Kulturë

“Jam bindur tërësisht se vërtet qenka vështirë të jesh shqiptar...”

Nga të rrallët që kundërshtoi nacionalizmin dhe shovinizmin antishqiptar të serbëve dhe malazezëve, ishte Jevrem Brkoviqi, i cili, pos tjerash, për atë fushatë aq të madhe kundër shqiptarëve shkroi edhe librin “Drama e Lubjanës”(botuar më 1986), në treqind faqe ku nxori (me emër e mbiemër) të gjitha të palarat nacionaliste. Në atë libër pos tjerash, e shkruan edhe këtë: “Unë nuk jam fajtor që nuk mundem, në të vërtetë, nuk di, nuk jam ashtu i edukuar, të urrej shqiptarët, të urrej çdo gjë të tyre, bile edhe fëmijët e pafajshëm. Unë asnjë popull, prandaj as shqiptarët, nuk mund t’i krahasoj me kriminelët nga radhët e atij populli. Si mund t’i urrej miqtë e mi të dashur, shkrimtarët nga Kosova, të cilët janë njerëz të ndershëm...”

Vijon nga numri i kaluar i Shtojcës për kulturë

Në Aeroportin e Beogradit presim në rend. Jevrem Brkoviq kalon kontrollin, merr pasaportën dhe ndalet aty afër të më presë. Në rresht për kapërcim ka shumë njerëz. Para meje janë dy gjermanë dhe një tjetër, me sa më kujtohet, boshnjak. Që të tre para meje kapërcejnë shpejt, me një kontroll formal. Dorëzoj pasaportën, pres. Polici kontrollor shfleton pasaportën, shikon në do regjistra, prapë kthen shikimin kah pasaporta. Më shikon dhe vazhdon të shfletojë regjistrat para vetes. Shoh se të tjerët pas meje shikojnë habitshëm dhe, natyrisht, shprehin revoltën me lëvizje buzësh. Sipas vlerësimit të tyre, pas gjithë atij kontrolli të përpiktë, kushedi se çfarë kanë mundur të mendojnë për mua, me siguri më kanë radhitur në regjistrin e kriminelëve...Revoltohet edhe Jevremi. Bën me dorë drejt meje: - “Hajde, - thotë me ngadalë. – Kapërce!” Kurse unë ia bëra me gisht se duhet pritur. Më pastaj i erdhi radha të ma dorëzojnë pasaportën, kurse unë iu falënderova dhe kapërceva.

- Çka ndodhi? – pyeti habitshëm Jevremi.

- E çka të thashë mbrëmë në hotel, në Pragë? A nuk më besove kur të thashë është vështirë të jesh gjithmonë i poshtëruar dhe gjithmonë nën hetime... – iu përgjigja.

- Uh, nënën... – u shpreh me nervozizëm, pa përmendur adresën e sharjes. – Tash jam bindur tërësisht se vërtet qenka vështirë të jesh shqiptar. E ti, - më tha, - edhe i the faleminderit?!

-Po. Ne shqiptarët jemi të kulturuar.

Qeshi duke e sjellë kokën, pastaj hodhi dorën mbi qafë time, ndërkaq unë, skaj atij shtati korpulent, dukesha si fëmijë.

“Unë nuk jam fajtor që nuk mundem...të urrej shqiptarët, të urrej çdo gjë të tyre, bile edhe fëmijët e pafajshëm...”

Me Jevremin vazhduam t’i mbajmë lidhjet telefonike; vazhdova të furnizohem me botimet e tij të hershme e të mëvonshme përmes të cilave njihem me ndjenjat e tij aq humane, me qëndrim të përhershëm në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, duke ngre zërin botërisht jo vetëm në tubime shkrimtarësh, por edhe në shumë revista e gazeta të Zagrebit, Beogradit, Sarajevës, Podgoricës... madje edhe përmes librave.

Fushata kundër shqiptarëve paralajmëronte masat më drastike që duhej të ndërmerreshin kundër shqiptarëve, dhe prijës të asaj fushate ishin edhe shkrimtarët serbë, ata të Kosovës, në rend të parë, e pastaj shkrimtarë e intelektualë nga mese të tjera serbe të ngarkuara me nacionalizëm e fashizëm, duke ngre zërin e urrejtjes edhe në kuadër të institucioneve dhe asociacioneve të tjera, siç ishte asociacioni i shkrimtarëve të Serbisë, mandej Lidhja e Shkrimtarëve të Jugosllavisë përmes individëve të dalluar antishqiptarë, me të cilët në ato takimet të famshme përballeshin të ndjerët Hasan Mekuli dhe Azem Shkreli, si anëtarë të Kryesisë së Shkrimtarëve të Jugosllavisë. Nga të rrallët që kundërshtoi nacionalizmin dhe shovinizmin antishqiptar të serbëve dhe malazezëve, ishte Jevrem Bërkoviqi, i cili, pos tjerash, për atë fushatë aq të madhe kundër shqiptarëve shkroi edhe librin “Drama e Lubjanës”(botuar më 1986), në treqind faqe ku nxori (me emër e mbiemër) të gjitha të palarat nacionaliste. Në atë libër (në faqen 184) pos tjerash, e shkruan edhe këtë: “Unë nuk jam fajtor që nuk mundem, në të vërtetë, nuk di, nuk jam ashtu i edukuar, të urrej shqiptarët, të urrej çdo gjë të tyre, bile edhe fëmijët e pafajshëm. Unë asnjë popull, prandaj as shqiptarët, nuk mund t’i krahasoj me kriminelët nga radhët e atij populli. Si mund t’i urrej miqtë e mi të dashur, shkrimtarët nga Kosova, të cilët janë njerëz të ndershëm.? Si t’i urrej Enver Gjerqekun, Ali Podrimjen, Ibrahim Kadriun, Qerim Ujkanin, Mirko Gashin, Azem Shkrelin, Rexhep Qosjen, Esad dhe Hasan Mekulin, me të cilët tash e tridhjetë vjet gjendem bashkë në takime e simpoziume letrare...”

Vazhdon pastaj ndjekja edhe e Jevrem Brkoviqit. E përjeton përcjelljen e vazhdueshme policore. Lidhur me këtë, në një takim të mëvonshëm letrar, më tha: “E kisha halë në sy një udbash i cili më përcillte në vazhdimësi. Madje më vinte edhe në shtëpi, kinse për të pirë kafe, kinse të mbanim një miqësi, ndërkaq unë e dija se cili ishte interesimi i tij, të mblidhte sa më shumë shënime për shkrimtarët shqiptarë, meqë e dinin se unë kisha kontakte të përhershme me Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Hasan Mekulin e kështu me radhë. Një ditë ishim në një orë letrare në Tuz. Kur u ktheva, ai tipi i policisë erdhi tek unë dhe, kinse spontanisht, më pyeti se si kalova në atë orë letrare dhe kush ishte me mua. Meqë ora letrare qe mbajtur para publikut shqiptar të asaj ane, e kuptoja se interesimi i tij ishte të mësonte se cilët ishin ata shkrimtarë shqiptarë që kishin marrë pjesë. Duke ia ditur qëllimin, pra, i thashë se kishim kaluar shumë mirë, se kishte shumë publik, ndërkaq me mua ishin edhe Fan Noli, Migjeni, Naim Frashëri... Pas pak ai u largua nga shtëpia ime dhe kurrë më nuk erdhi. Me gjasë, kur i ka shënuar emrat e shkrimtarëve në raportin që e ka dorëzuar në UDB, ndonjë shef i tij mund të ketë qenë më i mençur dhe ka pasur njohuri për shkrimtarët që i kisha përmendur unë si pjesëmarrës në orë letrare dhe e kishte kuptuar që e kisha vënë në lojë. Kështu u çlirova prej tij...”

“Unë jam i treti Brkoviq që, për shkak të terrorit të regjimit serb kemi qenë të shtrënguar të gjejmë strehim në Shqipëri”

Ndjekja ndaj Jevrem Brkoviqit vazhdon.

Kërcënimet gjithashtu vazhdojnë, kërcënimet me vrasje.

Detyrohet të bëjë planin e shpëtimit, duke llogaritur se i vetmi vend shpëtimtar për të do të jetë Shqipëria, prandaj edhe ia mësyn Shqipërisë.

Kapërcimin e kufirit drejt Shqipërisë, përmes ambienteve të papërshtatshme dhe në këmbë, e bën i ndihmuar nga shqiptarët.

- Unë jam i treti Brkoviq që, për shkak të terrorit të regjimit serb kemi qenë të shtrënguar të gjejmë strehim në Shqipëri. I pari ishte Jovan Noviqin Brkoviq, vëllai i gjyshit tim, i dyti është Sava Krstov Brkoviq, i cili pati gjetur strehim në Shqipëri në vitin 1937, dhe unë që kapërceva andej më 8 tetor 1991. I shoqëruar nga shqiptari R.M, kah ora 17:00 jam gjendur në një hapësirë të një are me gjerësi në të cilën kishte burra e gra që mblidhnin misër. Jam ndalur dhe i kam pyetur: a është kjo Shqipëria? Më dëshiruan mirëseardhje, derisa njëri nga më të vjetrit prej tyre m’u afrua dhe më tha: “Ne të njohim kush je, të kemi parë në televizor...” Kemi arritur në Shkodër, ku jam takuar me shkrimtarin Fadil Kraja i cili do të më siguronte udhëtimin (me taksi) drejt Tiranës ku, në saje të Dritero Agollit, u vendosa në hotel “Tirana”. Më 10 tetor u takuam me Dritëro Agollin dhe Nasi Leren. Gjatë asaj bisede më thanë se në Tiranë mund të rrija sa të doja, por interesimi im ishte të vazhdoja drejt Lubjanës dhe prej andej të kaloja në Zagreb. Më 14 tetor Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë ma siguroi udhëtimin me aeroplan drejt Budapestit dhe, pastaj, vazhdova drejt Lubjanës...

Atje, në Tiranë, Jevrem Brkoviq gjen përkrahjen për të vazhduar tutje ikjen. Ndihmohet materialisht për t’u larguar me aeroplan nga Tirana drejt Budapestit dhe, më tutje, arrin në Lubjanë prej nga shkon në Zagreb për të qëndruar me vite të tëra si azilantë.

Kthimi në Mal të Zi ndodh pas qetësimit të erërave të luftës në atë ambient, por megjithëkëtë jeton gjithnjë në ethet e të ndjekurit dhe për këtë, më së miri bind ndjekja e fundme e cila përfundon me vrasjen e përcjellësit të tij.

Me kryelartësinë e njeriut i cili tërë jetën është prirë nga veset burrërore, vazhdon të jetojë në Podgoricë, duke u marrë vazhdimisht me shkrimin e veprave të reja të cilat, së fundmi, kanë përmbajtje ditari. Brenda kopertinave të këtyre botimeve shfaqet portreti i plotë i shkrimtarit dhe humanistit të madh, por dalin mbi sipërfaqe edhe shumë emra dhe episode të thyerjeve historike në Jugosllavinë e fundit, duke ofruar të dhëna interesante mbi figurat dhe thyerjet ideologjike të kohës. Si gjithmonë, ai ishte i përqendruar te ngjarjet në Kosovë, te fatet e krijuesve të Kosovës.

Vazhdon komunikimi edhe pas ditëve të luftës. Interesohet për të gjithë, pastaj për emra veç e veç, dhe mëson për pushkatimet e shkrimtarëve, të Latif Berishës, Ymer Elshanit me gjithë familjen. Ofshan, mbase edhe qan, edhe shan egërsinë e shovinistëve serbë. I duket e pabesueshme. Atë urrejtje aq të madhe të nacionalistëve serbë kundër shqiptarëve as që e kishte marrë me mend. Tashmë i dinte të gjitha pasojat e luftës. I gëzuar përcjell fushatën bombarduese të ushtarëve të Aleancës kundër caqeve serbe dhe përfundimin e dëshiruar sipas Marrëveshjes së Kumanovës, e cila detyronte largimin e të gjitha forcave serbe, policore dhe ushtarake nga Kosova. Me entuziazëm priti shpalljen e Pavarësisë të Malit të Zi, me ç’rast ia dërgova mesazhin:

“Akademikut, poetit, bardit të Malit të Zi dhe mikut tim Jevrem Brkoviqit:

Në kuptimin më të mirë, miku im, erdhi kjo ditë e cila ia kthen dinjitetin popullit tënd të dashur, për të cilin jeni angazhuar dhe i keni viktimizuar ditët më të mira të jetës. Me fat, vëlla! Ju qoftë me fat Pavarësia, kthimi i vlerave historike në formën që e meritojnë popujt me të kaluarën e lavdishme, përmes rrugës demokratike në periudhën kohore kur e drejta kombëtare iu anashkalua. Fitorja e vullnetit të popullit, pavarësia e Malit të Zi, njëherësh është edhe fitore e gjithë mendjeve të lira që kanë marshuar dhe marshojnë drejt vlerave të civilizimit, përmes rrugës e cila ka bllokuar të ishit (dhe të ishim) të vetvetes. Miku im, tash jeni të vetvetes. Me fat! Vizionariteti Juaj është vërtetuar, me këtë akt, jo vetëm si dëshirë, por edhe si realitet; e keni ndjerë dhe, përherë, keni besuar se do ta arrini ditën e Pavarësisë. Ju këtë e keni proklamuar me logjikën dhe shpirtin tuaj poetik. Kjo është parë në vargjet Tuaja, edhe atëherë kur keni nisur të këndoni, edhe kur keni qenë të vetmuar, edhe kur keni qenë të ndjekur, por kurrë nuk jeni zmbrapsur, vëlla poet; kurrë nuk keni dyshuar se nuk do të jeni të vetvetes. Tash kur keni fituar dhe e keni çuar në vend vullnetin e popullit, për atë që keni luftuar aq gjatë, sinqerisht ju uroj, me shpresë se edhe ne, në Kosovë, ditën e Pavarësisë shumë shpejt do ta përjetojmë.”

Këtë mesazh urimi Jevrem Brkoviqi e botoi në revistën e Akademisë Malazeze të Arteve.

Si përgjigje këtij mesazhi ishte bindja që e tha se Kosova e ka fituar pavarësinë në qershorin e 1999-s, me faktin se gjithë ajo strukturë ushtarake, paraushtarake e policore serbe, e gjendur në Kosovë si përgjegjëse për mijëra e mijëra viktima, gjatë operacioneve për ta shndërruar Kosovën në tërësi si tokë të djegur, ra në gjunjë para urdhrave të forcave të Aleancës Atlantike dhe u detyruan të iknin nga Kosova. Që atë ditë e tutje Kosova, me lirinë e fituar, njëherësh e gëzoi edhe pavarësinë. Shpallja zyrtare paraqet vetëm një akt shtesë. Jam i bindur se shumë shpejt do ta përjetoni edhe shpalljen, edhe pranimin nga shtete të tjera. Pavarësisht nga kjo, unë shumë shpejt do të arrij në Kosovë...

Një fotografi të madhe të Adem Jasharit në zyrën e Brkoviqit

Qëndrimi i Jevrem Brkoviqit që ta vizitojë Kosovën, pikërisht në periudhën kohore kur vështirë se mund të gjendej ndonjë pjesëtar i serbëve apo edhe i malazezëve, që do ta vizitonte Kosovën.

Jevremi erdhi.

“Do të gjendem në hotelin ‘Grand’”, (2005) më telefonoi.

Kishte ardhur me qëllim që vetë të shihte realitetin e Kosovës pas gjithë atyre viteve me plot trishtim nën trysnitë e shovinizmit serb. I kishte të planifikuara takimet me njerëzit më autoritarë të shtetit të ri, por edhe me disa nga liderët e partive, siç ishte Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi e ndonjë tjetër.

- Më Ibrahimin, - më tha, - nuk munda të takohem. Më thanë se qenka në terapi (fillimi i muajit nëntor 2005). Më vjen keq për atë njeri aq vizionar. Isha te Thaçi, në zyrën e tij të Partisë. Nuk ia kam pirë kafenë. Më shikoi habitshëm, kur ia refuzova kafenë, i thashë: “Unë jam zotëri. Kafenë e pi për qejf, por në filxhan porcelani, e jo në gotë plastike...”

Nga takimet me kryesues të partive, Jevrem Brkoviq ishte njoftuar mbi rrjedhat e ngjarjeve jo vetëm gjatë ditëve të luftës, por edhe për angazhimet e pasluftës në eliminimin e pasojave. Ishte i interesuar të dilte edhe jashtë Prishtinës, për t’u njohur sa më mirë me gjendjen.

- Kërkoj që nesër të jesh tërë ditën me mua, - më tha. – Nuk mund të kthehem në Mal të Zi pa e vizituar Prekazin. Çka ta merr mendja, a më lejohet vizita e atij vendi të shenjtë?

- Natyrisht, - ia ktheva. – Njerëzit e vullnetit të mirë duhet ta fusin në kujtesën e vet edhe atë ambient, ani pse është ambient i tragjedisë së madhe.

- E, pra, nesër bashkërisht do të shkojmë atje.

Shkuam.

Në orët e pasdites në Prekaz nuk kishte shumë njerëz, dukej sikur të kishte përfunduar orari i vizitave, ndonëse askund nuk pamë ndonjë orar. Dëshira e Jevremit që të takohej me ndonjë nga të gjallët e Prekazëve nuk u realizua, sepse mungonin ata që zakonisht i presin mysafirët në odën e tyre, por ishte, ta quaj, kujdestari i zyrës, që ofronte informacione. Ai i tregoi Jevremit se fisi i Jasharëve kishte përjetuar tri rrethime nga forcat policore dhe paraushtarake serbe. Më 30 dhjetor të vitit 1991 kishte ndodhur rrethimi i parë dhe, prej asaj dite, fillon jeta ilegale e Adem Jasharit. Më 22 janar të vitit 1998 prapë rrethohen shtëpitë e Jasharëve, ndërkaq, dy muaj më vonë, në fillimin e marsit, ndodhi rrethimi i tretë fatal i familjeve të Jasharëve nga forcat militare e paramilitare serbe. Është bërë luftë e pabarabartë mes Jasharëve që ruanin pragun e derës dhe policëve dhe paramilitarëve serbë të armatosur gjer në dhëmbë, të ndihmuar edhe nga tanket dhe topat. Lufta ka zgjatur më shumë se dy ditë dhe dy net. Kanë luftuar të gjithë, që nga plaku i shtëpisë, daja i Ademit, që kishte qenë mik asaj nate dhe deri te fëmijët mbi 12 vjet. Njëri prej fëmijëve, Fitimi, është gjetur i vrarë me automatik në dorë, në oborrin e shtëpisë. Në tri kullat e Jasharëve janë varë 26 vetë, ndërsa nga i gjithë fisi i tij 57 vetë.

Jevremi mbeti si i ngrirë me shikim herë kah djaloshi që i rrëfente, herë kah kullat e shkatërruara nga granatimet. Mori qëndrim gatitu dhe tha:

- Të shkojmë te varret, dua t’u bëj nderim.

Iu afruam hapësirës së varreve, të mbuluar me kurora lulesh.

Jevrem Brkoviq u ndal para çdo varri, duke qëndruar në heshtje dhe duke u përulur.

Prapë kërkoi të ktheheshim tek ajo zyrë e mëparshme. Edhe njëherë i shikoi botimet dhe fotografitë e Adem Jasharit në formë posterësh. Jevremi mori disa suvenirë, “më duhet ta mbaj kujtesën gjallë për këtë ambient heroizmi dhe dinjiteti kombëtar.” Mori edhe një poster, një fotografi të madhe të Adem Jasharit.

- Ma jep edhe këtë, - i tha djaloshit të zyrës. – Do ta marr që ta vë në dhomën ime të punës, në studion time në Podgoricë. Sa kushtojnë këto? – e pyeti.

- Gjithsej nëntë euro.

- E ajo arkë, ç’është aty? – e pyeti për arkën mbi tavolinë, një arkë e mbyllur, por që kishte një vrimë sipër.

- Është për të mbledhur para me të cilat do të ndihmohej ngritja e objekteve memorialë për Adem Jasharin dhe fisin e tij.

- Mirë shumë, - tha Jevremi. – Ja pesëdhjetë euro.

Djaloshi i mori pesëdhjetë euro. I ndali nëntë euro, kurse 45 euro ia ktheu Jevremit.

- Këto 45 euro, - tha Jevremi, - futi në arkë, le të jetë kjo një ndihmë e imja, sado e vogël.

U kthyem drejt Prishtinës. Jevremi gjatë tërë rrugës ka heshtur.