Kulturë

Ylli që shndriste përtej kufijve

Filmat më zë i kishin nxjerrë nga loja ata pa zë: artistët që kishin qenë yje me pantomima nuk mund të ishin lehtësisht të tillë kur zëri duhej t’u dëgjohej. Kjo veç për aktrimin! Por, zëri i një këngëtareje, me timbrin, ngjyrën e shqueshmërinë unike, ishte i tillë që teknologjia nuk pati se si ta eklipsonte. Ishte e thënë që t’i bëhej shërbëtore atij: fillimisht me disqe, tutje me kasetë, pastaj me CD e krejt në fund me YouTube. Derisa cilësimet për Nexhmije Pagarushën si primadonë e këngës shqipe janë gjëja më e lehtë, shestimet, idetë e rravgimet e saj për artin e interpretimit janë pjesa më pak e njohur e saj. Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta, copëza intervistash bëhen bashkë për të ndërtuar profilin e solistit ideal

Është fort i ngjashëm me një nga ato mesazhet në shishe që hidhen në det ku dhënësi e marrësi mund të kenë vetëm një përfytyrim të largët për njëri-tjetrin. Por nuk është bash kështu, sepse amerikani me emrin Toni Vilixh nga Detroiti, në Shtetet e Bashkuara, e dinte mjaft mirë se kujt po i shkruante tekstin me përmbajtje si të një pusulle.

“E dashura artiste e melosit popullor. E kam një disk tuajin. Shumë më pëlqejnë këngët, të cilat i këndoni ju... Ju dëshiroj sukses! Sipas mundësisë, ma dërgoni një fotografi me autogram. Që më parë ju falënderohem. Të fala – Toni”.

Pranuesja e letrës që kapërceu Atlantikun e pastaj ishte një këngëtare shqiptare që si 36-vjeçe me zërin e saj po i namatiste dëgjuesit kudo, e madje edhe ata që nuk dinin shqipen e këngëve me melos popullor.

Bardhezia e fotografive nga ajo kohë e bën gati mitike sharmin e saj: flokëzeza Nexhmije Pagarusha po përftonte adhurues në çdo skenë ku ngjitej, në çdo pikëtakim me publikun e në çdo disk që dëgjohej.

Në një histori alternative nëse ajo do të jetonte në Evropë apo Amerikë, vitet e pleqërisë do t’i kishte më të lehta ku mbështetja, vëmendja e vlerësimi do të ngjallnin edhe njëherë gëzimin në fytyrën e fishkur.

Mund të ketë vetëm një afërsi me kushdo që e ka parë filmin noir “Sunset Boulevard” (1950) i cili sjell historinë e një aktoreje fort të njohur të filmave pa zë e që teknologjia, vitet dhe plakja e kishin rrëzuar nga lavdia së dikurshme. Në filmin tejet të vlerësuar të regjisorit Billy Wilder, karakteri i Norma Desmondit (që interpretohet nga Gloria Sëanson) i shkon ditët e mbrame të jetës në fantazinë e botës së dementuar.

Paralelja – sikur e paralajmëruam më sipër – nuk qëndron në përmbajtje. Zërin e Nexhmije Pagarushes nuk e kishin eklipsuar asfare risimet teknologjike dhe shpërndërrimet e reja.

Vokalët e saj, që dytës kishin veç vetën, ishin ushqimi për të gjithë nostalgjikët që më të drejtë lamentojnë kohët kur këndohej shqeto e pa artifica.

Pas paraqitjes plot hijerëndësi në Tiranë në vitin 2000 bashkë me këngëtarin Ardit Gjebrea, reporteri i një gazete do ta pyeste nëse ishte e pasur.

Edhe prej tekstit të ruajtur të intervistës mund të merret me mend buzëqeshja e saj e veçantë dhe flegmetike me dhëmbët rrëzëllitës.

“Ç’ka po thu bre? E pasur! Me përjashtim të dashurisë së publikut dhe një apartamenti të thjeshtë 40 metra katrorë s’kam asgjë tjetër. Kam fituar qindra, mijëra e miliona duartrokitje. Jam e lumtur që gëzoj respektin e njerëzve. Kjo është pasuria më e madhe për një njeri, pasi ju lutem ç’vlerë do të kishin dinarët nëse mungon dashuria?”.

“Këngët popullore shqipe më bënë të njohur”

Ishte ditë e premte kur zonja e parë e këngës shqipe do të jepte frymën e saj të fundit në moshën 86-vjeçare. Nga drita e sotme ngjan si kronikë e një vdekjeje të bukur. Gjindja që e vajtuan ikjen e saj nuk mund të dinin se pas një muaji një murtajë e paparë, që virusologë e epidemiologë e quajtën COVID-19, do të pllakoste botën mbarë.

Deri në të fundit ditë kur avitja e vdekjes e bën të duket çdo gjë tokësore si më pak e rëndësishme, mirënjohja e njerëzve do të ishte ajo që buzëqeshjen ia vizatonte në cepat e buzëve.

Magjepsja kur ylli i saj po shndriste në vitet ’60 e ’70, me koncert pas koncerti, është zor të rikrijohet përpos zërit radiofonik të spikerëve për “bilbilin e Kosovës”, për “zërin e kristaltë”, për krahasimin me peruanen Yma Sumak, e të tjera. Por trashëgimia e shkruar, një arkivë që ende pret të plotësohet me mijëra pjesë gazetash e revistash, tregon përmasën e interpretueses që këngët popullore shqipe i bëri të çanin kufijtë.

“Nedžemija Pagaruša, interpretatorska šiptarskih narodnih pesama dobro je poznata našoj javnosti” (Nexhmije Pagarusha, një interpretuese e këngëve popullore shqipe, është e mirënjohur te publiku ynë), ishin fjalët hyrëse të artikullit të botuar më 19 tetor 1967 në të përditshmen zagrebase “Domovina”.

Image
“Domovina”, 19 tetor 1967

Sot veç mund t’i tundet koka në shenjë pohimi fjalëve të gazetarit kroat se “falë saj këngët e shqiptarëve të Kosovës janë të dëgjuara me kënaqësi në të gjitha vendet e Jugosllavisë, madje edhe jashtë saj”.

Është një intervistë pyetje-përgjigjesh të shpejta. Aty 34-vjeçarja shqiptare me krenari thotë se i pëlqente të gjitha llojet e muzikës së bukur e veçmas meloditë e këngës shqipe.

Ishte ditë e premte 7 shkurti i 2020-s kur zonja e parë e këngës shqipe do të jepte frymën e saj të fundit në moshën 86-vjeçare. Deri në të fundit ditë kur avitja e vdekjes e bën të duket çdo gjë tokësore si më pak e rëndësishme, mirënjohja e njerëzve do të ishte ajo që buzëqeshjen ia vizatonte në cepat e buzëve

“Melodia e ngrohtë dhe shpirti i këngëve tona më bënë të njohur, si brenda ashtu edhe jashtë vendit”.

“Baresha”, “Ani mori nuse”, “Mora tesin”, “Çil njat zemër plot kujtime” e një gjerdan shkëlqimplotë krijimesh kanë melodinë, motivin e tekstin dhe veçmas momentin e këngës. Janë tri elementet që Pagarusha në ditët më të mira i vinte re tek interpretimi.

Derisa kërshëria e gazetarëve gjithnjë ka ngarendur pas sukseseve të saj e më pak te krijimi, në një intervistë të dhënë më 12 shkurt të vitit 1970 në “Rilindja”, artistja e njohur për herë të parë do të shkoqiste thelbin e interpretimit që kulmonte me “me momentin e këngës”, që sipas saj, ishte “ai mbarim i gradacionit të thurur bukur, që merr fund me një klimaks ku shpërthejnë tërë ndjenjat”.

Image
“Rilindja”, 12 shkurt 1970

Disku që e ndërmjetësonte praninë

Nuk ka një recetë fikse pa “dorën hyjnore”, siç thotë Ecoja, por Nexhmija në po të njëjtën intervistë gjuhësonte ato që i nevojiten një solisti: ndjenja të sinqerta njerëzore, dashuri ndaj asaj që bën dhe kujt ia drejton ato.

“Tërë qenia e solistit duhet të transferohet në publikun, të ndihet një komunikim i ngushtë me të. Aftësia e të ndjerit të thellë të këngës duhet të jetë në nivel të lartë, dhe atëherë ndjenjat pëlqehen me ato të publikut dhe nuk e ka të vështirë të ketë gjuhë të përbashkët, mirëkuptim që zgjerohet gjithkah”.

Trashëgimia e shkruar, një arkivë që ende pret të plotësohet me mijëra pjesë gazetash e revistash, tregon përmasën e interpretueses që këngët popullore shqipe i bëri të çanin kufijtë

Këto atribute ishin ato që këngëtarin e mirë e mbanin konstant në lartësinë e vet e jo për t’u katandisur në diçka që fillon e mbaron me një sezon.

Ishte koha kur disku po e bënte një ndërmjetësim të artistit dhe publikut, ajo kohë kur për të qenë vazhdimisht te publiku duhej t’i kujtoje se ekziston me paraqitje të çdoditshme.

Image
“Rilindja”, 1969

“Disku të bën të jesh gati në çdo shtëpi i pranishëm, prandaj ky medium është shumë i rëndësishëm”, shtonte Pagarusha në po të njëjtën intervistë.

Në një tjetër intervistë në fund të po të njëjtit vit, këngëtarja vrullonte me vullnetin e saj për këngë. E thoshte gjithë shendeverë që donte të këndonte sikur t’i kishte “dhjetë e njëmijë bilbila në fyt”.

“Kënga ime është imja gjersa gjendet në mua, në zemrën time, kur niset në udhëtim, publikut, ajo është e secilit njeri, unë humbas e ata fitojnë, prej shumë këngëve, së paku një që u fle në zemër!...”.

Melosi që lidh dy Shqipëritë

Melosi i këngëve të Shqipërisë në lindje të Drinit do të kapërcente edhe kufirin e hekurt të asaj në perëndim të Drinit. Duartrokitje të forta do të pasonin kur Pagarusha, gjatë paraqitjes së ansamblit “Shota” më 1973, interpretoi “Këngen e Rexhes”, “Një lule” dhe “Sa hije të paska shamia”.

“...Ai timbër i pastër, ajo dashuri për këngën popullore, për të ruajtur në të, nëpërmjet një interpretimi origjinal, atë specifikë dalluese e ngrohtësi që të ngre peshë, i dha sallës kënaqësinë të dëgjojë me respekt nga kjo këngëtare këngë të tilla të preferuara nga ai. Në secilën nga ato ajo zbuloi një botë tjetër, dhe pa ndrojë mund të themi se renditet ndër interpretueset më të mira të këngës popullore shqiptare. Ajo ka ecur në gjurmët e tyre, të traditës së krijuar nga ato”, shkruhej në gazetën “Bashkimi” më 17 mars 1973.

Turi në Shqipërinë enveriste kishte bërë, në fakt, diçka që nuk e ndaloi dot diktati ideologjik. Takimi me “publikun këngëdashës”, siç e kishte thënë vetë Pagarusha në një intervistë në qershor po të njëjtit vit, kishte qenë i paharrueshëm.

“Por, nuk është vetëm pritja e publikut në sallë që këtë turne e bën të paharrueshme. Janë aty edhe shumë takime me njerëzit e njohur në muzikën tonë, kompozitorë dhe punëtorët e tjerë, të cilët unë më parë i njoha vetëm si emra, si krijues”, thoshte ajo në një intervistë për revistën “Kosovarja”.

“Shpresa dhe durimi jetën ma qetësojnë”

Derisa kërshëria e gazetarëve gjithnjë ka ngarendur pas sukseseve të saj e më pak te krijimi, në një intervistë të dhënë më 12 shkurt të vitit 1970 në “Rilindja”, artistja njohur për herë të parë do të shkoqiste thelbin e interpretimit që kulmonte me “me momentin e këngës”, që sipas saj, ishte “ai mbarim i gradacionit të thurur bukur, që merr fund me një klimaks ku shpërthejnë tërë ndjenjat”.

Prej tërheqjes nga skena në vitin 1984, këngëtarja kishte pasur vetëm gjashtë rikthime të shkurta. Me këngën “Për ty” ajo kishte thyer “heshtjen” gjashtëmbëdhjetëvjeçare kur i ishte përgjigjur pozitivisht këngëtarit nga Tirana, Ardit Gjebrea. Do të kalonte një hark gati i njejtë kohor kur më 2015 këngëtarja u ftua si mysafire nderi në koncertin me interpretues vokalo-instrumentalë me persona të verbër nga Kosova e Shqipëria. Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë kishte jehuar nga vokalet e saj kur kishte kënduar live. I ishte rikthyer skenës me “Dritë për mbesën” kompozuar nga Arbër Dhomi, me tekst të Ajmone Dhomit dhe me aranzhman të Trimor Dhomit. Më 2017, ajo ishte shfaqur për pak minuta rastin e hapjes së Qendrës Kulturore në Klan Kosova. Ishte përcjellë nga mjeshtri i violinës Shkëlqen Doli. Pas paraqitjes së saj në koncertin e “Shotës”, dhënë për nder të Ditës së Flamurit, ajo do të përmbyllte të fundit interpretim të saj bashkë me Violeta Kukajn me këngën “Mbushni gotat”. Në tekstin e saj sikur është edhe një dozë zymtie sikur kur sheh fluskat e kuqe të vërës në gotë: “Sonte ngushëllim unë kërkova/ Këtu pranë kësaj gote,/ Se aty do të gjej mendova/ Qetësinë e botës/ Droja dhe durimi sonte më ngushëllojnë / Shpresa dhe durimi jetën ma qetësojnë”.