Kulturë

I tejkohshmi

Si autori më i njohur shqiptar, Kadare jeton në shijet e përfytyrimet e miliona lexuesve. Prej viteve ’70, letërsia e tij u bë përfaqësuesja më e denjë e botës shqiptare në katër anët e botës. Duke i ngritur letrat shqipe në lartësi eterike, aftësia e Kadaresë ishte t’u jepte shtrirje universale temave në dukje lokale. Ai është shkrimtari që rri krah më të mëdhenjve të dy shekujve: me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, “Kështjellën”, “Prillin e thyer” e “Pallatin e ëndrrave”, Kadare është shkrimtari që hyn në psikologjinë e totalitarizmave, miteve klasike, trilleve dhe groteskes së shpirtit njerëzor

Kur për botën e letërsisë do të lindte një klasik që do të linte vazhdën e tij të përgjithmonshme, Gjirokastra e gurtë e 1936-s ishte ai vend ku Perandoria Osmane kishte më shumë se njëzet vjet që kishte ikur për të mos u kthyer më. Aty tashmë ishin rikthyer gjithfarë administratorësh perandorakë, funksionarësh e aventurierësh duke e sjellë “gjithë koloritin e Perandorisë në muzgun e saj”.

Kjo ishte mementoja e fëmijërisë së Ismail Kadaresë, gjirokastritit me dhunti që Shqipërinë dhe botën e saj parokiale, paradoksale e homerike e ngjiti në eterin e letërsisë botërore.

Të enjten shkrimtari më emërmadh shqiptar kremtoi ditëlindjen e 85-të. Në letërsinë e tij është e brendashkruar edhe një jetë e pazakontë që fati e taksi të jetonte në truallin e një vendi me diktaturën më të egër komuniste.

Bir i Halit Kadaresë dhe Hatixhe Dobit, lastar familjesh të sojshme gjirokastrite, djaloshi gjirokastrit në udhëtimin e tij fascionant jetësor do ta merrte Gjirokastrën në Tiranë, Tiranën në Moskë, Moskën në Tiranë, gjithnjë duke e universalizuar paradoksin shqiptar kudo.

Është folur gjer e gjatë për raportin e dy gjirokastritëve, të cilëve shorti i fatit u taksi role të ndryshme. Njëri u bë patriark letrash që e kapërceu Shqipërinë, e tjetri tiran që e fatakeqi fatalisht shpirtin shqiptar.

Ata që historia i vuri në një marrëdhënie paqeje të pamundur janë, në fakt, edhe dy shqiptarët më të përkthyer në botë. Njëri si autor pamfletesh, manifestesh e librash me diatriba kundër Perëndimit nga vendi-burg, që e gënjente veten si fanar ideologjik i të shtypurve, kurse tjetri si mjeshtër omnishient i fjalës, aluzionit dhe alegorisë.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Prilli i thyer”, “Pallati i ëndrrave”, për të veçuar vetëm disa nga veprat me ndikim të përbotshëm, e kërthndezën interesin e botës për shqiptarët si askush tjetër.

“Kadare me veprat e tij i ka bërë të njohur në gjithë botën Shqipërinë dhe shqiptarët”

Në të parën është gjenerali italian që çatis mes për mes Shqipërisë plagëshumë në kërkim të ushtarëve që tashmë janë “shtatë pashë nën dhé”; në të dytën rezistenca e pamundur shqiptare në përfytje me perandorinë më të fortë të kohës, një përleshje që përfundoi me fitoren e të dytës e me disfatën e të parës që u bë vaj i këngëve historike; në të tretën venedeta si mbijetojë tragjike zakonore e kohërave kur tragjedianët athinas krijonin karakteret e tyre; e në të katërtën Shqipëria e vogël që shpërgjumet nën diktatin e sulltanëve që shenjat e rebelimit i kërkojnë në ëndrra.

Ismajli: “Kadare risoi prozën shqipe me një variantizim urban”

E kujton si sot kohën në Paris kur poeti e kritiku i madh francez Alain Bosquet shprehu dëshirën e parezistueshme për ta takuar Kadarenë. Sapo e kishte lexuar në dorëshkrim përkthimin në frëngjisht të romanit “Kështjella”, që shumë shpejt do të botohej si “Les Tambours de la pluie” (Daullet e shiut).

Akademiku e gjuhëtari Rexhep Ismajli evokon mrekullimin e qarqeve letrare në Paris me Kadarenë, të cilin asokohe Jusuf Vrioni e kishte bërë të fliste frëngjisht përmes romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

“Përkthimi i ‘Kështjellës’ sikur kishte të bënte nga pak edhe me dysinë e interpretimit”, thotë Ismajli për romanin që asocionte pjesërisht me sistemin e asokohshëm të Shqipërisë, e pjesërisht edhe me simbolikën më lirike e më të hapur të versionit që pëlqehej më shumë.

“Nga ajo kohë, Kadare u përhap gjithandej botës”.

Duke e cilësuar si shkrimtarin më të rëndësishëm shqiptar të kësaj kohe, Ismajli thotë se Kadare vlerësohet për faktin se e sjell në një mënyrë të pazakontë botën shqiptare me etosin, moralin, mentalitetin e historinë e saj.

Sipas tij, përparësia më e madhe e Kadaresë është rrëfimi shembullor për botën shqiptare.

“Veprat e tij, si ato të ciklit me historinë osmane, vlerësohen shumë edhe për njohjen e popullit shqiptar”, shton ai.

“Shqiptarët janë me shumë fat që kanë një personalitet kaq madhështor”

Ndërsa ndalet në thellësitë e narracionit të shkrimtarit të njohur, akademik Ismajli vë re se Kadare në prozën shqipe përdori një shqipe me një variantizim pak më urban kundrejt letërsisë së mëhershme që ngulmonte për shprehësi më rurale.

“Kadare solli diçka të re në prozën tonë, sepse bënte sublimime e kondensime të shprehjeve dhe kjo, si rrjedhojë, solli edhe një lloj emancipimi në shkrimin e prozës”, shton ai.

Një ogur ndjellamirë

Ishte prilli i 2017-s kur shkrimtari i madh do të shkelte për herë të parë në Ferizaj. Këtij qyteti i qëlloi të mikpriste njeriun me të cilin breza të pafundmë ishin mëkuar me më të mirën e tij estetike.

Me këtë rast – pak orë pasi në Prishtinë iu dha çmimi “Letërsia shqipe” – Kadare do të nderohej me çmimin “Finesa” i cili u jepet krijuesve të dalluar për suksese të veçanta që mund të merren si model i kreativitetit artistik.

“Për mua ky është një vlerësim shumë i shtrenjtë që më bëhet nga lexuesit e mi. Për ne shkrimtarët është më e dashura ushtri ajo e lexuesve, një ushtri besnike që lidhjen me shkrimtarët e njohin pa asnjë interes, përkundrazi me ndjenjat më të holla e sublime që frymëzon arti i letërsisë”, kishte thënë Kadare asokohe 81-vjeçar.

Po të njëjtën ditë, zyrtarët e Komunës do të zbulonin pllakën e sheshit që mori emrin e shkrimtarit të njohur.

Bora që ka zbardhëlluar Ferizajn e bënte të mërkurën sheshin e vogël të shëmbëllente si një kënd i qetë në të dyja anët plot zallamahi të qendrës së qytetit.

Gazetari dhe publicisti ferizajas Afrim Demiri e ka të gjallë në mbamendje ditën kur Kadare e nderoi Ferizajn. Teksa ecim në sheshin “Ismail Kadare”, që ka disa ulëse të drunjta, ai tregon se si prania e shkrimtarit të njohur ishte përjetuar si një ngjarje e madhe kulturore për qytetin.

“Asokohe ne mendonim se po e vinim një shenjë paralajmëruese për marrjen e çmimit ‘Nobel’”, thotë Demiri për Kadarenë, që tashmë është i nominuari i “përjetshëm” për çmimin prestigjioz të Akademisë Mbretërore suedeze.

“Nominimi i tij i shumëfishtë e zbeh në njëfarë mënyre lajmin edhe sikur ai të jetë fitues i ‘Nobelit’”.

Sipas Demirit, befasia e laureimit të shkrimtarit të shquar tashmë nuk ekziston, për shkak se letërsia e tij veç ka bërë “jetë prej nobelisti” duke qenë vazhdimisht në rrethin e ngushtë të të nominuarve.

“Sidoqoftë, shpallja e tij fitues i çmimit do të shënonte një formulim absolut të letërsisë shqipe në përmasa botërore, përkundër asaj që vepra e tij tashmë ka bërë jetën letrare si më e përkthyera e krijuesve shqiptarë në mbi 40 gjuhë botërore”, thotë ai.

Gazetari Demiri beson se një “Nobel” për Kadarenë, përveç përkthimit të veprave të tij, do të mundësonte që të aktualizohej në përmasa botërore Ballkani e nëpërmjet tij edhe bota shqiptare.

“Fryma e Kadare është e veçantë në letërsinë botërore, ndërkaq kjo është e vetëmjaftueshme për ta kuptuar peshën e tij në letërsinë tonë”, thotë ai.

“Kadare mahnit lexuesin botëror me aftësinë e tij për t’iu dhënë temave lokale një shtrirje universale”

Klasiku i letrave shqipe

Gazetarja dhe studiuesja e letërsisë, Alda Bardhyli, thotë se shqiptarët hynë në vetëdijen evropiane qysh në vitet ’90, porse Shqipëria e kultura e saj vazhdojnë të njihen fare pak në Evropë.

Në një bisedë për KOHËN, ajo vlerëson se Kadare vazhdon të shkruajë e të flasë si dëshmitar i diktaturës socialiste dhe të përfaqësojë identitetin shqiptar në Evropë dhe botë.

“Romanet e Kadaresë përçojnë betejën midis shkrimtarit dhe diktatorit, lirisë dhe shtypjes, tek lexuesit përtej kufijve të Shqipërisë dhe Evropës Lindore e përmes dekadave që na ndajnë nga periudha e socializmit evropiano-lindor”, thotë Bardhyli, e cila është drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Të enjten, në 85-vjetorin e lindjes së Kadaresë doli nga shtypi libri i saj, “Kohë për rrëfim: Kadare dialog me Alda Bardhylin”.

Për të, veprat e Kadaresë mbi të kaluarën do t’i ndihmojnë brezat e rinj që të kenë një të ardhme të sigurt.

Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, Gëzim Aliu, thotë se Kadare tashmë është klasik i letrave shqipe, duke e shënuar 50-vjetëshin e fundit me superioritetin e tij artistik, kulturor dhe etik.

“Shqiptarët janë me shumë fat që kanë një personalitet kaq madhështor”, thotë ai.

Aliu – i cili është autor i librit “Romanet e Ismail Kadaresë 1963-1990 (Retorika e tekstit dhe narracioni)”, si dhe i studimeve të tjera të ngjashme – vlerëson se Kadare është një shkrimtar tejkohor.

“Tejkohësia e veprës së tij është vulë edhe kombëtare, edhe botërore”, thotë ai.

Edhe kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendi, vlerëson se Kadare është shkrimtari që i dërgoi të gjitha Shqipëritë në botë.

Në letërsinë kadareane, sipas tij, përshihen të gjitha etapat e Shqipërisë: motet arbërore të Gjergj Kastriotit, motet osmane, luftërat ballkanike dhe fillimi i pavarësisë, Lufta e Dytë Botërore, periudha komuniste, si dhe ajo më e fundit, demokratike. E po kështu edhe Kosova dhe përpjekjet e saj për liri përbëjnë një cikël në vete në krijimtarinë e Kadaresë.

“Me një fjalë, Kadare me veprat e tij i ka bërë të njohur në gjithë botën Shqipërinë dhe shqiptarët”, thotë Kelmendi.

Derisa ka ndërmendur faktin që Kadare është i përkthyer tashmë në rreth 50 gjuhë të ndryshme – madje sivjet revista letrare “World Literature Today” ia kushtoi një edicion të veçantë – Kelmendi vlerëson se ai është pasqyruesi më i denjë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.

“E gjithë vepra e tij është tabloja më e madhe shqiptare për gjithë botën”, ka thënë ai teksa ka shtuar se në këtë frymë është edhe libri i tij më i fundit i përkthyer në anglisht “Kukulla”.

Kandidati i përhershëm për “Nobel”

Siç është bërë e zakonshme për çdo ditëlindje të tij, Akademia e Shkencave në Republikën e Shqipërisë të enjten e ka ripropozuar kandidaturën e anëtarit të saj, Ismail Kadare, pranë jurisë së çmimeve “Nobel” në akademinë simotër të Suedisë.

Në emër të ASH-së, nënkryetari Vasil Tole ka vlerësuar se vepra letrare e Kadaresë, tok me emrin e autorit, lartëson edhe emrin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Prandaj ripropozimi ynё pёr kandidaturёn e Ismail Kadaresё nuk ёshtё shenjё e kёmbёnguljes dhe kokёfortёsisё ballkanase, por njё propozim i arsyetuar dhe bindёs tё cilin e ndiejmё si detyrim t’ia pёrcjellim modestisht Akademisё Suedeze dhe Jurisё sё çmimit Nobel”, ka thënë Tole.

Shkrimtari dhe kritiku letrar Ndue Ukaj vlerëson se rikandidimi i Kadaresë për çmimin “Nobel” është një akt i dëshirës dhe i vullnetit të mirë të të gjitha institucioneve dhe kulturës shqiptare. Ndërsa pëlqen të citojë fjalën e një autori suedez se çmimi në fjalë është një lloj dinamiti kulturor për secilën shoqëri, ai thotë se Kadare edhe pa këtë çmim tashmë ka hyrë në “republikën” e shkrimtarëve më të mëdhenj.

Image
Foto: Alban Bujari / KOHA

“Më i rëndësishëm është ky çmim për shqiptarët sesa për vetë Kadarenë, sepse ai i ka arritur majat e letërsisë botërore, ka fituar të gjitha çmimet e mundshme letrare dhe vepra e tij përbën pikën më sublime të artit universal”, thotë Ukaj, i cili është autor i librit “Ismail Kadare: Kryqëzime letrare dhe kulturore”.

Sipas tij, vepra e Kadaresë paraqet një shumëllojshmëri temash, narracionesh e stilesh, në të cilat janë ndërfutur e kaluara, mitet dhe e tashmja.

“Kadare mahnit lexuesin botëror me aftësinë e tij për t’iu dhënë temave lokale një shtrirje universale”, shton Ukaj.

Siç përshkruhet në faqen e çmimit “Nobel”, kandidatët për çmimin prestigjioz letrar janë të gjithë personat e kualifikuar që kanë pranuar një ftesë nga komiteti “Nobel”.

Në muajin shtator, ky komitet u dërgon forma nominimi 600-700 individëve dhe organizatave që janë të kualifikuara të bëjnë nominime për çmimin “Nobel” për letërsi.

Muaji shkurt konsiderohet si afati i fundit për dorëzimin e nominimeve. Format e plotësuara duhet të arrijnë jo më vonë sesa data 31 janar. Me këtë rast, Komiteti shoshit emrat e të nominuarve dhe më pas e dorëzon një listë për miratim tek Akademia suedeze.

Në prill, pas qëmtimeve të mëtejshme, Komiteti përzgjedh 15 deri në 20 emra për t’u shqyrtuar si kandidatë preliminarë nga Akademia në Stockholm.

Në maj, Komiteti zvogëlon listën deri në pesë kandidatë parësorë.

Gjatë muajve vijues, anëtarët e Akademisë lexojnë dhe vlerësojnë veprat e kandidatëve përfundimtarë. Komiteti, po ashtu, përgatit njoftime veç e veç.

Në shtator mbahet një konferencë e Akademisë, gjatë së cilës akademikët suedezë, pasi kanë lexuar veprat e të nominuarve, diskutojnë meritat e kandidatëve.

Në fillim të tetorit, Akademia përzgjedh laureatin e “Nobelit” për letërsi. Fituesi duhet të ketë më shumë se gjysmën e votave.

Më 10 dhjetor, Akademia në Stockholm përmes një ceremonie të veçantë ndan çmimin prestigjioz për laureatin, që përbëhet nga medalja dhe diploma e “Nobelit”, si dhe një dokument që konfirmon vlerën monetare të çmimit.

Sikundër shpjegohet në “Nobelprize”, statutet e fondacionit “Nobel” e ndalojnë hapjen e informacioneve mbi të nominuarit për 50 vjet. Të drejtën e të bërit propozime, sipas këtij statuti, e kanë anëtarët e Akademisë suedeze, por edhe të akademive, institucioneve dhe shoqërive që janë të ngjashme sa i përket përbërjes dhe qëllimit; profesorë të letërsisë dhe gjuhës nëpër universitete dhe kolegje, si dhe laureatë të mëparshëm të letërsisë.

Duke prekur majat

85 vjet më parë në Gjirokastër, në Lagjen Palorto, lindi i biri i Halit Kadaresë dhe Hatixhe Dobit. Siç vë në dukje njohësi i veprave të Kadaresë, David Bellos, qyteti i gurtë shqiptar asokohe u bë tokëllinë nga ushtritë italiane, greke e gjermane. Kjo fëmijëri e trazuar e traumatike do të shtriqej si rrëfim fascionant në “Kronikë në gur” që kronikon botën e parë me sytë e një fëmije imagjinativ.

Kadare do të përfundonte shkollimin fillor dhe atë të mesëm në qytetin e lindjes. Ishte vetëm 12 vjet kur u arrestua nga regjimi i sapovendosur komunist për gjoja “falsifikim monedhash”, meqë me shokun e lojës kishin krijuar me plumb të shkrirë monedha 5-lekëshe.

Duke kandisur një ditë në bibliotekën e të ungjit, gjirokastriti i ri do të “zbulonte” Makbethin e Shekspirit, që sakaq do ta lidhte me letërsinë.

Studimet universitare i vijoi në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Pas diplomimit, Kadare më 1958 vazhdoi studimet në institutin e letërsisë botërore “Maksim Gorki” në Moskë.

Përvoja e tij “ruse” u bë pivotale në botëvështrimin e shqiptarit të ri, e cila dekada më vonë do të bëhej subjekt i librit “Muzgu i perëndive të stepës”.

Bashkë me studentë të tjerë shqiptarë në Moskë e në qytete të tjera ruse, Kadare do t’i braktiste studimet pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik.

Me t’u kthyer në atdhe, ai punoi për ca kohë si gazetar.

Ndonëse hapërimin e parë e bëri si poet me librin “Frymëzime djaloshare” (1954), ishin veprat në prozë ato që e bënë të njohur jashtë Shqipërisë.

Nami i tij mori dhenë me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963). Romani që bëri për vete miliona lexues fillimisht u përkthye bullgarisht nga Marina Marinova, në serbokroatisht nga Esad Mekuli dhe në turqisht nga Attila Tokatli dhe Necdet Sander. Përkthimi në frëngjisht, italisht, anglisht e gjermanisht do ta etablonin Kadaresë si autorin më të njohur shqiptar në Perëndim.

Romanet e tij në vazhdim do t’i bënin jehonë historisë shqiptare, si “Kështjella” (1970), “Dimri i madh” (1977), “Ura me tri harqe” (1978), “Prilli i thyer”, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981), “Dosja H” (1990), “Piramida” (1995) etj.

Duke qenë në terma të një paqeje të pamundur me regjimin komunist, armiqësia arriti kulmin kur në tetor të vitit 1990 e braktisi Tiranën dhe kërkoi azil politik në Francë.

Vitet e mërgimit parisian do të ishin tejet të frytshme sa t’i mundësonin atij suksese e njohje si shkrimtar. Kritikë të ndryshëm të huaj e kanë përqasur Kadarenë me poetin rus Yevgeny Yevtushenko për tejkalimin e udhëzuesve ideologjikë në letërsi, me Franc Kafkën e George Orwellin për psikologjisjen e pushteteve totalitare e me Gabriel García Márquezin për fandaksjen pas groteskes e surreales.

Më 1996, ai u bë anëtar i përjetshëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë (duke zënë vendin e Karl Popperit) e më vonë edhe oficer i Legjionit të Nderit.

Më 1992, Kadare u laureua me çmimin “Prix Mondial Cino Del Duca”, kurse më 2005 me “Man Booker International Prize”, duke pasur në garë edhe mëtonjës të shquar si Günter Grass e Gabriel García Márquez.

“Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë. Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri”, kishte qenë vlerësimi i jurisë me rastin e ndarjes së këtij çmimi.

Më 2009, Kadare u nderua me çmimin “Prince of Asturias Award of Arts”, si më i madhi trofe letrar në vendet spanjishtfolëse, kurse një vit më vonë me çmimin “Lerici Pea” në Itali.

Çmime të rëndësishme letrare kanë vijuar ta nderojnë edhe në pesë vjetët e fundit: më 2015 “Jerusalem Prize”, më 2019 “Park Kyong-ni Prize” (Seul) dhe “Neustadt International Prize for Literature” (2020).