Kulturë

“Wake Up on Mars” çon në Zvicër dramën e familjes refugjate nga Kosova

Descriptive Text

Dokumentari i regjisores nga Kosova është në garë në dy kategori në festivalin më me nam në Zvicër. Në edicionin e 56-të të “Solothurn Film Festival”, garon në kategorinë debutuese “Opera Prima” dhe për çmimin kryesor “Prix de Soleure”. “Wake Up on Mars”, tregon për jetën e një familjeje rome nga Kosova që jeton në Suedi, dy vajzat e së cilës kanë qenë në komë për disa vjet

Prishtinë, 7 janar – Te dokumentari “Wake Up on Mars”, nën regji të Dea Gjinovcit nuk mungon as guximi, por as inovacioni. Në debutimin e saj në dokumentar të metrazhit të gjatë, regjisorja sjell histori të vërtetë të traumave dhe të këmbënguljes për jetë më të mirë. Është një pasqyrim real me një prekje magjike.

Këto veti, ka gjasa të jenë motiv që juria e festivalit “Solothurn Film Festival”, ta shpërblejë. Është në garë në dy kategori në atë që njihet si festivali më i vjetër në Zvicër. Garon në kategorinë debutuese të këtij viti, “Opera Prima” dhe në atë kryesoren “Prix de Soleure” të Festivalit. Edicioni i sivjetmë, i 56-i me radhë, për shkak të pandemisë do të mbahet online prej 20 deri më 27 janar.

Themeluar më 1966 në Zvicër në qytetin Solothurn, festivali i përvitshëm është përzgjedhje e filmave zviceranë, atyre të gjatë, të shkurtër, dokumentarëve dhe produksioneve të tjera filmike. Përmes diskutimeve, audienca takon figura me rëndësi të industrisë së filmit dhe diskutohet për filmat e shquar, si dhe kulturën e filmit në Zvicër. Me më shumë se 60 mijë vizitorë në vit, “Solothurn Film Festival” radhitet në mesin e ngjarjeve më me nam në Zvicër.

“Prix de Soleure”, ka vlerë monetare 60 mijë franga dhe i ndahet filmit apo dokumentarit të metrazhit të gjatë që dallohet për qasjen e tij humaniste, inovacionin dhe qasjen bindëse të rafinuar. E kategoria e re e këtij viti, “Opera Prima”, shpërblen filmin më të mirë premierë zvicerane. Në mënyrë të tërthortë, kjo kategori garuese përshin të gjithë filmat e dokumentarët e metrazhit të gjatë të programit “Panorama”. Çmimi ka vlerë monetare prej 20 mijë frangash.

Historia e dokumentarit “Wake Up on Mars”, nis me një artikull që regjisorja e kishte lexuar në “New Yorker”. Aty, në mënyrë të detajuar flitet për jetën e një familjeje rome nga Kosova që jeton në Suedi, dy vajzat e së cilës kanë qenë në komë për disa vjet. Ato vuajnë nga i ashtuquajturi “sindrom i tërheqjes traumatike”. Furkani – vëllai i dy motrave që janë në komë – dëshiron të ikë nga realiteti në të cilin gjendet familja e tij dhe të shkojë në Mars. Shpreson që atje t’i gjejë zgjuar motrat e tij, Ibadeten dhe Donjetën. Familja është duke u përpjekur që të rikrijojë një jetë normale, larg nga vendlindja, Kosova. E ardhmja e tyre varet nga disa letra që ua mundësojnë qëndrimin si refugjatë në Suedi. Takimi me familjen Demiri ishte vjegëza e parë drejt realizimit të filmit. Fuqia e familjes për ta tejkaluar këtë situatë e bëri regjisoren që të punonte me pasion dhe vendosmëri për rreth tre vjet.

Dea Gjinovci, regjisorja 27-vjeçare e lindur në Zvicër, ka thënë për KOHËN se lansimi i filmit në një vit pandemik ka qenë punë e vështirë.

“Kështu ishte edhe për shumë regjisorë edhe në aspektin global. Pritshmëritë që i ndërtova rreth lansimit të filmit në festival ishin të mëdha, sepse realizimi i filmit ju jep shumë, por gjithashtu edhe merr shumë nga ju. E pas një udhëtimi të gjatë, ajo që dëshironi për ekipin tuaj, shokët, familjen dhe mbështetësit është që t’i festoni arritjet dhe të ndiheni që tani mund t’ia lini filmin botës – se ai do ta gjejë rrugën e vet”, ka thënë ajo.

Regjisorja e rrëfimeve të guximshme në eksplorim identitetesh ka thënë se kur ra pandemia, u është dashur që të heqin dorë nga festimet e përbashkëta për arritjet e filmit të tyre.

“Prandaj këto nominime janë një mirënjohje e punës së madhe që është bërë gjatë realizimit të ‘Wake U pon Mars’ dhe një përgëzim për ekipin më të talentuar e të fortë për produksionin, dhe për një familje e cila nuk hezitoi që të fliste me mua dhe të ma besonte që unë të tregoja rrëfimin e tyre dhe për mbështetësit që ishin me ne çdo hap”, ka thënë ajo.

Regjisorja, Dea Gjinovci, u bë e njohur me dokumentarin e saj të shkurtër “Sans le Kosovo”, kur në vitin 2017 fitoi çmimin për filmin më të mirë kombëtar në “DokuFest”. E dokumentari i saj debutues i gjatë “Wake Up on Mars” mori mbështetje nga “Sundance Film Institute” dhe “Ford Foundation JustFilms” të New Yorkut dhe fitoi “Perspectives d’un doc” në “Visions du Réel 2018” në Nyon të Zvicrës. Vitin e kaluar “Wake Up on Mars” ishte pjesë e festivalit “Tribeca Film Festival” në New York dhe “Visions du Réel Festival” në Nyon të Zvicrës. Premierën kosovare e pati në gusht të vitit të kaluar në festivalin e filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Bëri histori. Për herë të parë një film i një regjisoreje kosovare u bë pjesë e garës ndërkombëtare për dokumentarë të gjatë.”DokuFesti”, për shkak të pandemisë, u mbajt online prej 7 deri më 25 gusht.