Kulturë

KOHA në premierën e “Zgjoit”: Mbijetesa si shpresë në Kosovën e pasluftës

Plagët e thella që lufta e fundit vragoi mbi fate njerëzish nuk janë më vetëm historia që e dimë. Është histori që bota jo vetëm po e njeh, por edhe po kondenson prej saj frymëzimin për mbijetesë. Ndërsa publiku filmdashës në Amerikë është ende i mrekulluar nga befasia e vërtetë e “Sundance Film Festival”, produksioni “Ikonë” i ka lejuar ekskluzivisht ekipit të KOHËS ta ndjekë filmin e metrazhit të gjatë që krijoi histori të shumëfishtë në botën e kinemasë

E para ndjesi që përftohet është ajo e marramendjes gjersa Fahrija nxiton fshehurazi të hapë thasët me mbetjet mortore të banorëve të vrarë të Krushës së Madhe. Kjo mënyrë e të xhiruarit përkap si mos më mirë agoninë e pambarimtë të atyre që jetojnë në pritje të më të dashurve që nuk u kthyen asnjëherë. Skena e radhës është gati si shkëputje që shikuesin e vë mes zukamës së koshereve të bletëve. Aty Fahrija si bletare hedh hapat e parë në një mbijetesë për shumëkënd të pamundur: zhdukja e burrit ka prerë si me thikë fatin e një familjeje të tërë.

Mbi të rëndon barra e mbajtjes së dy fëmijëve dhe vjehrrit në karrocë. Trupi i saj ka plot të ënjtura nga pickimet e bletëve si indicie që as me to nuk po bëhet rehat.

Me skena të bukura pamore që paraqesin blerimin veror – ashtu siç është e gjithë mbamendja kolektive për pasluftën kur vera e parë në liri ishte përballje me plagët e thella të luftës – ngjarja e filmit “Zgjoi” merr shtjellën e vet si histori e dhimbshme e atyre që fati i la të gjallë, por i dënoi t’i vuajnë pasojat papërshkrueshëm tragjike të luftës.

Aty ku duket se gjithçka ka mbaruar...

Edhe pa e ndërmendur fare faktin që filmi i regjisores prishtinase, Blerta Basholli, ka marrë tre trofe në “Sundance Film Festival”, tok me vlerësime të jashtëzakonshme nga kritika e filmit, storia e Fahrije Hotit të bën për vete me diçka që shplekset e zbulon të reja nga thellësitë e dhembjes.

Është një dhembje që secilit shqiptar i bën një lëmsh në fyt si diçka e përjetuar në njëfarë mënyre edhe pa qenë i prekur personalisht.

Aktorja Yllka Gashi sublimon 22 vjet të personazhes së vërtetë, gruas nga Krusha e Madhe, që është e kryqëzuar mes dhembjes për burrin e zhdukur, skamjes në shtëpi dhe një rrethi shoqëror që nuk arrin ta ndihmojë, përveçse ia shton dhembjen me fshikullime paragjykimesh. Por, aty ku duket gjithçka e mbaruar prej fatalizmit, vetëtin shpresa.

Image
Yllka Gashi në rolin e Fahrije Hotit

Është pikërisht shpirti ndërmarrës i Fahrijes që kthehet si fanar për dhjetëra gra që kanë mbetur pa burra në fshatin rahovecas, ku forcat serbe vranë 240 njerëz.

“Nëse nuk punojmë, dojna me u tranue”, u thotë Fahrija një ditë grave të veja. Asgjë nuk është e lehtë: vullneti e dëshira ndonjëherë nuk e kapërcejnë ngurrimin përballë normave shoqërore. Kështu kjo histori ndërtohet në njëfarë antagonizmi mes Fahrijes dhe Haxhisë, vjehrrit të saj, i interpretuar nga Çun Lajçi.

Dhimbja që bashkon të kundërtat

Është pikërisht ky personazh që manifeston burrat që nuk mund të familjarizohen lehtë me nocionin e grave të pavarura. Por, që të dy këto skaje i bën bashkë dhembja për Agimin (e që në jetën reale është Bashkim Hoti e në paraqitjet disa-sekondëshe interpretohet nga Armend Smajli).

Ngjarja e filmit “Zgjoi” merr shtjellën e vet si histori e dhimbshme e atyre që fati i la të gjallë, por i dënoi t’i vuajnë pasojat papërshkrueshëm tragjike të luftës

Krajatat me mjekoligjorët janë një histori që gati përbashkon 1.600 familje nga Kosova, të cilave iu zhduken të afërmit.

“Testi i ADN-së ju kryen punë juve, por për neve nuk kryhet kurrë”, i thotë mjekut një ditë Fahrija. Është me siguri titra më besnike e vuajtjes së kësaj kategorie.

Duke qenë edhe skenariste e filmit, regjisorja Basholli ka bërë një ekuilibër të mirë duke i pakësuar mjeshtërisht dialogët e duke iu dhënë paraqitje vizuale e emocionale personazheve që reflektojnë historinë tragjike të Krushës së Madhe.

I japin dozë të bukur realizmi e gjallërie edhe Naza (interpretuar nga Kumrije Hoxha), Edona (Blerta Ismaili) dhe veçanërisht dy fëmijët e Fahrijes, Zana (Kaona Sylejmani) dhe Edoni (Mal Noah Safqiu).

Nga një pikëvështrim më perfeksionist mbase shikuesi vendor mund të hetojë dallesa në të folurën mes personazheve, por për audiencën perëndimore, tek e cila tash e tutje do të mësyjë filmi, janë thjesht të pavërejtshme.

Edhe ndonjë detaj jo i qëlluar (për shembull pamje disa-sekondëshe që paraqesin Prishtinën e sotme e jo atë të viteve të pasluftës) nuk dallohet për audiencën e huaj.

Sidoqoftë, gjetjet më të qëlluara të filmbërëses 38-vjeçare janë skenat e jashtëzakonshme në brigjet e lumit, në të cilin ende mërmëritet se mund të jenë hedhur trupat e shqiptarëve të vrarë, pjesë nga lagjet në shpatijet e Rahovecit, si dhe skena nga shtëpia që paraqet goxha besnikërisht mënyrën e jetesës së këtyre anëve.

Shkalla e parë e pavarësimit

Është bash lumi në të cilin Basholli eksperimenton mjeshtërisht duke e ndërthurur edhe me ëndrrat ku i del bashkëshorti i zhdukur.

Duke qenë se mundësia për kapërcime të mëdha eksperimentale është më e vogël kur gjithçka diktohet nga një histori e vërtetë, prapëseprapë është aftësia e regjisores që përmes stileve e mënyrave të veçanta të kamerës të sjellë gjendjet emocionale të kryepersonazhes. Për t’u veçuar janë veçmas xhirimet e bëra nga një kënd, siç është dera gjysmë e hapur apo kabina e larjes me perden paksa të zbuluar.

Storia e Fahrije Hotit të bën për vete me diçka që shplekset e zbulon të reja nga thellësitë e dhembjes

Dhembja nuk mund të tejkalohet duke u zhytur në dhembje, është ajo që i shkrep secilit në mendje gjersa zhytet në botën e “Zgjoit”.

Vetë personazhja Fahrije Hoti në një bisedë për KOHËN e kishte thënë që “ishte bërë një përditshmëri ku sa herë që flisnin gratë shpërthente vaji”.

Ajo që diku tjetër do të ishte një cikërrimë, siç është patenta e shoferit, për gratë krushjane është shkalla e parë për të ngjitur pavarësimin. Një makinë e vjetruar e tipit “Volkswagen Passat” (një tjetër gjetje e vogël, por e rëndësishme që i shton realizëm filmit!) bëhet fillimi i rrugëtimit, guximit për të ëndërruar, por edhe për të rrezikuar.

Image
Fotografi reale e Fahrije Hotit me rastin e testit për patentë shoferë që, ashtu sikundër jepet edhe në filmin “Zgjoi”, paraqet hapin e parë të hedhur në shkallën e pavarësimit

Meqë profesioni i bletërritjes nuk po sillte para për nevojat gjithnjë e më të mëdha të familjes, Fahrija sheston idenë që gratë ta shesin hajvarin që e bënin vetë.

E bukur, në këtë rast, është edhe vërejtja e kritikut amerikan të filmit, Patrick Gibbs, i cili ditë më parë ka thënë se “Zgjoi” është një film që thyen zemra, por edhe të bën më të fortë.

“Regjisorja Blerta Basholli i mban gjërat me këmbë në tokë, duke na vënë aty me Fahrijen dhe familjen e saj, sikundër edhe me gra të tjera që i bashkohen asaj në rropatjen e guximshme, gjersa ato bëhen bleta punëtore që e ndihin Mbretëreshën e tyre”, kishte shkruar ai.

Sa herë që biznesi i prodhimit dhe shitjes së hajvarit ecën mbarë, është sërish një rreth armiqësor që, ose duke hedhur gurë në veturën e Fahrijes ose duke vandalizuar “fabrikën” e prodhimit, bën që gratë të nisin përpjekjen sërish nga zeroja. Vetë heroina e filmit nuk sprapset nga këto goditje, por bëhet më e vendosur në synimin e saj edhe kur e bija një ditë e quan “kurvë”, sepse kjo fjalë mërmëritej nga gojët e liga. Shuplaka që ia jep të bijës në film është diçka që kishte bërë vaki edhe në të vërtetë. Në një nga dialogët është edhe një tjetër shenjë e emancipimit kur njëra nga gratë i thotë së bijës së Fahrijes që të shkollohet e të mos mbesë në shtëpi si ato.

Dhembja nuk mund të tejkalohet duke u zhytur në dhembje, është ajo që i shkrep secilit në mendje gjersa zhytet në botën e “Zgjoit”

“Ka qenë e vështirë të hyje në lëkurën e tyre, është dashur të kem empati të madhe”, thotë aktorja Kumrije Hoxha, e cila në film interpretoi Nazën, një banore fshati. Hoxha, ende s’e ka parë filmin.

Ngacmimi për t’i hyrë rolit ka qenë fakti që bëhet fjalë për gra që sakrifikuan e punuan shumë për të mbijetuar.

“Ishte një kontribut i vogël për këto gra që dhanë shumë e historia e tyre tashmë i është treguar edhe botës”, shton Hoxha.

Një ndër personazhet që kërkon ndryshim është edhe Edona. Atë e ka interpretuar aktorja Blerta Ismaili, e cila para se të fillonin xhirimet për filmin, ishte zhytur në rrëfimet ngjethëse të grave të Krushës së Madhe.

“Aty jam përballë me një perspektivë thuajse krejtësisht ndryshe, sidomos në lidhje me fuqinë e një individi për ta drejtuar jetën personale kundrejt të gjitha pengesave të një shoqërie shtypëse”, thotë Ismaili për KOHËN. As ajo s’e ka parë filmin.

Duke evokuar gjithë procesin e bërjes së filmit, ajo vë theksin te besimi i thellë që ekzistoi mes kolegëve.

“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e një filmi, i cili këtë tregim po e riaktualizon dhe po arrin të komunikojë në nivel ndërkombëtar”, shton Ismaili.

Trofetë në “Sundance...” dhe vlerësimet pozitive, gjithnjë e më të shumta, duket sikur janë oguret për suksese të reja pas premierës në Evropë që do ta ketë në tetor të këtij viti. Fort e mundshme është që edhe aktores Yllka Gashi, që jeton në Amerikë, t’i trokasin në derë oferta nga regjisorë e produksione të huaja

Rrëfimi që komunikon me botën

Në një plan më të gjerë, filmi përshënjohet si një kronikë e shumëfishtë. Për kritiken Alessandra Rangel, filmi është “portret realist e i ndjeshëm i jetës së grave në një mjedis tradicional dhe mizogjenist”, e për dikë tjetër si Stephen Saito është “një rreze shprese që ngrihet nga rrëfimi i një gruaje që fillon biznesin e saj përkundër të gjitha vështirësive”.

Për ata që kanë parë filmin “Zana” të regjisores Antoneta Kastrati, përmbajtja mund të jetë e përngjashme në ndonjë vend. Ata që nuk janë paraqiten si “hije ëndrrash” që shpesh e trazojnë jetën kur mendohet që normaliteti ka gjetur rrjedhën dhe shtratin e vet.

Trofetë në “Sundance...” dhe vlerësimet pozitive, gjithnjë e më të shumta, duket sikur janë oguret për suksese të reja pas premierës në Evropë që do ta ketë në tetor të këtij viti. Fort e mundshme është që edhe aktores Yllka Gashi, që jeton në Amerikë, t’i trokasin në derë oferta nga regjisorë e produksione të huaja.

Orët e hershme të së mërkurës, sipas kohës lokale në Kosovë, e bën të prekshme ëndrrën e regjisores Basholli, stafit realizues të filmit dhe gjithë kinematografisë shqiptare.

Në më të madhin event amerikan të llojit të vet “Sundance Film Festival”, filmi 1 orë e 24-minutash mori një trofe të trefishtë çmimesh: “Grand Jury Prize”, “Audience AWard” dhe “Directing Award” në kategorinë “World Cinema Dramatic”.

Kur janë lexuar veç e veç arsyetimet e jurisë 17-anëtarëshe për tre çmimet e fituara, për “Zgjoin” është thënë se “demonstron angazhim rigoroz dhe integritet në rrëfimtarinë e fuqishme”, se është një film për “qëndrueshmërinë, transcendencën dhe përpjekjen për liri”, si dhe është vlerësuar si film që e bën edhe më të fortë lidhjen mes filmbërësve dhe audiencës.

“Zgjoi” është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga “Ikonë Studio” dhe “Industria Film”, me bashkëprodhim nga “Alva Film Production”, “Black Cat Production”, “AlbaSky”, “Swiss National TV”, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka “LevelK”. QKK-ja e mbështeti filmin “Zgjoi” në konkursin e vitit 2015 për zhvillim skenari, e një vit më vonë në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë kur ia ndau 140 mijë euro.