Kulturë

Animatori i Kosovës që bën art edhe për gjigantët botërorë

Descriptive Text

“Universal Music”, “Spotify”, “Twitter”, “Ford”, “Porsche” “American Express”, “Burberry”, “Kinder”, “Samsung”, “Instagram”, “Honda” a “Snickers”, nuk janë vetëm emra brendesh e kompanish të njohura botërore. Por edhe ato për të cilat ka punuar animatori nga Kosova, Arben Vllasaliu. Arti i tij është një përzierje e ekspresionizmit dhe surealizmit. Krejt kjo thurje ka për emërues të përbashkët abstrakten, por depërtimi ndërkombëtar për të është realitet

Prishtinë, 5 shkurt – Animacioni po vazhdon që të jetë një zhanër në rritje që po merr vëmendjen më të madhe gjithandej. Është në piedestal të projekteve filmike për fëmijë, gjen përdorim në marketing nga korporatat e ndryshme dhe është i pashmangshëm në mediat sociale. Animacioni është pa dyshim një mjet i përkryer për të realizuar përmbajtje që prezantojnë ide komplekse në një mënyrë që lehtë mund të kuptohet nga të gjithë. Ose thjesht, për të krijuar një botë magjepsëse, nëpërmjet video-animacioneve që stimulojnë trurin tonë dhe janë jashtëzakonisht tërheqëse për t’u shikuar, siç është bota e Arben Vllasaliut. Arti i tij është një përzierje e ekspresionizmit dhe surealizmit, që shkon drejt një stili më abstrakt.

Kundërpërgjigjja ndaj kohëve të errëta

Arben Vllasaliu u lind në Gjilan më 5 mars të vitit 1991, kur situata në vend veçse sa vinte e përkeqësohej. Dekadën e tij të parë do ta përmbyllte si një fëmijë i cili ka përjetuar luftën e fundit në Kosovë. Pamjet dhe kujtimet e asaj kohe nuk dëshironte t’i mbante në mend. Dëshironte të ikte nga realiteti.

“Lidhshmëria e fëmijërisë me atë që bëj sot mundet me qenë krejtësisht e kundërta në aspektin vizual. Nganjëherë fëmijëria mundet me qenë aq e errët dhe traumatike, saqë përmes vizuales arrin me e kriju dëshirën ose nevojën për mos me e pa atë errësirë”, thotë Vllasaliu, i cili jeton e vepron në Bazel. Nëpërmjet punës së tij, ka depërtuar në skenën ndërkombëtare të animacionit. Brenda saj e tërheq liria absolute e kreativitetit, mungesa e presionit në kohë dhe konceptet ideore. Po ashtu, edhe mundësia për të paraqitur vizualisht atë që mendja e sheh si jo të qartë. Shfrytëzon në mënyrë të duhur fuqinë e animacionit, ku çdo gjë është e mundur. Mjafton të imagjinohet.

Gjatë punës, Vllasaliu është një “buf i natës” pasi që preferon që të punojë më shumë gjatë natës për arsye të qetësisë. Ai thotë se beson që nata e ka një energji shumë të shpejtë për gjenerimin e vullnetit për punë. Për dallim nga orari i punës, nuk ka diçka të caktuar që mund të konsiderohet muzë e punës së tij.

“Gjithçka është spontane”, thotë ai, por nuk mohon se për këtë i ndihmon leximi, njohuritë e përgjithshme, filmat, videolojërat dhe përditshmëria. Aplikacionet të cilat i përdor nuk janë asnjëherë të njëjtat, pasi që varet nga animacioni që dëshiron ta realizojë, por veçon disa që i përdor më shpesh. Për animacion 3D preferon “Cinema 4D” dhe “Blender” e për kompozim preferon “DaVinci Resolve”. Sfidat në punë i ka të shumta, asnjëherë të njëjta. Atë që e konsideron më të madhen, tashmë e ka kaluar.

“Si sfidë më e madhe ka qenë depërtimi përmes punës sime në nivel ndërkombëtar, kjo i përfshin edhe sfidat e tjera pas vetes, siç janë gjuhët e huaja, mënyra e komunikimit, adaptimi dhe përshtatshmëria e kulturave të ndryshme, e kështu me radhë”, thotë Arben Vllasaliu.

Prej “Instagramit” e “Twiterit” deri te “Ford” e “Snickers”...

FORD - Sensorial Features Collection_ from Arben Vllasaliu on Vimeo.


Artisti 30-vjeçar ka përfunduar filloren në shkollën “Rexhep Elmazi” në Gjilan, ndërsa të mesmen në shkollën e mesme teknike “28 Nëntori” në Prishtinë në Lëmin e Dizajnit Grafik. Universitetin nuk e vazhdoi, pasi që kishte dëshirë që të studionte jashtë vendit. Menjëherë nisi që të bënte praktikë dhe të aftësohej në këtë drejtim duke punuar për kompani të ndryshe. Duke pasur më shumë se 10 vjet eksperiencë në dizajn grafik, duke nisur nga dizajner i ueb-faqeve e deri te producent i videove, Vllasaliu tani është i fokusuar në projektet artistike vetjake. Ai nisi që t’i postonte animacionet e tij në rrjetet sociale si “Instagram” dhe “Facebook” dhe u bë i njohur për realizimit e atyre që janë të këndshme për t’u parë dhe ngjallin ndjenja pozitive. Të njëjtat janë parë nga miliona njerëz nga e gjithë bota. Ka punuar në projekte të ndryshme edhe komerciale. Dy vjetët e fundit ishin mjaft të frytshme për të. Vllasaliu arriti që të punonte me shumë artistë dhe brende botërore.

Burberry Animation 1 from Arben Vllasaliu on Vimeo.


Në vitin 2019, në ekranin e ndërtesës “One Times Square” në Times Square në New York, që shfaqur edhe krijimtaria e tij. Ai bashkëpunoi me label-in “Universal Music” ku pati përgjegjësi që të krijonte imazhet dhe videot për platformën “Spotify”. Gjithashtu bashkëpunoi me “Twitter” me të cilin punoi për realizmin e një kampanje për rrjete sociale për “Ford”, markën e njohur të veturave. Po ashtu bashkëpunoi edhe me brende të tjera si “American Express”, “Burberry”, “Kinder”, “Samsung”, “Instagram” e kështu me radhë. Disa prej projekteve të reja shumë shpejt do t’i vendosë edhe në ueb-faqen e tij personale, që është në realizmin e sipërm.

Thellësia prapa thjeshtësisë

Përmes artit, Vllasaliu dëshiron që të përçojë një ndjenjë meditimi duke ngacmuar emocionalisht. “Arti të cilin e realizoj unë në shikim të parë mund të shihet si diçka e thjeshtë dhe e thatë, por pas pak sekondave fillon të marrë kuptim dhe pastaj ngecesh duke e shikuar për minuta të tëra”, thotë ai.

Me një lundrim në faqet e tij sociale kjo është lehtë e dëshmueshme. Arti i tij ndikon në rritjen e relaksimit, nxit imagjinatën dhe krijon një ndjenjë kënaqësie.

“Nuk ka ndonjë term ose emër të caktuar. Është iluzion i përzier me abstrakten, kjo edhe të mundëson të manovrosh me çdo objekt në forma abstrakte që si rezultat arrijnë të krijojnë një sekuencë të kalkuluar në kohë perfekte”, thotë ai. Tregon se për të ngjyrat janë faktor thelbësor për komunikim direk me veprën artistike.

“Qëllimi im kryesor në raport me ngjyrat është që të krijoj një kontrast të fortë nëpërmjet ngjyrave të ftohta. Në këtë mënyrë edhe për syrin e mendjen, rezulton si vepër e qetë dhe e butë”, thotë ai. Për të arti e formon karakterin e një personi edhe pa dashje ose dijeni. Thotë se njëtrajtshëm me artin evoluojnë edhe rregullat shoqërore. Në këtë formë, arti i bukur gjeneron shoqëri të mirëfilltë. Vllasaliu aktualisht është duke punuar për brende të njohura si “Honda” dhe “Snickers” për realizimin e disa kampanjave në fushën e marketingut. Pritet që të jenë një vazhdimësi e animacioneve të tij magjepsëse, që së bashku krijojnë një botë iluzioni.Folegjenda: Skenë nga animacioni për “Ford”

American Express loop animation black_platinum from Arben Vllasaliu on Vimeo.