Kulturë

Një demokraci mijëvjeçare – nga ilirët te shqiptarët

Descriptive Text

Për shumëkënd, Athina e njëherë e një kohe është asocimi i parë për demokracinë. Votime me ostraka e me guralecë janë disa prej imazheve që janë fiksuar në vazot prej terakote. Sot, kur rreth 1.8 milionë qytetarë të Kosovës hedhin votën për t’i përcaktuar përfaqësuesit e tyre në Kuvend, kërshëria bëhet më e prekshme për të njohur “demokracinë” e paraardhësve tanë. Derisa institucioni i mbretit ishte i trashëgueshëm në shtetet e forta ilire që ngrenë krye mbi dy mijë vjet më parë, forma “demokratike” kontrolli e frenonin atë nga akumulimi i pushtetit

E mitizuar dhe e idealizuar, demokracia athinase edhe sot e kësaj dite merret si një nga aksesorët e qytetërimit mbarëevropian. Megjithëse demokracia e sotme më shumë i shëmbëllen traditës parlamentare në Britaninë e Madhe në qindvjetëshin e tetëmbëdhjetë, sipas përfytyrimit kolektiv demokracia origjinon prej Athinës së Solonit.

Në mbamendjen e njerëzimit, ai do të hynte si burrështetasi e ligjvënësi që vuri themelet e demokracisë në qytetin emërmadh të Atikës.

Askush nuk e di si do të përvijohej historia athinase sikur konflikti mes aristokracisë së tokave dhe fshatarësisë do të vijonte pafundësisht. Dihet vetëm që në vitin 594 para erës sonë do të vinte në skenë Soloni, të cilit athinasit i dhanë tagrin autoriativ për të ndërmjetësuar një zgjidhje mesi për pabarazitë e etabluara në shoqërinë e asokohshme. Ishte një gjendje jo fort e lakmueshme kur nga pjesëmarrja në qeverisje privoheshin edhe klasat e zejtarëve, tregtarëve dhe bujqve.

Image
Votimi me psephos paraqitur në një skenë në enën prej terakote, që besohet se daton nga viti 490 para erës sonë, realizuar prej atij që njihej si Brygos Piktori

Duke tejkaluar ligjet e serta të Drakonit, Soloni zëvendësoi me gjasë “Areopagun” aristokrat me këshillin e njohur si “bule” (βουλή). Plot 400 meshkuj mbi moshën 30 vjeç zgjidheshin në këtë trupë me funksione këshillimore, që pëlqente të mblidhej në logun e saj “bouleterion” në agorë. Pjesa tjetër është një përfytyrim i bukur që merr flatra nga vazot e purpurta atikase: aty paraqiten athinas me klamida tek votojnë në urna. Guraleci (psephos) është “vota” dhe urna është “kutia e votimit”.

Derisa bota atikase mburrej për demokracinë e parë, mijëra milje më në veri, në botën ilire kapërthureshin forma të vjetra demokracie fisnore. Mbretër që trashëgonin fronin kundërbalancoheshin nga “kuvendet” fisnore, e në vende të tjera luftëtarët e armatosur, si ndjekës të prijësit, ishin edhe kufizuesit e fuqisë së tij

Kur demokracia athinase po fitonte profilin e vet “procedural”, ostrakat morën funksionin e shenjës së votës. Ato ishin copëza qeramike në të cilat gërvishtej emri i kujtdo njeriu në qeverisje për të cilin qytetarët donin të “ostracizohej”, domethënë të largohej nga polisi. Por, si ishte gjendja mijëra milje në veriun “barbar”?

Shfaqja e botës ilire

Fillesat e ilirëve humbin në nebulozën e historisë. Ata bëhen të paraqitshëm vetëm kur kontaktet me botën greke u bënë aq të afërta sa prania e njëri-tjetrit nuk mund të ishte e shmangshme më.

Klasicisti anglez Nicholas Hammond ka hedhur mendimin që grekët duket të kenë qenë në dijeni të ilirëve, të paktën që në periudhën e Bronzit, atëherë kur lakadredhat e tregtisë prekën edhe brigjet e Adriatikut.

Ashtu si me rastin e emrave “Graeci” dhe “Hellenes”, edhe emri i ilirëve ngjan të ketë pasur një fillesë të ngjashme modeste.

Që në krye të herës, grekët duhet të ishin vënë në dijeni për ekzistencën e “οἱ ᾿Ιλλυριοί” (Illyrioi), një fisi të vogël që gjëllinte në luginën e lumit Mat për t’u gjithështrirë më pas edhe te fise të tjera me të njëjtën të folme. Për pak shekuj njohjeje të ndërsjellë, termi “ilir” zuri të aplikohej për një hapësirë që vinte duke u zgjeruar: nga brigjet e Jonit gjer në liqenin e Ohrit, nga aty përskaj anëdetit Adriatik e gjer në Istri.

Kështu, populli ilir (“τὰ ᾿Ιλλυρικὰ ἔθνη”), populli i ilirëve (“τὰ τῶν ᾿Ιλλυριῶν ἔθνη”), ose edhe fisi i ilirëve (“γένη ᾿Ιλλυριῶν”), do të bëhej protagonisti historik për ngjarje me të cilën bota greke – dhe ajo romake më vonë – do të nyjëtohej nga interesa, bërryla ngjarjesh e kuriozitet.

Ishte një kohë kur rrota e progresit historik po sillte realitete të reja. Ndryshimet në ekonominë blegtorale të popullsisë në fshatra sollën rritje demografike dhe vendbanime të reja të mbështetura në ekonominë e lidhur me tokën, bashkë edhe me rritjen e autoritetit qendror, duke filluar me atë të mbretit. Pikëzimi i truallit ilir me qytete të reja ndehi edhe më shumë strukturat tradicionale fisnore, duke filluar shpërbërjen e tyre.

Mbretër, luftëtarë, të lirë e skllevër

Që prej shekullit të dhjetë para erës sonë, struktura shoqërore ilire paraqitej bukur e larmishme. Ndryshe nga barazitarizmi i bashkësive parake, në përbërjen e re u shfaqën grupe të reja shoqërore. Njërin nga këto grupe e përbënin krerët e pasur të fiseve dhe udhëheqësit ushtarakë (bazilejtë). Masën kryesore të popullsisë e përbënin anëtarët e lirë të fiseve, të cilët merreshin me bujqësi e blegtori, ose me zejtari.

“Përshtypja e përgjithshme që vjen nga burimet historike është se kjo ishte një periudhë me rritje të popullsisë”, shkruan arkeologu britanik John Wilkes, në librin e tij për ilirët.

Kur demokracia athinase po fitonte profilin e vet “procedural”, ostrakat morën funksionin e shenjës së votës. Ato ishin copëza qeramike në të cilat gërvishtej emri i kujtdo njeriu në qeverisje për të cilin qytetarët donin që të “ostracizohej”, domethënë të largohej nga polisi

Prej shekullit të katërt para erës sonë, në shoqërinë ilire ishte shfaqur edhe një klasë sunduese skllavopronare, që përbënte atë që Agatharhidi i quante zotër (δεσπόται), që shfrytëzonte një masë njerëzish të skllavëruar (δούλοι). Por, pjesa dërrmuese e shoqërisë ilire përbëhej nga fshatarë të lirë e të organizuar në bashkësi fisnore e në vende të tjera, edhe në aso fshatare.

Studiuesi John Wilkes vë në dukje se në shoqërinë ilire, ashtu si edhe në shoqëri të tjera, statusi i liderit përcaktohej nga një numër luftëtarësh që i vinin pas.

Bindja ndaj një autoriteti më të lartë si mbreti kanalizohej përmes një besnikërie kolektive të fisit për prijësit.

“Në prapakthim, ai njihte burimin e fuqisë së tij duke ofruar siguri dhe mbrojtje kurdo që nevojitej”, shkruan Wilkes.

Në historinë e tij, Polibi sjell mazhin e një shoqërie në mbretërinë ilire, ku ekzistonte një këmbësori fshatarake që luftonte nën pronarët aristokratë (poludynastae).

“Persistenca e lidhjeve të vjetra fisnore duket të jetë reflektuar nga përdorimi i varrimit tradicional tumular deri në periudhën kristiane. Këtu prijësi ende ndodhet në mes të shoqëruesve të tij përreth tij”, shkruan Wilkes.

Canaj: “Zgjedhjet” te bylinët

Arkeologu shqiptar që jeton në Itali, Etnor Canaj, thotë se nuk ka të dhëna arkeologjike se në truallin ilir votohej me “ostraka”, siç ndodhte në Athinë.

Që prej shekullit të dhjetë para erës sonë, struktura shoqërore ilire paraqitej bukur e larmishme. Ndryshe nga barazitarizmi i bashkësive parake, në përbërjen e re u shfaqën grupe të reja shoqërore

Me një njohje solide nga tokat e fisit të bylinëve ilirë, ai vë në dukje se mes tyre dëshmohet përmes mbishkrimesh ekzistenca e bulesë (βουλή), e gjasueshmërisht edhe asamblesë “ekklesia” (ἐκκλησία).

“Buleja ishte diçka e ngjashme si pleqësia”, thotë Canaj për KOHËN, teksa përmend që të dëshmueshëm nga mbishkrimet janë edhe “pritanët”.

“Ata ka gjasë të kenë qeverisur prej një deri në dy vjet dhe ishte përherë buleja që i zgjidhte dhe kontrollonte”.

Rasti i bylinëve, sipas arkeologut Canaj, provon që zgjedhjet (votimet) bëheshin në agora, ku mblidhej populli, por edhe në teatro, që përveç shfaqjeve përdoreshin edhe për qëllime të tjera.

“Kishte përherë oratorë të cilët mund të flisnin pro apo kundër dikujt dhe kërkohej mendimi i popullit, të cilët votonin thjesht duke ngritur dorën dhe aty numëroheshin”, thotë ai. “Pra, këto ishin forma zgjedhjeje (votimesh) që kanë ekzistuar përherë prej kohëve parahistorike. Edhe në shoqëri të tipit jo-athinas kishte forma të themi gati demokratike të votimit”.

Demokracia monarkike e molosëve

Duke qenë më ballazi para ndikimit grek, informacione më të plota ekzistojnë për fiset ilire në Epir. Në fund të shekullit V para erës sonë, molosët ngrenë krye si më i forti fis në trevat prej maleve Akrokeraune deri në gjirin e Ambrakisë.

Bashkë me një konglomerat fisesh në rrethepërqarkun e tyre, ata krijuan një njësi të fortë politike që hyri në histori si Lidhja Molose (τὸ κοινὸν τῶν Μολοσσῶν).

Sipas shënimeve të ruajtura nga shkrimtarë të kohës, në krye të “koinonit” molos qëndronte një mbret i trashëgueshëm, por shpesh sundonin edhe dy të tillë. Në kohë lufte, pushteti i tij zgjerohej mjaft, kurse në ditë paqeje ai kufizohej po aq.

Mbreti ishte i detyruar të vepronte sipas ligjeve dhe zakoneve të vendit.

Para se të hipte në fron, ai betohej para popullit se do t’i respektonte zakonet e vendit, kurse populli nga ana e tij zotohej ta përkrahte mbretin në funksionet e tij, në qoftë se ky do t’i mbetej besnik premtimit të dhënë.

Arkeologu shqiptar Hasan Ceka shkruan se e drejta e trashëgimisë së fronit mbretëror te molosët përbënte një dallim prej popujve të tjerë në vjetërsi.

Te ta nuk ishte e domosdoshme që froni të trashëgohej patjetër nga më i madhi i djemve. Sipas Cekës, aty mund të viheshin edhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore, si xhaxhai apo kushëriri.

“Një karakteristikë tjetër e së drejtës së trashëgimisë ishte sundimi i përbashkët e i njëkohshëm i dy mbretërve; këta mund të ishin atë e bir, dy vëllezër, xhajë e nip, por edhe dy kushërinj”, shkruan Ceka.

Arkeologu shqiptar që jeton në Itali, Etnor Canaj, thotë se nuk ka të dhëna arkeologjike se në truallin ilir votohej me “ostraka”, siç ndodhte në Athinë

Ndonëse mbreti molos ishte i pari në shtet, pushteti i tij ndahej nga ai që te burimet mbishkrimore, të ruajtura në greqisht, njihej si “prostat”.

Mbretit i njihej kryesisht pushteti ushtarak dhe komanda e formacioneve të armatosura në gjendje lufte.

“Përpara se të shpallej e të njihej për mbret, ai ishte i detyruar të bënte një betim solemn para kuvendit të parisë molose, që mblidhej për këtë qëllim në Pasaron, kryeqytetin e Molosisë. Para kuvendit, mbreti jepte besën se do t’i respektonte e nderonte ligjet e zakonet e vendit dhe se nuk do të ndërmerrte asnjë veprim që do të ishte në kundërshtim as me këto, as me vendimet e kuvendit, që ishte organi më i lartë shtetëror”.

Studiuesi John Wilkes vë në dukje se në shoqërinë ilire, ashtu si edhe në shoqëri të tjera, statusi i liderit përcaktohej nga një numër luftëtarësh që i vinin pas

Mbreti vazhdoi të ishte i trashëgueshëm i përjetshëm, i pari në shtet, por e ndante pushtetin me një shok tjetër, me të parë, të cilin burimet mbishkrimore të hartuara në greqisht e përkthyen me një fjalë që i korrespondon terminologjisë përkatëse helene, me prostat.

Mbreti mbante kryesisht pushtetin ushtarak dhe komandonte në raste lufte forcat ushtarake.

Kuvendi, gardiani për mbajtjen e zotimeve

Pas betimit në faltoren kushtuar hyjnisë së luftës, të adhuruar nga molosët, kuvendi, me krerë fisesh e nënfisesh, e njihte atë për mbret.

Kuvendi, nga ana e tij, i përgjigjej këtij betimi duke u zotuar se kishte për t’i dhënë mbretit çdo ndihmë në kryerjen e funksioneve të tij, përderisa ai do t’u qëndronte besnik premtimeve të marra. Çdo thyerje bese e çdo shkelje në këtë drejtim mund t’i kushtonte mbretit jo vetëm fronin dhe dëbimin e tij nga toka e Epirit, por kur faji ishte tepër i rëndë mund ta paguante edhe me kokën e vet shkeljen ndaj zakoneve e traditave të shenjta të popullit molos.

Rasti i bylinëve, sipas arkeologut Canaj, provon që zgjedhjet (votimet) bëheshin në agora, ku mblidhej populli, por edhe në teatro, që përveç shfaqjeve përdoreshin edhe për qëllime të tjera

Këto konsiderata provojnë që – të paktën prej shekullit të katërt para erës sonë – mbreti nuk ishte më te molosët një sundues i plotfuqishëm, por një nga funksionarët më të lartë të shtetit, që mund të shkarkohej nga detyrat e funksionet e tij në çdo kohë dhe ishte i detyruar, veç kësaj, të jepte para kuvendit llogari për veprimet e tij.

Prostatë e funksionarë të tjerë

Prostati ishte personi i dytë në shtet për sa i përket rëndësisë së tij dhe vinte menjëherë mbas mbretit. Në të gjitha dekretet, ligjet dhe vendimet e marra figuronin emrat e të dyve, bile nganjëherë vetëm emri i këtij të fundit.

Image
Guraleci (psephos) është “vota” dhe urna është “kutia e votimit”

Pushteti i prostatit shtrihej mbi çdo veprimtari që nuk kishte të bënte thjesht me çështje ushtarake. Ishte përfaqësues i Kuvendit të parisë dhe ushtronte pushtetin në emrin e këtij gjatë kohës kur kuvendi nuk mbante mbledhjet e tij të zakonshme.

“Ai zgjidhej krye çdo viti nga radhët e parisë së fiseve që formonin kuvendin dhe ishte gjatë këtij viti njëkohësisht edhe kryetari i kuvendit; parashtronte për diskutim e vendim çështje e propozime; i vinte në jetë këto vendime, ishte për veprimtarinë e tij përgjegjës para kuvendit dhe jepte llogari për këtë vetëm para këtij organi të lartë”, shkruan arkeologu Ceka.

Bindja ndaj një autoriteti më të lartë si mbreti kanalizohej përmes një besnikërie kolektive të fisit për prijësit

Si funksionar që ndërrohej për çdo vit, ai ia jepte emrin e vet vitit. Të gjitha ngjarjet me rëndësi që kishin ndodhur atë vit, qofshin këto lufta, ndonjë ligj apo dekret me rëndësi, tërmet, regjistronin dhe hynin në analet e historisë së Epirit me emrin e tij. Jo vetëm kaq, për në mungesë të një date të qëndrueshme e të përgjithshme, si ajo që e përdorim ne sot, edhe ngjarjet e thjeshta mbaheshin mend për një kohë të gjatë dhe me përpikmëri vetëm duke u lidhur me emrin e prostatit që kishte vepruar atë vit.

Në bazë të burimeve mbishkrimore mes epirotëve ilirë përmendet edhe gramateu (sekretari), që përmendet menjëherë mbas prostatit e që ngjan të kishte postin e tretë në pushtet. Detyra e tij kryesore ishte të formulonte në dekrete vendimet e marra nga kuvendi dhe të kujdesohej për skalitjen e tyre në pllaka guri apo metali, ashtu edhe për shpalljen e ruajtjen e tyre.

Tutor për mbretër të mitur

Sipas studiuesit anglez të antikitetit, Franklin Walbank, mbretëria ilire ishte e trashëgueshme, “ndonëse jemi të informuar ligsht mbi kushtet e trashëgimit të fronit dhe mbi çdo rol që luante populli dhe krerët”.

Një rast interesant është që kur vdiq mbreti ardian Agron, rreth vitit 230, ai u pasua nga djali i vet i mitur, Pini, por në ndërkohë roli i tutorit veçse ishte bërë mjaft i rëndësishëm në Iliri. Kështu, ky institucion fillimisht u ushtrua nga e veja e mbretit, Teuta (megjithëse ajo nuk ishte e ëma e djalit) dhe më vonë nga Dhimitër Fari që u martua me nënën e Pinit, Triteutën.

Kuvendi, nga ana e tij, i përgjigjej këtij betimi duke u zotuar se kishte për t’i dhënë mbretit çdo ndihmë në kryerjen e funksioneve të tij, përderisa ai do t’u qëndronte besnik premtimeve të marra

Me kalimin e kohës, siç ka vënë në dukje Walbank, në oborrin e mbretit ardian u lajmërua edhe institucioni helenistik i “miqve”. Në këtë dritë duket të jetë edhe një kumt i historianit Polibi, i cili thotë se Teuta pas vdekjes së Agronit ia la hollësitë e administrimit të mbretërisë ardiane këshillit të oborrtarëve dhe nëpunësve të vjetër.

“Për fat të keq nuk jemi të informuar se ndonjë element burokratik i kancelarive helenistike ka qenë riprodhuar në Shkodër”, thotë Walbank.

Po i njëjti studiues shfaq bindjen që organizimi i oborrit ilir, pavarësisht institucionit të miqve, dallonte goxha prej grupeve kozmopolitane në qendra helenistike si Pella, Antioki apo Aleksandria.