Kulturë

Vdiq nga COVID-19 kantautori Kujtim Prodani

Kantautori Kujtim Prodani ka humbur sot betejën me COVID-19, njofton “ATSH”. Prodani prej disa ditës ishte i shtruar në spital, por nuk ia doli të fitonte betejën me COVIDIN.

Prodani ishte 57-vjeçar, ndërsa telegrame ngushëllime kanë ardhur nga figurat më të larta politike shqiptare.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Kujtim Prodanit.

“Një humbje e madhe për artin shqiptar. U shua sot kantautori ynë i shquar, artisti virtuoz dhe qytetari model, Kujtim Prodani, djali i dy prindërve të mrekullueshëm dhe artistëve të paharruar Anita Take dhe Agim Prodani. Shumë dhimbje! Ngushëllimet më të ndjera të afërmve, komunitetit të këngëtarëve dhe të gjithë artdashësve. Këngët dhe muzika e Kujtim Prodanit do dëgjohen përherë”, shprehet Meta.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, pas lajmit të ndarjes nga jeta të Prodanit u shpreh “nuk gjej fjalë të përshkruaj trishtimin që ndjej nga humbja e parakohshme e kantautorit Kujtim Prodani. Djali që i këndoi Tiranës, dashurisë, jetës sot iu bashkua prindërve të tij të nderuar Anita e Agim Prodani. Është shumë herët për t’u ndarë nga ky mik i mirë i të gjithëve. U prehsh në paqe!”.

Prodani ishte këngëtar i njohur dhe autori i 57 tekste këngësh. Në nëntori të vitit 2003, ai mori pjesë në Këngën Magjike me këngën “I am from Tirana” dhe prej atëherë aktiviteti i tij artistik nuk është ndalur.