Kulturë

Kujtim Prodani – kantautori që e deshi përjetësisht Tiranën

Pasditen e së mërkurës, pikërisht në Ditën e Ujit të Bekuar, këngëtari dhe tekstshkruesi Kujtim Prodani ka dhënë frymën e fundit në përballjen e pamundur me virusin COVID-19. “Djali i Tiranës”, që gjatë gjithë karrierës së tij në muzikën e lehtë i këndoi dashurisë, ishte vazhdues i denjë i traditës së Prodanëve

Prishtinë, 6 janar – Deluzioni i rikthimit në vendlindjen gati të shpërfytyruar nuk e kishte zhvleftësuar Tiranën. Pavarësisht angështive të trishtimit, “djali i Tiranës” ua dha një vulë të fortë origjinale dhjetëra krijimeve të tij. Me kujtimin e pashuar për prindërit, Agim Prodani dhe Anita Take, Kujtim Prodani spikati për afro dy dekada si një nga emrat më të shquar të muzikës së lehtë shqipe.

Të mërkurën pasdite ai ka dhënë frymën e fundit në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ku ishte shtruar tetë ditë më parë. Besimplotë se do ta fitonte betejën me virusin COVID-19, e në humor të mirë me miqtë e vet, “flama e keqe”, siç e kishte quajtur ditë më parë, ia preu jetën në moshën 57-vjeçare artistit të njohur.

“Fluturon Kujtimi ynë i shtrenjtë! Çfarë dhimbje”, ka shkruar i afërmi i tij, Voltan Prodani, i cili ka dhënë i pari kumtin e pikëllimtë.

Ditë më parë, këngëtari i ndjerë kishte bërë një fotografi nga shtrati i spitalit, ku shihej me maskën e avulluar të oksigjenit. “Sa miq e sa të afërm na more, o flamë e keqe!”, kishte shkruar Prodani.

Më 29 prill të vitit të kaluar, atëherë kur dara e pandemisë kishte shtrënguar gjithçka në izolim të plotë, ai kishte publikuar këngën “Ju flet Corona (Të jesh njeri!)”, me tekst të Persida Asllanit dhe orkestrim të Sajmir Çilit.

“Unë tretem ngadalë në brishtësinë tënde/I humbur n’betejën time përjetësisht/ Ti mbetesh aty, mbi Tokë, me kujtimin tim gdhendur/ Që si ëndërr e keqe të kujtoi/ Të jesh njeri/ Thjesht njeri/ I mirë siç lind/ Dashurisht njeri…!”, ishin vargjet e fundit të këngës që merr një jeh mallëngjyes disa orë pas ndarjes nga jeta të këngëtarit të njohur.

Në rrjedhën e ngushëllimeve të ndjera që kanë pasuar lajmin për ndarjen nga jeta të artistit, miq, kolegë e dashamirë kanë vlerësuar se muzika shqipe ka mbetur pa këngëtarin dhe tekstshkruesin e talentuar.

“U shua sot kantautori ynë i shquar, artisti virtuoz dhe qytetari model, Kujtim Prodani, djali i dy prindërve të mrekullueshëm dhe artistëve të paharruar, Anita Take dhe Agim Prodani. Shumë dhimbje!”, ka shkruar kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, i cili ka ngushëlluar të afërmit dhe gjithë komunitetin e këngëtarëve e artdashësve. “Këngët dhe muzika e Kujtim Prodanit do të dëgjohen përherë”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka thënë se nuk gjen fjalë për ta përshkruar trishtimin nga humbja e parakohshme e Kujtim Prodanit.

“Djali që i këndoi Tiranës, dashurisë e jetës, sot iu bashkua prindërve të tij të nderuar, Anita e Agim Prodani... Është shumë herët për t'u ndarë nga ky mik i mirë i të gjithëve”, ka shkruar në faqen e saj zyrtare ministrja Margariti.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në ngushëllimin e tij ka theksuar se Prodani nuk u lodh asnjëherë së kënduari për qytetin e tij.

“Sot ai u nda nga jeta, duke hidhëruar zemrat e të gjithëve neve që kemi admiruar talentin dhe muzikën e tij unike”, ka shkruar Veliaj, ndërsa ka afishuar këngën ikonike “I Am From Tirana”, me të cilën i ndjeri kishte marrë pjesë në edicionin e vitit 2003 të “Këngës Magjike”.

Akademiku dhe etnomuzikologu Vasil Tole e ka quajtur “lajm të hidhur farmak” ndarjen nga jeta të djalit të mjeshtërve të mëdhenj të muzikës, Agim Prodani dhe Anita Take.

“Ishim kolegë e miq të mirë prej viteve studentore, ish-studentë të kompozicionit në klasën e profesorit Kozma Lara. Në muzikën që shkroi e interpretoi, vijoi traditën e Prodanëve në muzikë duke e pasuruar atë me tingujt e shpirtit të tij të bardhë, të sinqertë e të qeshur”, ka shkruar Tole në llogarinë e tij në “Facebook”.

Teksa ka zbardhur të fundit mesazh që e kishte shkëmbyer në natën e ndërrimit të moteve, ai ka vlerësuar se Prodani “ishte optimist deri në fund, si një akord mazhor! Iku në ditën e bardhë të Ujit të Bekuar!”

Kujtim Prodani ishte një nga emrat më të dashur për publikun shqiptar si këngëtar dhe autor i 57 teksteve të këngëve. “Ngjyrat e moshës” (1990), “Bela” (2011) dhe “Unë e dua erën” (1991), janë disa nga filmat ku u ndje dora mjeshtërore e muzikës të tij.

Debutimin në skenën muzikore e nisi në nëntor të vitit 2003, në edicionin e asokohshëm të “Këngës Magjike”. Një muaj më vonë, ai mori pjesë në Festivalin e 42-të në RTSH, me këngën “Ju të dashurat e mia”.

Kurdoherë në intervista, Prodani ka nderuar kujtimin e dy prindërve të tij duke e cilësuar jetën brenda familjes si “parajsë dashurie”.

Në një nga intervistat e fundit, kantautori i njohur kishte rrëfyer se tronditjen më të madhe në jetë e kishte ndier kur kishte zgjedhur të kthehej nga Vjena në Shqipëri.

“Më mposht trishtimi në momente të caktuara”, kishte thënë ai verën e kaluar në emisionin “Historia ime” në TV Klan, me gazetaren Mirela Milori. Sipas tij, Tiranës i mungojnë disa gjenerata që janë larguar pakthyeshëm jashtë vendit.

“Unë tronditjen më të madhe në jetën time nuk e kam pasur as kur më vdiqën prindërit, as kur ika refugjat. Atë e përjetova kur u riktheva nga Austria në Tiranë”, kishte thënë Prodani. “Ishte një aventurë e tmerrshme të kuptoje se ky nuk ishte më vendi yt, mungonte ai brez që do t’i bënte më të stuhishme duartrokitjet”.

Në karrierën e tij mbi dydekadëshe, Prodani ka lënë pas vetës katër albume (“I Am From Tirana” 2004, “Me sytë nga dera” 2009, “Shpirt i trazuar” 2013 dhe “Prodan” 2020), dhjetëra videoklipe, si dhe paraqitje të shpeshta në festivalet e RTSH-së.