Kulturë

Orkestra Harkore dhe pianisti Kaçamaku mjeshtërisht nëpër tri epoka

Nisi me klasicizmin dhe kaloi te muzika bashkëkohore klasike për t’u ndalur pastaj te romantizmi. E gjitha u përmblodh në mënyrë të shkëlqyer nga harkorët e Filharmonisë që kanë kthyer sytë nga koncert-mjeshtri Visar Kuçi. Mbrëmjes padyshim i dha dinamikë pianisti Misbah Kaçamaku, që mbetet një nga pianistët më të mirë në vend. “Koncerti për piano dhe orkestër harqesh” e Goreckit, qe një nga pikat kulmore

Prishtinë, 4 mars – Programi i koncertit të fundit të Filharmonisë së Kosovës ishte i tillë që nëpërmjet tri veprave të përzgjedhura e dërgoi publikun në tri epoka plotësisht të ndryshme muzikore.

Të mërkurën mbrëma në Sallën e Kuqe, Orkestra Harkore e nisi mbrëmjen me klasicizmin dhe kaloi te muzika bashkëkohore klasike për t’u ndalur pastaj te romantizmi. E gjitha u përmblodh në mënyrë të shkëlqyer nga harkorët e Filharmonisë që kanë kthyer sytë nga koncert-mjeshtri Visar Kuçi. Mbrëmjes padyshim i dha dinamikë pianisti Misbah Kaçamaku, që mbetet një nga pianistët më të mirë në vend. Publiku i ulur në të katër anët e Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë pati mundësi t’i dëgjojë tri premiera.

Në koncertin e luajtur pa dirigjent, ishte violinisti Visar Kuçi ai që u dha shenjë harkorëve për të nisur interpretimin e veprës “Serenatë për harqe në e-mol, Op. 20” të kompozitorit anglez autodidakt Edward Elgar. Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës e nisi koncertin qetë me kompozitorin që për muzikën e tij nuk u frymëzua nga Anglia, por nga Evropa kontinentale pasi që e konsideronte veten si të jashtëm jo vetëm muzikalisht, por edhe në aspektin social. “Serenatën për harqe në e-mol, Op. 20”, e kompozoi në vitet e hershme të karrierës.

Image
Në koncertin e luajtur pa dirigjent, ishte violinisti Visar Kuçi ai që u dha shenjë harkorëve për të nisur interpretimin e veprës “Serenatë për harqe në e-mol, Op. 20” të kompozitorit anglez autodidakt Edward Elgar

Violinisti Visar Kuçi ka numëruar disa arsye që e bëjnë koncertin të veçantë.

“Së pari orkestra përbëhej vetëm nga harkorët e Filharmonisë dhe koncerti u realizua pa dirigjent, së dyti u realizua një program shumë i veçantë me vepra të tre kompozitorëve të ndryshëm ku për mua vlen të veçohet ‘Koncerti për piano dhe orkestër harqesh’ i kompozitorit polak H. M. Gorecki, i interpretuar në mënyrë brilante nga pianisti ynë, Misbah Kaçamaku”, ka thënë Kuçi. Ka shtuar se në rend të tretë është mundësia për të realizuar një koncert me publik në sallë në këtë kohë kaq të vështirë për krejt botën. Koncerti është mbajtur duke respektuar masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Anëtarët e Orkestrës, ashtu sikurse edhe publiku, kanë qëndruar në distancë e me maska gjatë gjithë kohës. Edhe formacioni i Orkestrës është parë si përshtatje ndaj situatës nga ana e Filharmonisë.

Një koncert në të cilin do të ishte solist, pianisti Misbah Kaçamaku e ka pasur ndërmend kaherë. Për të ka përzgjedhur veprën “Koncert për piano dhe orkestër Op. 40” të Goreckit, që ishte një nga fytyrat kryesore të avangardës polake. Kaçamaku arriti të jetësonte një synim dhe këtë duke ekzekutuar notat nga partitura, e cila ishte porositur në Poloni para një dekade.

“Unë, padyshim, përjetoj kënaqësi të veçantë sa herë që luaj me orkestrën simfonike të Filharmonisë së Kosovës, në këtë rast orkestrën harkore të këtij institucioni. Programi i zgjedhur për këtë koncert nuk ishte i zakonshëm, dhe kjo e bëri edhe më të veçantë atë”, ka thënë ai. Ka theksuar se salla koncertale është një nevojë imediate e këtij komuniteti që duhet të realizohet sa më shpejt.

Vepra kërkoi goxha angazhim, si nga pianisti ashtu edhe nga Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës. Sidoqoftë, asnjëra nuk e zhgënjeu publikun. Kaçamaku, i cili është ligjërues në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ishte në sinkronizim të plotë me harkorët e që së bashku zbërthyen një komunikim nëpërmjet notave muzikore. Misbah Kaçamaku nga shkolla ruse, akademia e muzikës “Gnjesinih”, vazhdoi udhëtimin e tij edukativ të specializimit në Konservatorin “Joseph Haydn” në Eisenstadt të Austrisë. Studimet postdiplomike i kreu në Fakultetin e Artit Muzikor në Shkup ku dhe përfundoi studimet e doktoratës.

Image
“Padyshim, përjetoj kënaqësi të veçantë sa herë që luaj me orkestrën simfonike të Filharmonisë së Kosovës, në këtë rast orkestrën harkore të këtij institucioni”, ka thënë pianisti Misbah Kaçamaku

Muzikologia Rreze Kryeziu ka thënë se një kontribut të veçantë dhe të rëndësishëm në zhvillimin e muzikës artistike në Kosovë kanë padyshim performuesit e saj.

“Kushtet socio-ekonomike vazhdojnë t’i privojnë ata në kuptimin e zhvillimit dinjitoz kulturor. Kjo, megjithatë, nuk i ndaloi ta ‘thyejnë akullin’ dhe të depërtojnë e të jetësojnë profesionin e tyre. Këtë shije më la koncerti”, ka thënë ajo. Ka theksuar se ishte një program atraktiv i sjellë me sukses nga Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e shkëlqyeshëm të koncert-mjeshtrit Visar Kuçi.

Theksoi edhe performancën e sjellë nga pianisti e pedagogu i dëshmuar Misbah Kaçamaku.

“Koncerti për piano dhe orkestër (në origjinal për hapsikord dhe orkestër) nga kompozitori polak Henry Gorecki, është nga ato vepra e cila ka ngjallur shumë kritika që nga koha kur është shfaqur. Një bashkëdyzim fantastik i nacionales (polake) me idenë origjinale muzikore ‘reduksioniste’ të Goreckit, të jep përshtypjen e një koncerti të lehtë për t’u shijuar e dëgjuar, por na e shfaq të kundërtën në teknikën interpretuese. Mendoj fuqishëm që ideja, qëllimi kryesor i vetë kompozitorit është sjellë/transmetuar tërësisht nga solisti”, ka thënë ajo duke theksuar përsëri se Filharmonia ka nevojë për sallë.

Gjatë interpretimit të veprës së tretë, vëmendja u kthye përsëri te harkorët. Koncerti u përmbyll me “Holberg Suite Op. 40” të kompozitorit norvegjez, Edvard Grieg, një nga emrat më me nam të periudhës romantike. Një vepër e kompozuar në origjinal për piano, por që vite më vonë u adaptua nga vetë kompozitori për një orkestër harkorësh.

Për sopranon Besa Llugiqi koncerti ishte i jashtëzakonshëm dhe muzika e krijuar gjatë koncertit sikur të dërgonte prapa në kohë, para pandemisë kur gjërat ishin normale.

“Një atmosferë shumë e këndshme, një program i përzgjedhur me shumë kujdes. Duhet të theksoj se puna që ka bërë violinisti Visar Kuçi është e jashtëzakonshme në një kohë të tillë me gjithë ata instrumentistë që tingëllonin kompakt jashtëzakonisht shumë bukur”, ka thënë ajo. Ka veçuar performancën e pianistit Kaçamaku. “Një interpretim shumë i ndjeshëm dhe jashtëzakonisht shumë i bukur i një kompozitori si Gorecki”, ka thënë ajo.

Koncerti me të njëjtin program do të mbahet edhe të shtunën në Filarmoninë e Maqedonisë – Salla e koncerteve në Shkup.