Kulturë

“Zgjoi” në hapje të epokës së re për filmin

Descriptive Text

A mundet fituesi që bëri histori në kinematografinë e Kosovës e madje edhe në atë të festivalit më të madh të filmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Sundance Film Festival”, t’i ndryshojë gjërat? Kinematografët e vlerësojnë si mundësi të artë që Kosova duhet ta shfrytëzojë. “Zgjoi” dhe suksesi i tij është thirrje për shtetin që të investojë më shumë në kulturë e në art

Për katër ditë – që nga premiera më 31 janar e deri të marrja e tre trofeve mëngjesin e 3 shkurtit – “Zgjoi” me skenar e regji të Blerta Bashollit ishte në vëmendjen e të gjithëve. Lajmin për fitoren e trefishtë e kanë përjetuar edhe kineastët nga Kosova. Te Blerta ata shohin jo vetëm shpresën që projektet e tyre një ditë do t’ia dalin mbanë kudo në botë, por edhe nevojën që institucionet t’i mbështesin më shumë.

Por, a mundet fituesi që bëri histori në kinematografinë e Kosovës e madje edhe në atë të festivalit më të madh të filmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Sundance Film Festival”, t’i ndryshojë gjërat? Kinematografët e vlerësojnë si mundësi të artë që Kosova duhet ta shfrytëzojë.

Mundësia e artë

Regjisorja Blerta Zeqiri është e para regjisore nga Kosova që mori shpërblim në “Sundance Film Festival” në vitin 2012 me filmin e saj të shkurtër “Kthimi”. Mori çmimin për filmi më i mirë i shkurtër. “Zgjoi” sipas saj, është suksesi më i madh i arritur në lëmin e filmit ndër të gjithë shqiptarët historikisht, por ndoshta edhe në rajon.

“Për Kosovën kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Porse këtë arritje nuk duhet ta lëmë te na rrëshqasë nga dora”, ka thënë Zeqiri. Filmi i saj “Kthimi”, pati rrugëtim të shkurtër në festivale. Kjo, pasi që organizata joqeveritare “Nine Eleven” e udhëhequr asokohe nga producenti Blerim Gjoci, në tetorin e 2012-s e tërhoqi filmin nga nominimi për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit, i njohur si “Oscar” evropian. Ai kishte kërkuar që të vërtetohej e drejta e pronësisë autoriale mbi filmin “Kthimi”, dhe e kishte paditur regjisoren. Epilogu erdhi tek në korrik të vitit të kaluar duke vendosur përfundimisht në favor të regjisores Blerta Zeqiri.

Zeqiri, gjersa ka folur për “Zgjoin”, ka thënë se shteti duhet ta kapë këtë mundësi dhe të fillojë të investojë më shumë në këtë film dhe në industri të filmit në përgjithësi, sepse “me investime relativisht të vogla, po arrihen suksese të jashtëzakonisht të mëdha”.

Për aktorin e producentin Shkumbin Istrefi – i cili ka pasur rastin që të bashkëpunojë nëpër projekte të ndryshme me disa nga aktorët që janë pjesë e filmit “Zgjoi” – kinematografia e Kosovës është duke përparuar me hapa të mëdhenj. Sipas tij, pas shumë filmave të prodhuar viteve te fundit, suksesi i madh i filmit “Zgjoi” e dëshmoi këtë edhe njëherë dhe përfundimisht.

“Kjo është arritur me përkushtim tejet të madh, profesionalizëm dhe art, përkundër mbështetjes simbolike financiare që projektet kinematografike marrin nga shteti”, ka shkruar ai në “Facebook”. Për të, përmes filmit, Krusha e Madhe me tregimin e saj është dëgjuar botërisht dhe në formën me të mirë.

Sinjal për shtetin

Duke folur për kinematografinë Istrefi ka përmendur 2.1 milionë euro që dyshohet që janë vjedhur nga Thesari i shtetit në tetor të vitit të kaluar. Për dikë mund të duket sikur këto dy gjëra nuk krijojnë lidhshmëri, por çfarë nëse ato do të investoheshin në kinematografi?

“’Topi’ është te shteti, i cili duhet ta shumëfishojë përkrahjen financiare. Kemi çka tregojmë dhe dimë ta tregojmë në mënyrën që bota e pranon dhe e vlerëson”, ka shkruar ai. Ka thënë se buxheti vjetor i mbështetjes për kinematografi që i ndahet Qendrës Kinematografike të Kosovës nuk kalon 700 mijë euro, prej të cilave rreth 600 mijë euro u ndahen projekteve.

“Që i bie mesatarisht nga 120 mijë euro për tri projekte të metrazhit të gjate dhe të tjerat për kategori të tjera. Kjo është shumë, shumë pak. Tepër pak”, ka shkruar ai.

Ashtu siç Fahrije Hoti në film numëron paratë, edhe kineastët e kushdo që përfshihet në projekte filmike në Kosovës, i kanë jo të rralla sfidat e tilla.

Këtë në një formë e ka pohuar edhe Istrefi i cili ka shkruar se shpesh producentët, regjisorët e skenaristet mbesin pa u paguar, dhe aktoret me pagesat simbolike, sepse honoraret e veta i japin për të mbuluar shpenzimet e filmit.

“Një film i metrazhit të gjate i merr mesatarisht 3 vjet kohe për t'u përfunduar. Është punë e madhe, e mundimshme dhe me shumë shpenzime vetanake të prodhohet një film. Ndërsa kulturës dhe shtetit i sjell më shume promovim se kushedi sa aktivitete politike e diplomatike”, shkruan Istrefi. Një promovim të tillë, me shumë rëndësi e bëri edhe “Zgjoi”, filmi që nuk mori tre vjet kohë për t’u realizuar, por një dekadë.

Image
Në shesh-xhirimi për filmin “Zgjoi”

“Rroftë sebepi!”, thuhet me ironi kur dikush e shfrytëzon një shaka, një rast a një rrethanë çfarëdo, për të bërë diçka ose për të nxjerrë ndonjë përfitim. Kjo del të jetë edhe për politikën. Pas triumfit në “Sundance” rrjetet sociale të politikanëve u mbushën me lëvdata për ekipin. Lavdëruan filmin, e zbërthyen atë, edhe pa e parë fare.

Pas festës e zhgjëndrrës, shteti është ai që duhet të nisë punën. Njëlloj si Fahrija (Yllka Gashi) e gratë e Krushës së Madhe, që punojnë pa ndërprerë, përkundër paragjykimeve e shoqërisë patriarkale që mundohet t’i ndalojë.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku ka thënë për KOHËN se fitorja e trefishtë e “Zgjoit” në “Sundance” është moment historik për kinematografinë vendit. E ka cilësuar si vlerësim të lartë për një film briliant. Për të, mënyra se si regjisorja dhe skenaristja Basholli ka arritur që një ngjarje të vërtetë ta kthejë në ekran, është për çdo lëvdatë.

“Kur punohet me përkushtim dhe me ekip të tillë, atëherë edhe suksesi nuk mungon. Ky lajm gjithashtu është shenja e fundit që vendi të bëjë një mbështetje më të madhe për krijuesit e filmit, sepse po e shohim shumë mirë se çfarë impakti global ka filmi dhe sa i madh është suksesi”, ka thënë ai.

Shpresa përtej filmit

Është pikërisht shpirti ndërmarrës i Fahrijes që kthehet si fanar për dhjetëra gra që kanë mbetur pa burra në fshatin rahovecas, ku forcat serbe vranë 240 njerëz. Por, kur përmendet fshati dhe “Zgjoi”, i regjisores Blerta Zeqiri këto dy fjalë i krijojnë lidhshmëri me poezinë “Fshati im”, shkruar nga Andon Z. Çajupi.

“Jemi të veçantë në botë, sepse sukseset me të mëdha në fusha të cilat në botë udhëhiqen nga burrat, në Kosovë këto suksese i kanë arritur gratë – e kjo është e paparë në botë – këtë gjë duhet reklamuar sepse është shumë e bukur. Çajupi e ka thënë këtë kaherë për gruan shqiptare, në poezinë e tij ‘Fshati im’”, ka thënë Zeqiri e cila ka veçuar disa vargje: “…Burrat nën hije, lozin, kuvendojnë, pika që s’u bie, se nga gratë rrojnë! Gratë venë nd’arë, dhe në vreshta gratë, gruaja korr barë, punon dit’ e natë. Gratë në të shirë, në të vjela gratë, ikinë pa gdhirë, kthenenë me natë. Gruaja për burrë digjet në diell, punon e s’rri kurrë as ditën e diel. O moj shqipëtarkë, që vet’ e nget qetë, edhe drek’ e darkë kthehesh e bën vetë; Moj e mjera grua, Ç’e do burrë zinë që ftohet në krua dhe ti mban shtëpinë!”.

Rreth një fshati shtjellohet edhe rrëfimi i “Zgjoit”. Fahrija, gruaja nga Krusha e Madhe, është e kryqëzuar mes dhembjes për burrin e zhdukur, skamjes në shtëpi dhe një rrethi shoqëror që nuk arrin ta ndihmojë, përveçse ia shton dhembjen me fshikullime paragjykimesh. Por, aty ku duket gjithçka e mbaruar prej fatalizmit, vetëtin shpresa.

Edhe “Zgjoi” sipas regjisores More Raç,a është një shkëndijë shprese.

Ka thënë se viteve të fundit kinematografia kosovare ka pasur disa suksese dhe padyshim “Zgjoi” është mes tyre. Ka treguar se i është gëzuar faktit se titujt e disa prej filmave më të suksesshëm janë nën regji të grave.

“Dominimi i gruas në kinematografi flet shumë për zhvillimin e kinematografisë kosovare, por edhe një zhvillim të mbarë të shoqërisë’, ka thënë ajo.

Java pati kryefjalë suksesin e “Zgjoit”, por për kinematografinë vendore, po ky shtatëditësh shënoi edhe suksese të tjera. Filmi “Exil” nën regji të Visar Morinës ka arritur që të jetë i nominuari i katërfishtë për çmimin gjerman të kritikëve të filmit. Është projekti i cili vitin të kaluar Morina u bë i pari nga Kosova që mori “Zemrën e Sarajevës”, më të madhin çmim në Festivalin e Filmit në Sarajevë. E në tetor u bë filmi i dytë i Morinës me të cilin Kosova synon “Oscarin”, pas filmit “Babai” më 2016. Përveç çmimeve e premierave në festivale me nam, “Exil” ka bërë histori edhe si filmi i parë me të cilin Kosova ia mësyn çmimit të madh “Golden Globe”. Në vitin, 2016 qe filmi “Shok” nën regji të Jamie Donoughue që mori vëmendjen e të gjithëve. Po ashtu bëri histori duke u nominuar për “Oscar” në edicionin e 88-të të “Academy Awards”.

Por, edhe filma të tjerë në një formë a tjetrën shënuan suksese që shtruan rrugën për projekte e suksese të reja, si Zana” nën regji të Antoneta Kastratit, “Shpia e Agës” me skenar dhe regji të Lendita Zeqirajt, Wake Up on Mars” nën regji të Dea Gjinovci. Të premten filmi debutues i Norika Sefës, “Në kërkim të Venerës” shfaqi premierën në Festivalin Ndërkombëtar të Roterdamit. U bë i pari projekt kosovar që ishte pjesë e ngjarjes së njohur.

Sidoqoftë, kur rikthehemi te filmi i Blerta Bashollit, se çfarë mund të sjellë mbetet akoma për të parë, por ajo që ka arritur deri tani është e jashtëzakonshme. Një sukses historik.