Kulturë

Një tregim i vërtetë dhe familjar kundrejt patriarkatit

Një grua kosovare, në agoni që nga zhdukja e burrit në luftë, nis një ndërmarrje biznesore, pavarësisht kundërshtimeve të mëdha të burrave

 

Lufta në Kosovë ka përfunduar në vitin 1999, por për shumë familje vuajtjet krijojnë një konflikt që shtrihet edhe në shekullin e ri, duke jehuar deri në ditët e sotme. Kjo e vërtetë e ftohtë siguron sfondin për filmin debutues të Blerta Bashollit. “Zgjoi” gërmon në historinë e vërtetë të qëndrueshmërisë kundër paragjykimeve të pakapërcyeshme nga shtresa të vogla dhe shpresën që mund të nxisë.

Fahrija – e luajtur nga Yllka Gashi – me kokëfortësi, guxim dhe vetëpërmbajtje, është një nga dhjetëra gra të fshatit të vogël në Kosovë, burrat e të cilit janë të zhdukur që nga lufta. Edhe pas kaq viteve, trupi i burrit të saj ende nuk është gjetur; përpjekjet e autoriteteve për të gjetur të pagjeturit kanë qenë të ngadalshme në mënyrë zhgënjyese. Brenda hierarkisë goxha patriarkale të shoqërisë rurale të vendit, kjo situatë i vë këto gra ndoshta të veja në një situatë të vështirë, veçanërisht kur ato njëlloj si Fahrija duhet të kujdesen për familjet e tyre. Ka pritshmëri ndaj tyre, që ato të vazhdojnë këtë pritje deri në kthimin e burrave të tyre, gjersa mbështeten nga ndihmat që u ndahen, pasi që për të marrë një punë ose për të ngritur një biznes shikohet jo vetëm si një përmbysje e rendit natyror, por si një shenjë mosrespekti ndaj burrit dhe diçka e pamoralshme.

Në shtëpi Fahrija kujdeset për vjehrrin e saj, Haxhiun (që luhet mrekullisht nga Çun Lajçi), vajzën e saj adoleshente dhe djalin më të vogël, e me secilin prej tyre ajo bie në konflikt për shkak të pavarësisë së saj që perceptohet si mëkat dhe turp për familjen. Ajo kryen, për shembull, mëkatin e marrjes së patentës së shoferit dhe kur dikush hedh një gur në dritaren e makinës së saj dhe e quan atë kurvë, një grup burrash të moshuar jashtë një kafeneje nuk bëjnë asgjë për ta ndihmuar. Duket se ata e miratojnë aktin.

Është edhe më keq sesa e mendojnë ata. Jo vetëm që Fahrija po vozitë, por ajo po kthehet pas një bisede të suksesshme me një menaxher supermarketi për të ndarë një vend për ajvarin e saj të bërë në shtëpi (realizuar me speca të pjekur e që është i njohur në regjion), bashkë me shoqen e saj Nazen (Kumrije Hoxha), një grua e moshuar e që nuk tregon respekt ndaj njerëzve, e që me shpesh me shakatë e errëta sjell një frymë humori të mirëpritur. Biznesi nisi me pak mbështetje nga gratë e tjera të fshatit dhe me kundërshtimin e vazhdueshëm të burrave. Por shumë shpejt shembulli i qëndrueshëm i Fahrijes ka një efekt inkurajues mbi bashkëmoshatarët e saj, dhe madje fillon t’i bëjë përshtypje edhe Haxhiut, ndërsa çështja e fatit të burrit të saj Agimit mbetet në mënyrë torturuese pa përgjigje.

“Zgjoi” është një film i drejtpërdrejtë, i prezantuar me imazhe të xhiruara me kamerë në dorë, të paromancuara të drejtorit të fotografisë, Alex Bloom, të akorduara me tone mesatare të ngjyrës së kafenjtë dhe gri; këtu edhe rrezet e diellit duken jomiqësore. Rezultati i shkëlqyeshëm i kolonës zanore të Julien Painot përdoret me masë, dhe një sekuencë e vetme e shkurtër e ëndrrave është e gjitha që ofron një lulëzim personal të regjisores. Se një film i nënvlerësuar i realizuar me kujdes mori Çmimin e audiencën, të regjisë dhe Çmimin e madh të jurisë në një konkurs të gjallë “Sundanceit” në kategorinë “World Dramatic”, ka lidhje edhe me një admirim për personazhin real, Fahrijen (biznesi me ajvar i së cilës vazhdon të lulëzojë) dhe mënyra sesa lehtësisht historia e saj mund të kapë ritmin e një rrëfimi që triumfon mbi fatkeqësinë.

Sidoqoftë, ka momente, veçanërisht në performancën këmbëngulëse të Gashit, që lidhen me një fuqi shqeto emocionale. Kur Fahrija kënaqet me një arritje, si marrja e licencës ose kur produktet e saj të grumbulluara për herë të parë në një raft dyqani; kur ajo kërkon me dëshpërim në një furgon plot me kufoma në kërkim të asaj që mund të jetë e Agimit; dhe më prekëse, kur, pasi mbajti barrën e gjykimeve dhe dyshimeve të shumta karshi ndjenjave të saj për burrin e zhdukur, e kujton atë shkurt, bashkë me Haxhiun. Zbulohet se ai ishte një njeri i butë, i cili ndërtoi kosheret e tij, e që bletët nuk e pickuan asnjëherë dhe se Fahrija beson se ai do të kishte mbështetur zgjedhjet që ajo ka bërë.

Është një koment prekës, që na shtyn të kuptojmë se një pjesë e tragjedisë së njerëzve të brezit që shkatërrohet nga lufta është se shoqëria në përgjithësi e humb hapin e përparimit të cilin më të mirët e tyre do ta promovonin. Filmi modest i Bashollit luan me pikat e forta të ekranit të vogël dhe mund të vërë baste të njëpasnjëshme se me suksesin e tij në Sundance do të sjellë një ekspozim më të madh. Por, ende i përmbahet konvencës frymëzuese që nuk duhet ta nënvlerësojë ngjitjen e përfundimit të saj. Për shembull, në të ardhmen Fahrija do të duhej të merrej me të njëjtin shitës të specave që u përpoq ta përdhunonte – megjithëse këtë herë ajo do të mbajë një kaçavidë për mbrojtje. “Zgjoi” është një film për shpërblimet e fituara me vështirësi të qëndrueshmërisë, por ekziston edhe një trill: një përkujtim se sa të rrezikshme vazhdojnë të jenë komunitetet patriarkale për gratë, veçanërisht për ato që arrijnë të hapin një vrimë të vogël të pavarësisë brenda tyre.

Marrë nga “Variety”. Përktheu Alberina Haxhijaj