Kulturë

Një jetë me Rexho Mulliqin

Descriptive Text

Kur Nexhmija ishte e pranishme, Rexhoja luante në piano melodi më romantike. “Najherë në piano më bojke dishka... u fut nji simpati tash. Po s’i kemi thanë njani-tjetrit, zoti na rujt, deri ditën e fundit. Qeshtu... ai ka qenë nji njeri shumë inteligjent, atë krejt e dinë, edhe ka pi shumë, por kurrë kërrkond nuk e ka fajsu ose me shajt diçka ose jaaa, veç ai ka qenë edhe sprituoz edhe kur pike”, thoshte Nexhmije Pagarusha

Rexho Mulliqi do të jetë ulur pranë pianos dhe do ta ketë mikluar me ndonjë melodi të lehtë dashurie. Pranë do të ketë pasur ndonjë gotë rakie dhe në buzë ndonjë batutë. Asaj do t’i kenë ndritur sytë. Afërsia e tyre do të krijonte një lidhje martesore dhe muzikore njëkohësisht. Rexho Mulliqi, i lindur në Guci më 1923, do të shndërrohej në një prej emrave më të mëdhenj ndër kompozitorët shqiptarë. Rrugëtimi i tij jetësor, por edhe ai artistik janë mozaik më vete. Prej vendlindjes do të shkonte për të ndjekur mësimet në Medresenë e Shkupit. Më pas do të vendosej në Prishtinë, e pas Prishtinës në Beograd. Në kryeqytetin serb kishte ndjekur studimet në Akademinë e Muzikës. Mirëpo problemet me pushtetin e asaj kohe nuk i kishte të vogla. Do të përfundonte edhe në burgun famëkeq të Goli-Otokut, prej ku do të lirohej më 1953 dhe do t’i kthehej Prishtinës. Prishtinës sapo i ishte kthyer nga Beogradi edhe Nexhmije Pagarusha. Për herë të parë këngëtarja bashkëshortin e ardhshëm do ta shihte duke interpretuar në piano. Vitet me të, Pagarusha i ka tejet për qejfi. Sado e lodhur nga sëmundja, kur flet për Rexhon, përpiqet të jetë e këndellur. Gjatë gjithë kohës e kujton me buzëqeshje. Ia mban mend një humor të hollë e fort të dashur. Kur Nexhmija ishte e pranishme, Rexhoja luante në piano melodi më romantike.

“Najherë në piano më bojke dishka... u fut nji simpati tash. Po s’i kemi thanë njani-tjetrit, zoti na rujt, deri ditën e fundit. Qeshtu... ai ka qenë nji njeri shumë inteligjent, atë krejt e dinë, edhe ka pi shumë, por kurrë kërrkond nuk e ka fajsu ose me shajtë diçka ose jaaa, veç ai ka qenë edhe sprituoz edhe kur pike”, thotë ajo. Rrëfimin ia ndërpret cingërima e telefonit të shtëpisë. Pasi e hap, merr vesh se nga Zvicra po e merr mbesa e saj Fleta. Ajo është njeriu, për të cilin Nexhmija duket se jeton. Koha kur bie zilja e telefonit është tregues i saktë se po e thërret Fleta.

Kjo e entuziazmon edhe më shumë. Ka qejf që vetë të kthehet prapa e ta kapë telefonin. Këtë edhe e bën. “Alo. Unë a, po kcej... po gëzona që po vjen. Une pa ty shka kisha bo, aaaaa zemra jeme. Hajde se menxi po të presim, krejt garda është bo këtu si ushtri: kur vjen Fleta, kur vjen Fleta?” - flet Pagarusha në telefon. Kur flet me Fletën edhe mysafirët e dinë që qetësia duhet të jetë maksimale. Telefonatat e saj duket sikur e ringjallin. Kur Fleta ia cakton ditën se kur do të jetë në Prishtinë, Nexhmija vazhdimisht numëron se sa ditë i kanë mbetur për të ardhur. Fletës duket sikur ia fsheh edhe problemet shëndetësore. Apo kur flet me të i duket se është mirë. Pasi ndërpret telefonatën e nja tri a katër herë numëron ditët se sa i kanë mbetur mbesës për të mbërritur në Prishtinë, kujton se donte të tregonte një rast kur Kolë Balaj e Rexho Mulliqi pasi kishin pirë goxha shumë alkool, kishin nisur të diskutonin për rëndësinë e parave. Mulliqi, sipas Pagarushës, nuk ishte i dhënë pas parave. Kjo pikë del të jetë një prej atyre që i bashkonte çiftin model të kohës.

“Ky Rexha thuj paret kurgjo s’vyn bre. Kola thuj qysh s’vyjin. Une isha në kuzhinë ratë edhe po i kqyri...”, kujton ajo. Thotë se barsoletat më të bukura Mulliqi i tregonte kur ishte nën ndikim të alkoolit. “Nejse ma, u bo nja 1 orë e diçka, vyjn-s’vyjn edhe Kola ishte ul këtu, ai këtu, qysh bre po thotë paret nuk vyjn, qysh e kishe ble këto, edhe po ja kap setren... Rexho i tha: ‘Aaaa këto Nexhmija m’i blen’... hahahaha”, rrëfen ajo. Thotë se barsoletat me Rexho Mulliqin ishin të shumta. Të panumërta. Çifti kishte bërë një jetë modeste. Nexhmijes i kishte hyrë mendja të blinin makinë. Thotë se jo që donte të bënte jetë luksi, por kishte tjetër qëllim. Mendonte se kur ta kishin makinën, bashkë me Rexhon do të shëtisnin në natyrë e ndoshta kjo do të ndikonte që ai të pinte më pak alkool e të merrej më shumë me krijimtari. Në atë kohë prodhimet jugosllave të veturave ishin modelet që mund të bliheshin me lehtë. “Pi thom unë: ‘Hajde ta marrim nji Fiqë‘... Thashë nashta del në natyrë e shkrun a din kishe dojsha me e hek prej alkoolit e shkreta. Tha: ‘Jo, ju zotnitë që doni kerre, merrni’. ‘Ani’, thashë, edhe unë përnime e mora me kredi atëherë...”, kujton ajo. Që të dy ishin regjistruar për t’u pajisur me patentë shoferi. Fillimisht këtë dokument do ta merrte Mulliqi.

Nexhmija herën e parë kishte rënë nga testi. Por tash kur ishin bërë me makinë, kishin nisur të dilnin probleme e barsoleta të reja. Një gjë që bie në sy gjatë krejt rrëfimeve me Mulliqin është dashuria që përkthente gjithçka në një humor të hollë. Edhe grindjet i kishin në formë barsoletash. Madje në aso që duket se bëheshin vetëm për të prodhuar momente humoristike. Pasi merr terapinë me barna të pasdarkës, e që fare nuk i ka në qejf, Nexhmija thotë se Rexhoja në gjysmë të natës çohej nga shtrati ndonjëherë, e merrte makinën e dilte të pinte me shokë. Për ta ilustruar këtë zgjedh një prej përvojave që e konsideron ndër më interesantet. Nexhmija kishte realizuar një set me fotografi që nuk i pëlqenin. Gjatë gjithë ditës i kishte grisur ato. Dukjen e ka pasur pikë të dobët gjatë gjithë jetës. Thjesht, nuk ka dashur që askush ta shihte të pagrimosur e me flokë të parregulluar. Me këtë anë duket se përpiqej ta mbulonte një tjetër – që nuk ishte më e gjatë se 1,55 metra. Gjithmonë e kishte munduar fakti që nuk ishte më e gjatë. Për këtë edhe blinte këpucë të larta, me të cilat mezi ecte. Por fotografitë që nuk i kishin pëlqyer asaj, atë mbrëmje do t’i hynin në punë Rexhos për të bërë një barsoletë.

“Veç kur e nisha ka ora 2 e natës, trak e dhezke kerrin. Unë me kmishë të natës, dathë uuuu me ia marr çelësat. Edhe i kisha bre do fotografi, nuk m’pëlqejshin, i shkysha, i shkysha po apet mu gjindshin dikun. Edhe tash i thashë: ‘Ami çelësat!’ Tha: ‘S’t’i jap’... Thashë: ‘Ami se i lajmëroj policinë qi ma ki vjedhë kerrin’... U ofendu keq mos vet, më ka ardhë gjynah veç s’kom pasë çare pa i thonë. Edhe e çeli derën, dul, tha: ‘Urdhënoni ju zotni qi keni kerre’,... ma përplasi çelësin. Bani dy tre hapa apet u kthy, tha: ‘Bile unë s’po dal si majmun n’fotografi’... hahaha”, rrëfen ajo duke qeshur.

Rexhon e lavdëron shumë. Thotë se ishte alamet intelektuali. Në bazë të rrëfimeve të saj, del që kanë qenë tejet të dashuruar. Nexhmija rrëqethet kur flet për të. Nuk e thotë, por në bazë të qejfit që i kthehet kur flet për të, del se vitet më të lumtura të jetës i kishte si bashkëshorte e kompozitorit, me të cilin kishte lindur një djalë që jeton jashtë Kosovës. Por, në përvojat e saj me Rexhon hyjnë edhe personazhe të tjera. Janë fqinjët që sa argëtoheshin, edhe merakoseshin për kompozitorin. Myrteza Dacin asokohe e kishin fqinj e mik. Kur Rexhoja dilte vonë me veturë, ndodhte që Nexhmija të kërkonte ndihmë nga Myrtezai. Një natë Rexhoja nuk kishte ardhur deri në mëngjes. Nexhmija ishte brengosur shumë. Në raste të tilla priste me veshët katër. Brengosej se mund të aksidentohej me veturë.

Image
Pagarusha dhe Mulliqi me të birin, Leonardin

“Në mëngjes erdh, e çeli derën edhe tha: ‘Fiqa jonë gati është..’. ’Kuku’ - thashë – ‘shka u bo, mos e ki shkel dikend’... ‘Jo, jo’, tha, ‘Po ka hyp n’tarabë...’ ... ‘Qysh bre’ - thashë – ‘ka hyp n’tarabë’... Tha: ‘Hypi, dy rrotat në tarabë’”. Kishte qenë ora 5 e mëngjesit. Bashkë me Myrtezain ishin nisur të shkonin te vendi ku kishte ndodhur aksidenti. Nexhmija thotë se ishte dridhur, deri kur kishin arritur në Fushë-Kosovë, pasi paramendonte se Rexhoja mund të kishte shkelur ndonjë njeri. Kishte goditur një rrethojë të disa shtëpive serbe.

“Kur po kqyrim, përnime ‘Fiqa’ dy rrotat n’taraba, dy poshtë. Njona aty po më thotë: ‘Shumë njeri i mirë ish kon, a pe njeh ti?’. Thashë: ‘Jo nuk e njoh’... Bash qeshtu i thashë... Tha: ‘Na ka thanë m’falni zonjë qi ju kom prish tarabat...’”, rrëfen ajo, derisa ia plas të qeshurës.

Në këtë rast e qeshura e përthekon krejt hapësirën. Mënyra se si ajo e rrëfen këtë rast bën që e gjithë skena të jetë e pranishme në dhomë. Herë ngrihet në këmbë, herë nervozohet e herë përplas diçka për të treguar dramacitetin e rrëfimeve. Thjesht, përpiqet që situatat t’i bëjë sa më të kapshme. Më pas “Fiqën” e kishin rregulluar në Ferizaj. Mirëpo historitë me vetura Nexhmija nuk i ka të pakta. Asokohe ishte alamet dame që drejtonte makinë. Më vonë do ta merrte dhuratë një “Fiat 1300” ngjyrë të kuqe. Thotë se ishte shumë i bukur.

“A din qysh osht kanë: si ‘Mercedes’? Shumë i bukur edhe nji ngjyrë të kuqe t’bukur e ka pasë e tanë më thojshin: çka po t’ka hije me vozit...”, kujton ajo. Kujton se një mëngjes ishte zgjuar në orën shtatë. Kishte hipur në makinë. E kishte ndezur, e kishte vënë marshin në shpejtësinë e parë dhe e kishte shtypur lehtë gazin, po makina nuk po lëvizte. “E dheza me shku përpara s’po livrit, khuuu apet mrapa s’po livrit, apet përpara s’po livrit... kur u paraqit nji serb. Më tha: ‘Ku po shkon kryet e grues’ (Ženska glavo v.j.)... Ku po shkon oo kryt e grues, ma bojke. I thashë: ‘A po ik prej qetuhit a po ta marr nji guri po ta çaj kryt?’ Ai apet s’shukatke, unë apet. ‘Nuk i ki dy guma bre’, tha. M’i kishin vjedhë dy guma”, thotë ajo, derisa vazhdon ta mbajë barkun me dorë nga e qeshura.

Përmend se atë ditë ishte vonuar për në rrugën që do të merrte me makinë. Thotë se gjatë gjithë jetës ka qenë e saktë në terminë. Ngulmon se asnjëherë askush nuk e ka pritur në takime. Në këtë rast i bie ndërmend një ndodhi në një mëngjes. Kishte dalë për ta pritur një regjisor që nuk i kujtohet emri. E afër ndërtesave ku po priste kishte arritur një grup njerëzish.

“Edhe po pres qaty kur po vijnë do prej katuneve, do gra me shamija, me mantilla, me, mos vet, me kapuça... shkun të tjerët, njana met”. Asokohe Pagarusha kishte një lloj mllefi ndaj njerëzve që ia ngulnin sytë. Thotë se në përgjithësi nuk e donin njerëzit, pasi ishte jashtë kohës së tyre. Madje edhe urrehej.

“Atëherë nuk më dojshin, thashë: ‘Çka po më kqyr?’ Tha: ‘Valla po du me të vetë diçka’. Thashë: ‘Vetëm edhe the qafën edhe dil qatje poshtë’, kur po më thotë, tha: ‘A je ti Nexhmije Pagarusha?’ Thashë: ‘Po jom edhe hajt’ - thashë – ‘hajt mos m’bon nervoz’ - thashë – ‘se të gjuj edhe ty nëpër shkallë poshtë’... Po rrin, po rrin, po rrin: ‘Hala’ - thashë – ‘je ktu a? ‘Po, valla po të kqyri edhe pos qat zo s’e kshtu kurqysh s’koke...’ E ja kom nis me kesh e m’kaloi nervoza, mos vet, masanej...”, kujton ajo. Bile në këtë rast kishte pasur të veshur një fustan që e konsideron si më të bukurin që kishte pasur ndonjëherë. “E kom pasë nji fiston t’bardhë, qat fiston e kom pas n’jetë n’karrierën teme edhe iu kom dukt e gjatë e kjo e shkurtë edhe pse jom vesh ma gjatë e shkurt, edhe ia nisa me kesh masanej”. Njerëzit gjatë rrugës e kanë ngacmuar me përbuzje. “Eeeeeeeee”, është një nga imitimet që kujton se i janë bërë me tallje. Nexhmija thotë të ketë qenë tejet temperamente dhe kishte krijuar njëfarë armiqësie me njerëzit që e kritikonin sherri i do normave tradicionale. Por skena ishte ajo që e bënte të harronte gjithçka tjetër. Thotë se me të dalë në skenë kishte qenë një gjendje krejt tjetër. Duket sikur të gjitha gjërat e tjera i linte te shkallët e skenës. E aty ishte në botën e saj. Në botën e këngës.

Marrë nga monografia “Nexhmije Pagarusha”, botuar nga “Integra” në shtator të vitit 2019, me autorë Shaban Maxharraj dhe Elvira Berisha

Folegjenda:

Folegjenda: