Kulturë

“Zana” midis 25 filmave të 2020-s, mundësi për promovim ndërkombëtar

“Një vit, në të cilin më shumë se kurrë kemi pasur nevojë për filma”, e ka cilësuar platforma kulturore “48 Hills” vitin 2020, duke shpalosur një listë me titujt e projekteve filmike më të mira. Në listën ku hyjnë 25 filma, si dokumentari “You Don’t Nomi”, nën regji të Jeffrey McHale, e drama “Ma Rainey's Black Bottom”, nën regji të George C. Wolfe, është edhe “Zana” e Antoneta Kastratit. “Kjo është ndihmë në promovimin e filmit tek audienca e gjerë”, ka thënë Kastrati

Ka më shumë se një vit që u dha premierë botërore, por “Zana” s’ka të ndalur në tërheqjen e vëmendjes ndërkombëtare. Kësaj radhe, platforma kulturore “48 Hills” e ka futur në listën e 25 filmave më të mirë që u shfaqen vitin e kaluar. Aty janë përfshirë produksione me buxhet të vogël. E ka një arsye për këtë. Qenë pikërisht kësi lloj filmash që e mbushën boshllëkun e 2020-s si pasojë e mungesës së hiteve të Hollywoodit, premierat e të cilëve u anuluan ose u zhvendosën për këtë vit.

Rrëfimin e traumave të pasluftës që përthekohet në filmin, nën regji të Antoneta Kastratit – që vjen si dramë ku personazhet përplasen me forca mistike, ankthe, besëtytni dhe magji – platforma amerikane e ka cilësuar si gjetje adekuate kinematografike nga platforma amerikane. Në shkrimin për 25 filmat më të mirë të 2020-s, shkruhet se viti që lamë pas ua hoqi pluhurin produksioneve të vjetra, por që vlenin dhe sigurisht u hap një mundësi për filmat meritorë, por jo shumë komercialë, më të vegjël, të pavarur dhe të huaj, që më në fund të shpërndahen në SHBA.

“48 Hills” është një platformë e pavarur dedikuar kulturës. E themeluar në vitin 2013, numëron rreth 30 mijë lexues në javë. Është publikim i organizatës joqeveritare “Progressive Media Center” në San Francisco. Njihet për publikimin e raportimeve dhe kritikave nga njerëz të njohur në fushën e kulturës.

“Favoritët tanë janë çdo herë e më shumë drejt filmave të vegjël, që janë zakonisht jashtë vëmendjes. Por kjo nuk do të thotë se ka mungesë zgjedhjesh. Në të vërtetë, ishte një vit mjaft i mirë për filmat artistikë… nëse do të dinit ku të shikonit. E në rast se jo, këtu keni 25 filmat më të mirë”, ka shkruar “48 Hills”.

Lista plotësohet me tituj si filmi romantik “And Then We Danced”, nën regji të Levan Akin, të cilin Instituti i Filmit në Suedi e shpërbleu për skenarin më i mirë, filmin më të mirë e aktorin më i mirë, pastaj “Corpus Christi”, nën regji të Jan Komasa-s, që u nominua për regjinë më të mirë dhe aktorin me të mirë në “European Film Awards”, si dhe i nominuar për “Best International Feature” në “Oscars”. Në listë janë të përfshirë edhe “First Cow”, nën regji të Kelly Reichardt, “The Father”, nën regji të Florian Zeller, dhe ai që po konsiderohet një nga hitet e këtij vitit, “Nomadland”, nën regji të Chloe Zhao.

“Zana” shpërfaq historinë e Lumes (Adriana Matoshi) dhe burrit të saj Ilirit (Astrit Kabashi). Lumja dhe Iliri ishin të lumtur dhe e donin njëri-tjetrin, por kjo ishte në të kaluarën dhe ajo periudhë ka mbetur veç kujtim. Lufta dhe vdekja e vajzës së tyre i ka tronditur. Lumja e ndjekur nga ankthet e natës dhe nga dështimet e shtatzënësisë dërgohet te magjistarë të ndryshëm ritualesh të pazakonshme me qëllim që ta shërojnë nga magjia e zezë. E kur ajo mbetet shtatzënë, kujtime të errëta nga koha e luftës do të kthehen duke i ndjekur atë dhe fëmijën e palindur.

Regjisorja e filmit, Antoneta Kastrati, ka thënë se përfshirja e filmit në këtë listë është një mundësi e mirë për të promovuar filmin.

"Është nder për mua që ‘Zana’ është në listën e 25 filmave më të mirë në ’48 Hills’ në San Francisco. Gjithashtu, kjo është ndihmë në promovimin e filmit tek audienca e gjerë, pasi që ‘Zana’ qe disa javë është edhe në platforma online”, ka thënë Kastrati.

Prej 18 dhjetorit, filmi është i qasshëm në dy platforma online: “Amazon Prime Video” dhe “Vimeo”. Gjatë këtij muaji pritet të jetë i qasshëm edhe në “iTunes” dhe në platforma të tjera. Filmi që bëri bujë nëpër festivale, por që për shkak të pandemisë i pati mundësitë e kufizuara sa u përket kinemave, pati premierën botërore më 7 shtator të vitit 2019 në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto. Ishte propozimi i Kosovës për “Oscars 2019” në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj (jo anglisht). Filmi me producent Casey Cooper Jonson është bashkëprodhim midis Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-së, dhe është financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.