Kulturë

Seminari i Antropologjisë synon deshifrimin e së kaluarës përmes natyrës

Departamenti i Antropologjisë, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ka bërë të ditur se këtë javë do të nisë edicioni i tretë i Seminarit të Antropologjisë. Këtë vit temë bosht do të jetë “Antropologjia dhe Ambienti: Ndërthurje, Krizë, Veprim”. Përmes saj synohet që të shpalosen studime mbi qasjet e kulturave njerëzore kundrejt natyrës, rimendimet dhe ripërkufizimet që u bëhen natyrës dhe relacioneve kulturore

Këtë vit Departamenti i Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka zgjedhur si temë qendrore “Antropologjia dhe Ambienti: Ndërthurje, Krizë, Veprim”, për edicionin e 3-të të Seminarit të Antropologjisë. Këtë javë do të nisë semestri veror (janar – qershor) që planifikohet të mbahet online. Seminari që shtrin aktivitetin gjatë gjithë vitit fillon më 28 janar dhe sjell ligjëratën e Florian Jedrusiak-ut nga universiteti “Ouest Nanterre - La Défense” në Paris me temën “Ushqimi në fundin e antikitetit: Rasti i Ulpianës (Kosovë)”.

Nita Luci, profesoreshë në Departamentin e Antropologjisë, ka thënë se Seminari do të mbahet online me anë të platformes “Google meet”. Ka treguar se të ftuar për këtë edicion janë gjithsej dhjetë folës të konfirmuar, kështu që agjenda për tërë vitin është e kompletuar. Ka treguar së temat e folësve janë të larmishme si nga qasja kërkimore ashtu edhe ajo teorike.

“Këtë vit, të inspiruar dhe të shtyrë nga puna e cila po ndërmerret gjithnjë e më shumë në antropologji rreth ambientit, burimeve natyrore, lëvizjeve shoqërore, infrastrukturës etj. Mblidhemi rreth pyetjeve, kërkimeve dhe diskutimeve të cilat ndërthurin antropologjinë dhe ambientin për të shpalosur se si botët tona kulturore, shoqërore, ekonomike, politike, shkencore dhe teknologjike, në të kaluarën dhe të tashmen strukturohen për t’iu dhënë kuptim krizave dhe transformimeve të përjetuara”, ka thënë ajo.

Në këtë edicion pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të dëgjojnë mbi ushqimin në Ulpianën antike, infrastrukturën ujoren në Butrinit mesjetar, por edhe mobilizimin qytetar rreth mbrojtjes së burimeve natyrore qoftë në Rumani, Shqipëri apo Tanzani.

“Jemi posaçërisht të interesuar të kuptojmë të kaluarën dhe qasjet e kulturave njerëzore kundrejt natyrës, rimendimet dhe ripërkufizimet të cilat u bëhen natyrës dhe relacioneve tona kulturore. Jemi në një moment posaçërisht të rëndësishëm për të krijuar njohje dhe për të vepruar në rrafshet dhe hapësirat shoqërore, por edhe politike dhe ekonomike, për ta menduar të ardhmen tonë lokale dhe globale në lidhje me mirëqenien e planetit”, ka thënë ajo.

Gjatë dy edicioneve të para Seminari ka potencuar rëndësinë e perspektivave antropologjike në Kosovë në trajtimin shkencor të pyetjeve dhe zhvillimeve kulturore.

Luci ka thënë se si Departament e konsiderojnë të domosdoshme të vazhdohet në këtë drejtim dhe të mos humbin energjia dhe përafrimi i komunitetit akademik të cilit i ka kontribuar ky seminar.

“Duke marrë parasysh edhe planin afatmesëm të Departamentit për të filluar me program MA nga Antropologjia dhe Trashëgimia Kulturore në vjeshtën e vitit 2022, Seminari i kontribuon agjendës tonë akademike, posaçërisht në raport me studentët të cilët janë audienca jonë primare”, ka hënë ajo. Ka shtuar se këtë vit synojnë ta rrisin edhe interesimin e audiencave të tjera, si të aktivistëve dhe komuniteteve që janë të angazhuar në mbrojtjen e burimeve ujore në Kosovë dhe Shqipëri, apo ngjashëm. Luci ka thënë se folësit janë kryesisht antropologë dhe arkeologë, mirëpo kanë ftuar edhe sociologë dhe politologë. Sipas saj, synim është zhvillimi i mëtejmë i kërkimit dhe njohjes antropologjike, por që për temën e sivjetmë ka thënë se me rëndësi është edhe diskutimi dhe bashkëpunimi ndërdisiplinor. Këtë vit folësit do të jenë nga Kosova, rajoni, Evropa dhe Amerika e do të trajtojnë tema të cilat përfshijnë edhe hapësira të tjera kulturore dhe politike si Amerika Latine, Afrika e Lindja e Mesme.

Në këtë edicion me kumtesat e tyre do të paraqiten edhe studiues si Stefan Dorondel, Josê C. Carvajal López, Andrea Pieroni, Shemsi Krasniqi, Blerta Arifi, Albert-Ludëigs, Kelly Askew, Ann Arbor, Nebi Bardhoshi, si dhe Nita Luci e Linda Gusia.