përzgjedhur me kujdes pasi që ishte punuar për të funksionuar pa pasur dirigjent. E në mungesë të tij, njëlloj si në Prishtinë, ishte violinisti Visar Kuçi, ai që u dha shenjë harkorëve për të nisur koncertin

Një përjetim i veçantë, gjatë të cilit dallohen qartë ngjyrat e tingujve. Një kënaqësi e dyanshme si për interpretuesit ashtu edhe për publikun. I tillë ishte koncerti i së shtunës mbrëma i Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës në sallën kryesore të Filharmonisë së Shkupit. Instrumentistët pa sforcime luanin notat të cilat lehtësisht arrinin te publiku. Interpretimi u vlerësua lart nga publiku, që theksoi që Kosova ka një Orkestër me një tingull të rafinuar. Programin e njëjtë, Orkestra Harkore e kishte luajtur më 3 mars në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, sidoqoftë akustika në Prishtinë ishte larg perfeksionizmit të së shtunës në Shkup.

Për dallim nga Prishtina, ku publiku ishte i ulur në të katër anët e Sallës së Kuqe – me disa veta që qëndronin prapa instrumentistëve – publiku në Shkup ishte i gjithë përballë Orkestrës, i rehatuar e në distancë për shkak të pandemisë. Koncerti ishte i veçantë dhe kapte tri periudha të ndryshme. Ishte përzgjedhur me kujdes pasi që ishte punuar për të funksionuar pa pasur dirigjent. E në mungesë të tij, njëlloj si në Prishtinë, ishte violinisti Visar Kuçi ai që u dha shenjë harkorëve për të nisur interpretimin e veprës “Serenatë për harqe në e-mol, Op. 20” të kompozitorit anglez autodidaktit, Edward Elgar.

Kompozimi i autodidaktit theksoi që në fillim një interpretim të shkëlqyer nga harkorët e Filharmonisë që kishin kthyer sytë nga koncert-mjeshtri Visar Kuçi. Për këtë të fundit, koncerti ishte një përjetim i bukur, i përbashkët në mes të publikut dhe instrumentistëve.

“Kemi pasur kënaqësi gjatë performancës dhe kjo është vërejtur edhe në fytyrat e gjithë orkestrës”, ka thënë ai. Sipas tij, koncerti në Shkup ishte ndryshe me atë në Prishtinë për shumë arsye.

“Por, arsyeja kryesore është akustika dhe interpretimi në një sallë tjetër. Për shumë momente ka qenë shumë më mirë për neve dhe shumë më lehtë, por ndonjëherë ka pasur edhe vështirësi pasi që jemi mësuar që të luajmë në një sallë komplet tjetër që nuk ka akustikë fare e këtu funksionon krejtësisht ndryshe dhe brenda një prove të shkurtër një orëshe është dashur që të adaptohemi”, ka thënë Kuqi.

Pas kompozitorit anglez, Edward Elgard, dhe veprës së qetë që ai e kompozoi në vitet e hershme të karrierës, koncerti vazhdoi me veprën “Koncert për piano dhe orkestër Op. 40” të kompozitorit H. M. Gorecki, që ishte një nga fytyrat kryesore të avangardës polake. Vepra kërkoi goxha angazhim, si nga harkorët ashtu edhe nga pianisti Misbah Kaçamaku. Sidoqoftë, asnjëra nuk e zhgënjeu publikun.

Jovan Karovski, profesor i pianos në Fakultetin e Muzikës në Universitetin “Shën Çirili dhe Metodi” në Shkup, e ka vlerësuar lart interpretimin e Kaçamakut që ishte në sinkronizim të plotë me harkorët.

“Përzgjedhje e shkëlqyeshme e programit. Pianisti solist, Misbah Kaçamaku, ishte shumë i mirë. Orkestra ka një tingull të rafinuar dhe fisnik. Orkestër e shkëlqyer”, ka thënë Karovski.

Kaçamaku qe një kohë të gjatë e kishte pasur synim t’i ekzekutonte notat nga partitura, e cila ishte porositur në Poloni para një dekade.

“Kush do ta kishte menduar se pas dhjetë vjetëve do ta luaj këtë vepër”, ka thëne Kaçamaku, i cili është ligjërues në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

Vepra moderne, minimaliste, e që ka shumë përsëritje sa ishte e vështirë për instrumentistët, aq ishte edhe interesante për publikun. Ajo i shtoi dinamizmin koncertit që nisi me klasicizmin dhe përmes kësaj vepre kaloi te muzika klasike me ngjyrim bashkëkohor.

Për pianistin Misbah Kaçamaku kjo ishte hera e parë që ai luante një vepër të tillë kaq moderne në piano shoqëruar nga Orkestra.

“Këtu ka qenë ndjenja më e mirë, më e plotë, më sfiduese, por Prishtina e ka pasur kënaqësinë tjetër pasi që vepra si vepër është dhënë premierë në Prishtinë. Pra, të dyja e kanë pasur atë vlerën e vet”, ka thënë ai. Sidoqoftë, ka shtuar se hapësirat interpretative nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën.

Në fund të koncertit vëmendja u kthye te harkorët përmes veprës “Holberg Suite Op. 40” të kompozitorit norvegjez, Edvard Grieg, një nga emrat më me nam të periudhës romantike. Një vepër e kompozuar në origjinal për piano, por që vite më vonë u adaptua nga vetë kompozitori për një orkestër harqesh. Loja e harkorëve, të cilët përmbyllën koncertin me romantizëm, i la më së shumti mbresa violinistes Sihana Badivuku.

Për Badivukun që shpesh i bashkohet Filharmonisë së Kosovës edhe vetë si instrumentiste, interpretimi ishte një reflektim i rritjes së Filharmonisë së Kosovës.

“Kemi parë një tingull aq të kultivuar, frazim të unifikuar dhe ishim duke biseduar edhe me disa kolegë nga Shkupi të cilët thanë se po shihet shkolla e jashtëzakonshme e secilit sektor. Me të vërtetë ne duhet të mburremi me këtë institucion”, ka thënë ajo. Ka shtuar se si pedagoge i është bërë zemra mal kur pa disa nga studentët e saj, përfshirë edhe koncert-mjeshtrin Kuçi, duke luajtur me aq profesionalizëm.

Badivuku ka thënë se ka mbetur me shpresë që pandemia të kalojë më shpejt dhe koncertet e tilla të mbahen me më shumë publik, pa vendosjen e maskave dhe distanca mes instrumentistëve të mos jetë e nevojshme. Sigurisht, shtoi edhe nevojën e një salle të denjë edhe në Prishtinë ku instrumentistët mund të performojnë duke pasur të njëjtin nivel të akustikës sikurse në Shkup. E kjo kërkesë përsëritet tash e më shumë se 20 vjet prej kur nisi punën Filharmonia e Kosovës.