Kulturë

“Albumi familjar” në New York me rrëfimin për luftën e fundit në Kosovë

Ekspozita me të cilën Alban Muja më 2019 përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias, po prezantohet para publikut amerikan, në një tjetër version por që ruan esencën e saj. “Alban Muja: Albumi Familjar – gjurmimi i rrëfimeve gjatë luftës në Kosovë 1998-99”, është titulli i saj. “Në Bienalen e Venecias e pastaj edhe në ‘Ludwig Musuem’ në Budapest projekti ka pasur suksese dhe ka sjellë vizitorë të shumtë dhe si i tillë besoj që është e rëndësishme që kjo histori të tregohet edhe në vende të tjera, andaj New Yorku dhe hapësira ‘ISCP’ si njëra prej hapësirave të njohura dhe shumë e vizituar, ka qenë e nevojshme”, ka thënë Muja për KOHËN

“Besoj që e kaluara duhet të tregohet dhe mos të harrohet”, ka thënë prerazi Alban Muja kur ka zbërthyer detaje për ekspozitën e parë personale që ka hapur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rrëfimi i tij artistik për luftën e fundit në Kosovë përthekuar në “Albumin familjar”, ka zënë vend në “International Studio & Curatorial Program” në New York. Muja ka thënë se ekspozita e vë vrojtuesin përballë një realiteti që ka ndodhur në Kosovë, por që rezonon mjaft mirë me situatat e refugjatëve kudo në botë.

“Albumi familjar” ose në anglisht “Family Album”, është vepra e cila më 2019 përfaqësoi Kosovën në edicionin e 58-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Vepra e njëjtë, por me koncept tjetër kuratorial, po shfaqet edhe në kontinentin amerikan. “Alban Muja: Albumi Familjar – gjurmimi i rrëfimeve gjatë luftës në Kosovë 1998-99”, është titulli i ekspozitës së hapur më 9 shkurt dhe do të qëndrojë aty deri më 13 korrik të këtij viti.

Hapja e ekspozitës ishte shtyrë dy herë. Por, pasi që në New York është e lejuar që ekspozitat të vizitohen në grupe të vogla, është vendosur që të hapet tek tash ani pse pa ceremoni. Në të po paraqiten tri video-instilacione që gjurmojnë rrëfimet e disa fëmijëve që kanë jetuar në Kosovë gjatë luftës së fundit ku rreth 800 mijë civilë u detyruan ta lënë vendin, në mesin e tyre edhe Muja si adoleshent. Imazhe të këtyre refugjatëve dhe fëmijëve ishin vënë në fokus të fotoreporterëve.

Si pikënisje e “Albumit familjar” është pikërisht një fotografi e tillë, ku Muja shihet në një kamp refugjatësh në Shqipëri, pranë kryeministrit të atëhershëm spanjoll Jose Maria Aznar. Kjo fotografi është bërë pikënisje për artistin që të mendojë për fëmijët e tjerë refugjatë që ishin shfaqur nëpër media. Ishte vënë në kërkim të rioshëve – tashmë të rritur – që ishin shfaqur nëpër imazhe që atëkohë bën bujë.

Artisti Alban Muja, ka thënë se për herë të parë do të ekspozohet fotografia e tij pranë ish-kryeministrit spanjoll, pasi që e njëjta nuk ishte ekspozuar më parë si pjesë e “Albumit familjar”.

“Ne fakt ideja dhe koncepti fillon nga një histori personale, por gjate procesit kthehet në një histori që ne kemi kaluar si popull, duke provuar që të mos tregohet vetëm një histori personale, por edhe ajo e një shoqërie siç është shoqëria jonë në Kosovë”, ka thënë Muja.

Ekspozita ndërtohet rreth imazheve të realizuara para dy dekadash të nënës Sherife Luta me vajzën e saj në krah, Besën, atëherë foshnje, të babait të përlotur Xajë Mustafa, që mban në dorë fotografitë e dy fëmijëve të tij, Besimit dhe Jehonës, për të cilët nuk e di se a janë gjallë dhe fotografia e djaloshit mes telave gjemborë, Agim Shala, të cilin e bartin familjarët nga njëra anë në tjetrën.

Personazhet e këtyre fotografive sot janë të gjithë të rritur dhe Muja i rikthen në vëmendjen e opinionit publik nëpërmjet videove. Besa, Besimi e Jehona dhe Agimi tregojnë çfarë ata dinë për fotografitë dhe luftën.

Pas Bienales së Venecia, “Albumi familjar” në shkurt të vitit të kaluar u paraqit edhe në “Ludwig Museum”, themeluar në vitin 1982 nga çifti gjerman, Irene dhe Peter Ludwig, që ka në pronësi një koleksion prej më shumë se 12 mijë veprash arti që nga antikiteti e deri të arti bashkëkohor. Ata po ashtu posedojnë edhe dy vepra të artistit nga Kosova. Bëhet fjalë për veprën e Mujës të vitit 2012, “My name their city”, që Muzeu e ka marrë rreth 6 vjet më parë, si dhe për “Albumin familjar”, që iu shtua muzeut me rastin e ekspozimit.

“Në Bienalen e Venecias e pastaj edhe në ‘Ludwig Musuem’ në Budapest projekti ka pasur suksese dhe ka sjellë vizitorë të shumtë dhe si i tillë besoj që është e rëndësishme që kjo histori të tregohet edhe në vende tjera andaj New Yorku dhe hapësira ‘ISCP’ si njëra prej hapësirave të njohura dhe shumë e vizituar, ka qenë e nevojshme”, ka thënë ai për KOHËN.

Ka treguar se “Albumi familjar” do të vazhdojë të ekspozohet edhe në vende të tjera posa pandemia ta lejojë një gjë të tillë. Muja ka thënë se dy prezantimet e ardhshme do të jenë në “Maxxi Museum” në Romë dhe “Crawford Art Gallery” në Irlandë.

“Duke u nisur nga tema që trajton ky projekt, besoj që rrugëtimi është i rëndësishëm dhe besoj që do të ketë një rrugëtimi të gjatë”, ka thënë ai.

Tekstit kuratorial për ekspozitën në New York, tregon se “Albumi familjar” ka në qendër intervistat e katër refugjatëve që vënë në pah eksperiencat dhe kujtimet e tyre, duke treguar narrativen që e dinë përmes atyre që u janë treguar.

“’Albumi Familjar’ i Mujës trajton pasojat e traumës dhe dhimbjes kolektive dhe se si ajo procesohet dhe përcillet te brezat e rinj. Puna gjithashtu vë në pah kufijtë dhe dështimet e medias për të zbuluar historitë dhe kompleksitetet prapa imazheve që u shfrytëzuan e që e bënë ato njëdimensionale karshi shikuesve. Fuqia e arkivit qëndron në potencialin e saj për t’u aktivizuar dhe Muja plotëson zbrazësitë e saj”, është shkruar në tekstin kuratorial.

Ekspozita në New York ka për kurator Kari Conten, këshilltare e lartë në ISCP si dhe Alison Kuo, menaxhere e programit të rezidencës në ISPC.

“International Studio & Curatorial Program” mbështet zhvillimin e artistëve dhe kuratorëve dhe promovon shkëmbime përmes rezidencave artistike dhe programeve publike. ISCP-ja e vendosur në hapësirën e një ish-fabrikë në Brooklyn, ka 35 studio pune dhe dy galeri dhe njihet si hapësirë gjithëpërfshirëse ndërkombëtare që nga themelimi në vitin 1994. Më shumë se 1 mijë e 400 artistë dhe kuratorë nga 85 shtete, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë pjesë e rezidencës në ISCP. Muja ishte pjesë e tyre në vitin 2011. Artisti që jeton dhe punon në Prishtinë dhe Berlin, artin e tij e shfaq nëpërmjet mediumeve të ndryshme si filma të shkurtër, dokumentarë, vizatime, piktura dhe performanca. Përmes artit të tij ai hulumton çështje historike dhe soci-politke dhe i lidh ato me jetën e tij në Kosovën e sotshme.

Kosovën në Bienale, para Mujës, në vitin 2017, e përfaqësoi artisti Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, e para tij e kishin prezantuar artistët Flaka Haliti më 2015 e Petrit Halilaj më 2013.