Kulturë

Kosova e Shqipëria bashkë për fjalor, enciklopedi e histori të shqiptarëve

Nën organizimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe asaj në Kosovë, resurset akademike në të dyja shtetet shqiptare synojnë t’i bashkojnë forcat në hartimin e “Enciklopedisë shqiptare”, “Fjalorit të madh të shqipes”, si dhe “Historisë së shqiptarëve”. Të tri këto projekte pritet të jenë ndërmarrja e parë e bashkuar që do të zëvendësojë “Fjalorin e sotëm të gjuhës shqipe” (1980), “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (1985), si dhe “Historinë e Popullit Shqiptar” (2002, 2007 dhe 2009)

Rreth 50 mijë fjalë më shumë do t’i ketë fjalori i ri i gjuhës shqipe si projekt i përbashkët i dy institucioneve më të larta akademike në botën shqiptare. “Fjalori i madh i shqipes”, për të cilin është paralajmëruar nisja e punës, është vetëm një nga tri projektet madhore të hedhura në letër nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë dhe simotra e saj në Kosovë - ASHAK. Hartimi i “Enciklopedisë shqiptare”, si dhe “Historisë së shqiptarëve” janë dy ndërmarrjet e tjera kapitale të dy akademive.

Në fakt, drita e gjelbër për këto tri projekte është dhënë në Protokollin e bashkëpunimit mes ASHAK-ut dhe ASHSH-së të nënshkruar më 30 janar të vitit të kaluar.

Po këto zotime janë aktualizuar me rastin e mbledhjes të së hënës të këshillit shkencor të Qendrës së Botimeve Albanologjike e Enciklopedike, si organ drejtues për hartimin e tri veprave madhore albanologjike.

Sipas një njoftimi të lëshuar të mërkurën nga ASHSH-ja, në këtë takim – ku ishin të pranishëm akademikët Emil Lafe, Ilirjan Malollari, Jani Thomai, Valter Memishaj, Pëllumb Xhufi, Neritan Ceka, Dhimitër Haxhimihali dhe Irakli Koçollari – është folur për ngritjen e strukturave kryesore dhe atyre ndihmëse për hartimin e këtyre veprave.

“Ndërsa janë hartuar preventivat orientuese e platformat paraprake në bashkëpunim me përfaqësues të ASA-së, me anëtarë të Asamblesë e të komisioneve e në konsultim me ASHAK-un, si dhe është konfirmuar miratimi i tyre në parim, në takimin e kësaj të hëne u diskutua listimi i tërë stafeve të studiuesve të veprave përkatëse, me synimin që të përgatiten listat e plota të atyre që do të merren me hartimin e tyre”, thuhet në kumtesën e ASHSH-së, në të cilën është përmendur edhe bashkëpunimi me ASHAK-un, si dhe Institutin Albanologjik në Prishtinë.

Kraja: “Bashkëpunimi ndërakademik po hyn në faze të re”

Të mërkurën, KOHA ka provuar të kontaktojë sekretarin shkencor të ASHSH-së, akademik Vasil Tolen, por kontakti me të ka qenë i pamundur sikundër që as pyetjet në adresën elektronike nuk kanë marrë përgjigje.

Ndërkaq në Kosovë, ASHAK është shprehur e vendosur që të mbështesë tri projektet e përbashkëta që janë ideuar të realizohen në faza të ndryshme bashkëpunimi mes dy akademive dhe institucioneve shkencore të të dyja shteteve shqiptare.

Në një prononcim për KOHËN, kreu i institucionit më të lartë akademik të Kosovës, Mehmet Kraja, ka thënë se faza e parë e punës është menduar të jetë hartimi i platformave të përbashkëta për projektet në fjalë.

“ASHAK konsideron se me këto tre projekte bashkëpunimi ndërmjet dy akademive hyn në një fazë të re të nismave dhe ndërmarrjeve të përbashkëta, duke konkretizuar idenë e afrimit më të madh dhe të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe ndërshtetërore në fushën e shkencës dhe të dijes”, ka thënë ai.

Sipas Krajës, kryesia e ASHAK-ut konsideron se tri projektet e propozuara pasqyrojnë një fazë të re të arritjeve në fushën e shkencës shqiptare, “duke bërë depërtime të rëndësishme në fushën e dijes enciklopedike, leksikografike dhe në fushën e studimeve albanologjike”.

Image“ASHAK-u konsideron se me këto tri projekte bashkëpunimi ndërmjet dy akademive hyn në një fazë të re të nismave dhe ndërmarrjeve të përbashkëta, duke konkretizuar idenë e afrimit më të madh dhe të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe ndërshtetërore në fushën e shkencës dhe të dijes”, ka thënë kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja

“Fjalori – shprehësi më i plotë i pasurisë, larmisë dhe bukurisë së shqipes”

Në këtë dritë, “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” po konsiderohet si një nga synimet qendrore që do të përfshijë mbi 100 mijë zëra leksikografikë (90 mijë fjalë dhe mbi 10 mijë njësi frazeologjike).

“Puna e studiuesve synon që të pasqyrojë sa më gjerë leksikun e shqipes me të gjithë përbërësit e tij: fjalë, kuptime, nuanca mbishtresore, lidhje sintagmatike të lira e frazeologjike, lidhje paradigmatike, të dhëna gramatikore, stilistike e të përdorimit, shënime plotësuese dhe etimologjike, etj”, është thënë në njoftimin e fundit të akademisë në Tiranë. “Në aspektin kombëtar Fjalori do të bëhet shprehësi më i plotë i pasurisë, i larmisë, i forcës dhe i bukurisë së gjuhës shqipe, i mundësive që jep ajo për të gjitha fushat e veprimtarisë e të krijimtarisë”.

E fundit vepër me leksikun e shqipes është 41 vjet e moçme: “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (me rreth 41 mijë fjalë)” ishte botuar më 1980 nga Akademia e Shkencave. Ky fjalor me 2.275 faqe ishte hartuar nga Androkli Kostallari e në redaksi kishin marrë pjesë Jani Thomai, Xhevat Lloshi dhe Miço Samara.

“Fjalori i ri u përgjigjet kohës dhe potencialit të shqipes”

Akademik Kraja thotë se projekti për fjalorin e ri është i tillë që u përgjigjet kohës dhe potencialit gjuhësor të shqipes.

Ai ka thënë se ASHAK-u është përpjekur prej kohësh për themelimin e një qendre leksikografike, që do të merret me korpusin e shqipes së shkruar në Kosovë, por që, sipas tij, nuk është funksionalizuar në tërësi për shkaqe buxhetore.

“Megjithatë, materiali i vjelë nga puna leksikografike e ASHAK-ut mund të shërbejë si lëndë në punën e hartimit të ‘Fjalorit të madh të gjuhës shqipe’”, ka thënë Kraja teksa ka shprehur bindjen që ndonëse ky institucion nuk ka leksiografë në përbërjen e vet, ka gjuhëtarë që mund të kontribuojnë për hartimin e fjalorit.

Kurse profesori i fonetikës dhe fonologjisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë, Bardh Rugova, ka thënë se ka dëgjuar vetëm nga mediat për një Fjalor të tillë.

Sipas tij, kjo është një ide e cila nuk është formësuar ende.

“Po më duket se është herët të flitet për të. Është si një çift i ri, i cili ka vendosur të blejë banesë, por ende nuk ka marrë kredi, nuk ka vendosur sa dhoma, ku e kështu me radhë”, ka thënë shkurt Rugova, i cili është edhe anëtar korrespodent në ASHAK.

“Enciklopedia 10-vëllimëshe – ndërmarrja më e vështirë”

Projekti tjetër “Enciklopedia shqiptare”, që parashihet të realizohet në dhjetë vëllime brenda pesë vjetësh, është konsideruar si ndërmarrja më e vështirë e më voluminoze.

I fundit dhe i vetmi fjalor i tillë deri më tani është bërë 36 vjet më parë. Nën udhëheqjen e akademikut të ndjerë Aleks Buda, Sektori i Enciklopedisë pranë ASHSH-së kishte hartuar “Fjalorin Enciklopedik” me gjithsej 5 mijë zëra. Një motërzim i përmirësuar i tij ishte botuar më 2008 në tri vëllime.

Akademik Mehmet Kraja ka vlerësuar se botimet e mëparshme të ASHAK-ut, si “Fjalori enciklopedik i Kosovës” dhe “Leksikoni i vendbanimeve të Kosovës”, kanë krijuar tashmë një përvojë leksikografike. Sipas tij, kjo mund të funksionalizohet në një projekt të tillë me përfshirje të tërësishme të të dhënave të kodifikuara dhe të verifikuara shkencërisht.

“ASHAK konsideron se ‘Enciklopedia shqiptare’ duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke krijuar hapësirë pa përqindje për Shqipërinë dhe Kosovën, në varshmëri nga lënda dhe nga kriteret që do të zbatohen”, ka thënë Kraja.

E për organizimin e punës, sipas tij, ASHAK konsideron që redaksitë e “Enciklopedisë” duhet të veprojnë të ndara, kurse redaksitë do të përfaqësoheshin me një redaksi qendrore me numër të barabartë anëtarësh, ku vendimet do të merreshin me konsensus.

Tutje, Kraja ka shtuar se projekti për këtë enciklopedi do të përfshijë dijen e tërësishme enciklopedike dhe do të hartohet nga penat më të shquara të të gjitha fushave të shkencës, duke marrë trajtë “në formën e një përmbledhjeje sui generis të krejt dijes normative shqiptare dhe më gjerë”.

“Projektet do të kenë sfida”

Kurse projekti i tretë i dy akademive shqiptare është paraparë të jetë hartimi i “Historisë së shqiptarëve”, për të cilën është vlerësuar se puna do të realizohet brenda kohës së parashikuar.

19 vjet më parë kishte qenë koha kur Akademia në Tiranë kishte nxjerrë edicionin më të ri të “Historisë së Popullit Shqiptar” në dy vëllime, që përfshinte periudhat historike nga ilirët e deri te Rilindja Kombëtare. Më 2007 dhe 2009, përkatësisht me vëllimin e tretë dhe të katërt, ishin përfshirë edhe periudhat nga pavarësia deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar.

Akademik Kraja ka thënë se tri projektet ndërakademike do të kenë një sërë sfidash që nga çështjet organizative e buxhetore e deri te hartimi i platformave të përbashkëta dhe redaksive.

“Por nuk mendoj se këto mund të jenë pengesë reale për realizimin e këtyre projekteve”, ka thënë ai, teksa ka shtuar që dy akademitë tashmë e kanë sprovuar veten në hartimin e fjalorëve enciklopedikë.

Ai ka theksuar se për çështjen e “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe” ka një numër fjalorësh normativë, dialektorë e frazeologjikë, ndërkohë që në ASHAK është edhe një fond i digjitalizuar leksikografik nga korpusi i shqipes së shkruar në Kosovë.

“Kjo pasuri leksikografike duhet të përmblidhet, të sintetizohet dhe t’i jepet forma e një fjalori me 100 mijë ose 110 mijë fjalë dhe terma”.

Kraja ka shtuar që i vetmi faktor që mund t’i pengojë projektet në fjalë është mungesa e mbështetjes shtetërore. “Por jam i bindur se kjo mbështetje nuk do të mungojë”, ka thënë ai.