Kulturë

Chick Corea instrumentisti e inovatori i muzikës

Descriptive Text

Kur jazzi dhe rocku u shkrinë në vitet ’70, ai ishte në ballë të lëvizjes. Por gjatë gjithë karrierës së tij, ai asnjëherë nuk hoqi dorë nga dashuria e tij e parë, pianoja akustike, në të cilën prekja e tij e përpiktë dhe ndjesia e thatë e harmonisë e bënin sakaq lojën e tij të dallueshme

Chick Corea, arkitekt i shkrirjes së jazzit dhe rockut në vitet ’70 që kaloi më shumë se një gjysmëshekulli si një prej pianistëve kryesorë në jazz, ka vdekur të martën në shtëpinë e tij në Tampa, Fla. Ai ishte 79 vjeç.

Shkaku ishte kanceri, ka thënë Dan Muse, zëdhënës për familjen Corea.

Bendi i mirënjohur i zotit Corea ishte “Return to Forever”, një kolektiv me pjesëtarë rotativë që e bëri zhanrin e përzier të hynte më në kontakt me ndikimet braziliane, spanjolle dhe globale. Kjo i mundësoi zotit Corea një paletë në të cilën eksperimentoi me një arsenal gjithnjë e më të shumtë të teknologjive të reja.

Por gjatë gjithë karrierës së tij, ai asnjëherë nuk hoqi dorë nga dashuria e tij e parë, pianoja akustike, në të cilën prekja e tij e përpiktë dhe ndjesia e thatë e harmonisë e bënin sakaq lojën e tij të dallueshme.

Një numër kompozimesh të tij, përfshirë “Spain”, “500 Miles High” dhe “Tones for Joan’s Bones”, u bënë standarde për jazzin, të veçorizuara nga harmonitë e tij të ëndërrta, por të ndritshme, si dhe meloditë që kapnin veshin.

Në fund të viteve ’60, zoti Corea, ende në të njëzetat e tij, e kishte etabluar veten si një forcë që duhej të bëhej hesap. Ai bëri incizime me disa prej emrave prijatarë të jazzit latin, përfshirë Dizzy Gillespie, Stan Getz, Mongo Santamaria dhe Sarah Vaughan. Dy albumet e tij të para si kryesues, “Tones for Joan’s Bones” (1966) dhe “Now He Sings, Now He Sobs” (1968), përftuan recensione tejet dashamire. Që të dy albumet tani çmohen si klasike.

Por ishte performimi në ansamblet e Miles Davisit që e vuri zotin Corea në rrugën që do të përcaktonte më së shumti rolin e tij në jazz. Ai luajti me piano elektrike në “In a Silent Way” (1969) dhe “Bitches Brew” (1970) të Davisit, albume që buçitën si kambanat e para për epokën e shkrirjes.

Fill pas braktisjes së grupit të Davisit, ai ndihmoi që të themelohej “Return to Forever”, dhe ai kaloi pjesën më të madhe të viteve ’70 duke udhëtuar e incizuar me bendin, që u bë një prej ansambleve më popullore instrumentale të kohës.

Duke recensuar performancën në Blue Note në New York më 2006, kritiku Nate Chinen, në një shkrim për “The New York Times”, vinte në dukje tingullin inovativ që zoti Corea stërholloi me “Return to Forever” para tri dekadash: “pianoja e tij ‘Fender Rhodes’ tingëllonte e ciaste mbi ritme amerikano-latine; vokalet femërore përziheshin me krahërrahjet qetësuese të një fyelli. Pastaj ansambli i përvishej punës dhe shndërrohej në një bend hiperaktiv, duke etabluar një prani në krye të tabelave, por duke sjellë edhe plot adhurues. Në përmasën që është trashëgimia e‘Return to Forever’, ajo përfshin këto skaje dinamike, ku secili ka nga një aspekt të personalitetit të zotit Corea”.

Në kohën e spekaklit në Blue Note, karriera e zotit Corea po hynte në një kapitull reminishence të lumtur, përplot me koncerte ribashkimi e projekte retrospektive. Por ai vijonte të sillte të reja nga themeli që kishte ngritur.

Më 2013, fjala vjen, ai realizoi dy albume që shenjëzuan bende të reja: “The Vigil”, që paraqiste një pesëshe të elektrifikuar muzikantësh të rinj, dhe “Trilogy”, një album akustik trio në të cilin u bashkuan edhe bassisti Christian McBride dhe daullisti Brian Blade.

Image
Zoti Corea më 2006 në Blue Note, ku performancat e tij shpesh ndërthureshin me ribashkime me kolegë të vjetër dhe bashkëpunime me shoqërues të rinj. Foto: Michelle V. Agins/The New York Times.

Ai vijoi një agjendë të ngjeshur udhëtimesh gjer në fund të viteve ’70, dhe performancat e tij, veçmas në Blue Note, shpesh ndërkallnin ribashkime me bashkëpunëtorë kohëgjatë dhe të tjera bashkërendime me shoqërues të rinj, duke përzier nostalgjinë me një vullnet për të krijuar edhe më tutje. Ato performanca shpesh bëheshin albume, përfshirë “The Musician” (2017), një përmbledhje që erdhi në jetë pas rezidencës së tij dymujore në klub më 2011, kur ai kremtoi ditëlindjen e tij të 70-të në shoqërimin e emrave të shquar si pianisti Herbie Hancock, basisti dhe bashkëthemeluesi i “Return to Forever”, Stanlet Clarke e vokalisti Bobby McFerrin.

Kah fundi i karrierës së tij, zoti Corea kishte incizuar afro 90 albume si prijës bendi dhe kishte rrëmbyer 23 Grammy, më shumë sesa thuajse çdo muzikant tjetër. Ai ka fituar edhe tre Grammy latinë. Më 2006, ai u quajt “National Endowment for the Arts Jazz Master”, më i madhi nderim për një muzikant amerikan të jazzit.

Ani pse u bë simbol i lëvizjes së shkrirjes, zoti Corea asnjëherë nuk u kushtoi shumë vëmendje kategorive muzikore. “Janë mediat ato që janë kaq shumë të interesuara në kategoritë muzikore”, kishte thënë ai për “The Times” më 1983, “mediat dhe biznesmenët, të cilët, në fund të fundit, kanë një interes në mbajtjen e marketingut në mënyrë të ndarë. Nëse kritikët do të pyesnin muzikantët për mendimin e tyre mbi atë çfarë po ngjan, ju do të shihni se gjithmonë ka njëfarë fuzioni. Kjo nënkupton se ka një zhvillim të vazhdueshëm – një përzierje të pandalshme të rrymave të ndryshme”.

Martesa e parë e zotit Corea përfundoi me divorc. Ai njohu Gayle Moranin, që u bë gruaja e tij e dytë, në vitet ’70, kur ai ishte në “Return to Forever” dhe ajo këngëtare dhe instrumentiste në “Mahavishnu Orchestra”, një tjetër bend që kishte çarë në këtë drejtim.

Ajo është e gjallë, bashkë me të birin, Thaddeus Corea; të bijën, Liana Corea, si dhe dy nipër.

Në fillim të viteve ’70, zoti Korea u konvertua në Scientology, dhe mësimet fetare që nga ajo kohë zunë vend në muzikën e tij, përfshirë edhe punën në “Return to Forever”.

Armando Anthonby Corea ka lindur më 12 qershor 1941, në Chelsea, Mass., afër Bostonit. I atij i tij, i quajtur po ashtu Armando Corea, ishte trumpetist dhe prijës bendi në Boston, dhe e ëma, Anna (Zaccone) Corea, ishte shtëpiake. Ai nisi të studionte pianon që kur ishte 4 vjeç.

Ai e mori llagapin nga halla, që shpesh i ndukte faqet e tij dhe e quante “sherr”.

Ai u vendos në New York City për të studiuar në Universitetin Columbia, por kjo zgjati veçse pak muaj. Meqë Miles Davis ishte një brez më përpara, kur ai arriti në Juillard, zoti Corea e gjeti veten të ngazëllyer nga klubet. Disa nga sprovat e tij të para nisën në bendet e daullistëve të jazzit latin, Mongo Santamaria dhe Willie Bobo, ashtu sikundër edhe me vokalistin Cab Calloway. Më 1968 atij iu dha roli i pianistit në pesëshen e njohur Davis, duke zëvendësuar zotin Hancock. Bendi sakaq shkoi në studio për të incizuar kolonat përfundimtare që do të dilnin si “Filles de Kilimanjaro”. Albumi i parë i Davisit ishte ai me një piano elektrike. Ai shenjëzonte përqafimin gjithnjë e në rritje të muzikës rock dhe funk, një lëvizje e nxitur edhe nga gruaja e tij e dytë, vokalistja Betty Davis.

Gradualisht grupi u zgjerua në numër teksa Davisi zdërhallej gjithnjë e më thellë në botën e turbullt e dridhëse të tingujve në albumet e tij të hershme. Ai solli një version të bendit “Bitches Brew” në festivalin “Isle of Wight” më 1970, para një audience me 600 mijë njerëz.

Fill pasi luajti në atë koncert, zoti Corea dhe basisti Dave Holland braktisën ansamblin e Davisit dhe iu bashkuan daullistit Barry Altschul dhe saksofonistit Anthony Brazton për të themeluar “Circle”, një grup jetëshkurtër, por me ndikim që përvetësoi një qasje avangardiste.

Zoti Corea themeloi më 1971 “Return to Forever” me zotin Clarke, saksonistin dhe flautistin Joe Farrell, perkusionistin Airto Moreira dhe vokalisten Flora Purim. Vitin pasues, bendi lëshoi albumin debutues të quajtur “Return to Forever”.

Më 1972, zoti Corea u bashkua për herë të parë me vibrafonistin Gary Burton për të incizuar një tjetër album të quajtur “Crystal Silence”. Ata të dy u bënë miq e bashkëpunëtorë për një kohë të gjatë. Të marrë së bashku, të dy albumet e labelit ECM përfaqësonin diçka të afërt me gjerësinë e plotë të identitetit të tij si muzikant – duke filluar nga e qeta dhe meditativja e deri te harbuesja dhe e gjalla.

“Ne e bëmë atë incizim brenda tri orësh; secila këngë ishte aty për aty”, pati thënë zoti Burton në një intervistë. Ata do të vazhdonin me shtatë albume në duet, dhe vazhduan të performonin bashkërisht deri në tërheqjen nga muzika të zotit Burton.

“Return to Forever” e ndryshonte shpesh personelin, por përbërja e tij më e qëndrueshme, pos zotit Corea, përfshinte kitaristin Al Di Meola dhe daullistin Lenny White. Kjo përsëritje e kuartetit realizoi një varg albumesh të njohura: “Where Have I Known You Before” (1974), “No Mystery” (1975) dhe “Romantic Warrior” (1976) – që patën një stil të hard-rockut dhe secili prej tyre u ngjit lart e më lart në renditjet e billboardit.

Zoti Corea realizoi edhe një numër albumesh me ndikim, përfshirë “My Spanish Heart” (1976) dhe një varg incizimesh me “Elektric Band” dhe “Acoustic Band”. Tevona, gjatë karrierës, ai u krodh thellë edhe në traditën klasike perëndimore, duke incizuar vepra nga kompozitorë kanonikë si Mozarti dhe Chopini, si dhe duke kompozuar një koncert të tërë për orkestër klasike.

“Shkathtësia e tij është e pashoqe kur bëhet fjalë për botën e jazzit”, ka thënë zoti Burton. “Ai luajti në kaq shumë stile, mjedise e bashkëpunime”.

Më 1997, duke bërë një adresim në Berklee College of Music, zoti Corea iu tha anëtarëve të klasës së të diplomuarve që të ngulmonin në çarjen e rrugës përpara. “Është në rregull të jeni vetvetja”, ka thënë ai. “Në fakt, sa më shumë të jeni vetja, aq më shumë para do të bëni”.

(The New Tork Times)