Kulturë

“Zgjoi” nëpër botë me rrëfimin e gruas nga Krusha e Madhe

Shpjegimi më i thjeshtë do të ishte ky: Një regjisore dëgjon rrëfimin e gruas nga Krusha e Madhe, burri i së cilës është ende në listën e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, e shndërron atë në skenar, skenari bëhet film dhe godet me të parën, në konkurrencë e premierë botërore në një alamet festivali.

Por, ka shumë më shumë përtej këtij shpjegimi. Aty u thye heshtja, paragjykimet. E përbrendshmja u nda me të tjerët që botës t’i shpaloset jo vetëm rrëfimi i saj, por i mijëra grave të Kosovës.

“Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit erdhi si vulë suksesi krejt në fund të 2020-s, kur më dhjetor i konfirmua se është në garën zyrtare në festivalin e kategorisë A, “Sundance Film Festival” që do të mbahet prej 28 janarit deri më 3 shkurt. Këtu do të nisë së shkruari historia e këtij filmi. E historia që shkroi filmin, kthehet 21 vjet prapa.

Marsi i 1999-s

25 mars 1999. Atë ditë, Fahrije Hoti e pa për herë të fundit burrin e saj, Bashkimin. Ditën në vazhdim ia sillnin goditjet e radhës. U nda nga e bija e saj tek u bashkua me gra dhe vajza të tjera brenda xhamisë, nën vëzhgimin e forcave paramilitare serbe. Ankthi sa vjen e shtohet. U japin urdhër të nisen për në Gjakovë ku i prisnin varret masive të gatshme për ekzekutimin e tyre. Fahrija më të birin tre muajsh ecte drejt asaj që mendonte se do të ishte vdekja.

“Ka qenë tmerr me e pa një fshat me shtatë mijë banorë, të djegur, të boshatisur, çdo cep duke u kallë”, përshkuan Fahrija, Krushën e Madhe në tmerrin e luftës. Ia doli të bashkohej me vjehrrin dhe vjehrrën. Gjatë rrugës ndeshen me forca të tjera serbe të cilat ia rrahin vjehrrin, Haxhiun të cilin në “Zgjoi” e portretizon Çun Lajçi. Në mes të urës së Rogovës, ia marrin edhe djalin dhe i kërkojnë para. Anëtaret e tjerë paguajnë për jetën e tij e me gjithë këtë, ushtari ia përplas fëmijën përtokë. Për katër ditë foshnja refuzon të hajë.

“Nuk më kanë dhënë beben. E kanë lëshuar në tokë, por e kam marrë sikur kur don me vjedhë diçka edhe me ik, pra fëmijën tim, dhe jam largu”, kujton ajo në një bisedë për KOHË-n, në fund të dhjetorit pak ditë pasi filmi që shkrin rrëfimin e saj, u konfirmua për në festivalin e madh.

Pasi që ishte bashkuar me vajzën e saj dhe anëtarët e tjerë të familjes, të shpëtuar, do të bëheshin tok për t’u vendosur në Shqipëri.

Liria solli shpresë. Kthimi në Krushë të Madhe qe edhe zhgënjim, frikë për të ardhmen. Fshati ishte bërë shkrumb e hi. E, për Bashkimin nuk dihej gjë. Siç nuk dihet sot e kësaj dite. S’u dorëzua. Vendosi të shikojë përpara për hatër të dy fëmijëve.

“Jemi kthyer në shtëpi, e kemi shikuar se cilat janë mundësitë që me e pastru ambientin dhe me iu kthye normales, pavarësisht njerëzve që nuk e dinim se ku ishin. Jemi mundu me e marrë rolin e burrit, me punu”, thotë Fahrija.

Ta niste jetën nga e para s’ishte e lehtë. I duhej të kishte pavarësi, të punonte, t’u siguronte ushqim fëmijëve të saj. Ishte lufta për ta rigjetur fillin e këputur.

Do të niste të merrej me bletë. Edhe sot është e bindur se ato e ndjenin dhimbjen e saj dhe për këtë e sulmonin. Hoqi dorë prej tyre. Nisi të merrej me turshi e ajvar.

Kavanozat ia jepte vjehrrit të saj që t’i shiste në Pazarin e Gjakovës. Pjesën tjetër e reklamonte edhe në një qoshe brenda zyrës së shoqatës “Gratë e veja”, themeluar prej saj më 2003 me synim zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Edhe biznesi i ri nisi t’i ecte mirë.

Ky udhëtim kishte edhe një kapitull më vetë. Sulmohej vazhdimisht. Njerëzit s’e linin rehat. E paragjykonin. Aty fokusohet edhe filmi.

Fahrija, 51 -vjeçare e ka parë filmim e jetës së saj. Nuk pret që t’ia ndryshojë jetën edhe kur ta shohin të tjerët.

Një kronikë televizive do të bëhej sebep që regjisorja Blerta Basholli të nisej drejt Krushës së Madhe për ta takuar Fahrije Hotin, gruan sinonim të vuajtjeve të pasojave të luftës por mbi të gjitha, shembull të guximit e mos heqjes dorë. Në filmin “Zgjoi” vjen veç një episod nga jeta e gruas së fortë të Krushës së Madhe e që bëhet personifikim i grave kosovare që përballen me fatin e njëjtë. “Të filmi ka qenë e kompletuar ajo që unë e kam përjetuar”, thotë Fahrije Hoti. “Është grua e jashtëzakonshme”, thotë aktorja Yllka Gashi. “Një tregim suksesi”, e përshkruan filmim e vet, Blerta Basholli

“Te filmi ka qenë e kompletuar ajo që unë e kam përjetuar. Duhet të pranohet realiteti. Ka me pasë paragjykime dhe njerëz që kanë me dyshu ,por duhet publiku që ta kuptojë se ato janë të vërteta. Me të vërtetë kanë ndodhë paragjykimet, pasi që më së shumti filmi lidhet me paragjykime sesa ndoshta me punën dhe të arriturat”, thotë Hoti. Është krenare që dokumenton jetën e saj. Thotë se kushdo që e sheh “Zgjoin” do t’i kuptojë vuajtjet e saj dhe vështirësitë që i ka kaluar. E vetmja brengë që i mbetet është fati i bashkëshortit. “Zgjoi” shkon përtej historisë së Hotit. Është pikërisht siç e thotë edhe ajo – një projekt filmik që përçon imazhin e grave të Kosovës që kanë mbetur të veja dhe fuqinë e tyre për të ecur përpara.

“Pa shikuar prapa, anash, por vetëm përpara”, thotë Hoti me një dozë krenarie.

29 ditë në lëkurën e Fahrije Hotit

Fahrije Hoti mundohet t’i kursejë njerëzit nga vuajtjet e saj. Fokusohet çdo herë të aspektet pozitive. Mundohet të gjejë një dritëz sado të zbehtë, kurdoherë që gjërat përreth saj janë të errëta.

Por, aktorja Yllka Gashi, nuk ngurron që të tregojë se të jetohet në lëkurën e Fahrije Hotit nuk është e lehtë. Për KOHËN ka shpalosur detaje nga ditët e xhirimeve. Ka treguar më shumë për rolin që e pranoi gati një dekade më parë. Ishte takuar me regjisoren në vitin 2011. Po atë vit njohu edhe Fahrijen. E takoi pasi bleu ajvar prej saj.

Image
Yllka Gashi (djathtas) në rolin e Fahrije Hotit dhe Valire Haxhijaj-Zeneli (Mihrija), gjatë xhirimeve të filmit “Zgjoi”

“Fahrija është një grua e jashtëzakonshme”, thotë Gashi krejt në fillim të bisedës. Shton se publiku nëpërmjet “Zgjoit” do të marrë vetëm një copëz nga jeta e një gruaje të fortë, e cila lufton me tërë qenien e saj për një jetë me të mirë për fëmijët e vet. Një grua që përkundër të gjitha sfidave e vështirësive, nuk dorëzohet deri në arritjen e qëllimit.

“Më vjen mirë që filmi ynë trajton jetën e një gruaje kosovare e cila në fund të fundit është e suksesshme dhe suksesin e saj e ka ndarë dhe vazhdon ta ndajë me komunitetin ku jeton”, thotë ajo. Por, detaje që zbulon gjatë realizmit të filmit, shpërfaqin më së mirë se sa i lodhshëm fizikisht, psikikisht dhe emocionalisht ka qenë i gjithë ky proces për Gashin. Ajo kishte ardhur nga ShBA-ja, ku vepron dhe jeton tash e disa vjet për t’u bërë pjesë e xhirimeve gjatë qershorit dhe korrikut të vitit të kaluar në Janjevë, Prizren dhe Prishtinë.

“Të bësh film nuk është e lehtë”, thotë aktorja 38-vjeçare. Xhirimet zgjasnin prej 12 deri në 15 orë në ditë.

“Mua më është dashur të ngas një veturë shumë të vjetër, pa klimatizim, që shpesh as dyert e as xhamat nuk i hapeshin, nëpër rrugë të ngushta me përpjetëze e tëposhtëze të frikshme e pa asfalt”, kujton Gashi një grimë nga përvojat në shesh xhirimi. E duke mos qenë shofere me përvojë të madhe, i duhej të mendonte edhe për kamerat e shtrenjta që montoheshin në xhamin e veturës. Përkundër drojës, kur ndizeshin kamerat, fshihte emocionet dhe fokusohej te aktrimi. Ngasja e kësaj makine lidhet me Hotin.

Në vitin 2002, Fahrija mori patentë shofer. Drejtonte një “Opel Astra”, blerë për 3 mijë marka. Një makinë e vjetër e dëmtuar por që Hotit do t’ia jepte një lloj lirie në ditët e paqes. Më të mund të arrinte më lehtë pikat e shitjeve dhe të merrte pjesë nëpër panaire.

Gashit po ashtu i ishte dashur që të punonte edhe me bletë dhe ishte thumbuar shumë herë prej tyre. Kishte bartur thasë me speca për shumë dubla që përsëriteshin, njëlloj siç kishte bërë Fahrije Hoti gjatë jetë së saj.

“Kemi pasur xhirime në një pishinë shumë të thellë, ku më duhej të zhytesha e ta mbaja frymën për disa sekonda duke e kërkuar kamerën nën ujë e pastaj kur dilja nga uji mërdhija nga të ftohtit sepse xhirimi ishte natën dhe kostumi im lagej”, ka treguar Gashi për një tjetër sfidë gjatë xhirimit. Në javën e dytë të xhirimeve do të ftohej keqas, pasi që lodhja i ishte akumuluar edhe nga provat e gjata. Kishte vazhduar xhirimet ani pse e sëmurë me bajame, pasi që ekipi kishte paraparë që t’i xhironte gjatë atyre ditëve skenat që ajo i përshkruan shumë të vështira fizikisht. Por, përkundër vështirësive, thotë se nëse do të duhej ta përsëriste si përvojë, do ta bënte pa menduar dy herë.

Me të parën i kishe lindur ideja për film regjisores Blerta Basholli.

Një tregim suksesi

Regjisorja Basholli kishte dëgjuar për Fahrije Hotin, nga një storie televizive. E kishin intriguar disa pika kryesore të këtij rrëfimi. Në mesin e tyre këmbëngulësia për të gjetur burrin e saj, marrja e patentë shoferit dhe fillimi i një agrobiznesi për të mbështetur fëmijët e saj. E një aspekt tjetër ishin edhe paragjykimet që ajo kishte hasur gjatë rrugës. Iniciativat e saj për të qenë e zonja e vetes, nuk shiheshin me sy të mirë nga rrethi patriarkal.

“Filmi është mjaft i fokusuar në karakterin kryesor dhe ankthin e saj të brendshëm. Është i xhiruar në stil mjaft realist dhe autentik me elemente të vogla simbolike”, tregon Basholli. Ajo shpreson që filmi të rezonojë emocione. E ka me rëndësi që publiku, sado pak të bashkëndiejë me karakterin e sfidat që i ka kaluar ajo dhe gratë e tjera në të njëjtën pozitë. Mbi të gjitha për të “Zgjoi” është tregim i suksesit.

“Filmi kryesisht fokusohet në karakterin e Fahrijes, në gjendjen e brendshme emocionale të saj. Meqenëse në rrethin ku jeton pak i jepet mundësia të shprehë anën e brendshme. Këtë jemi munduar ta tregojmë përmes xhirimeve dhe montazhit”, ka thënë ajo. Sipas regjisores, situata e grave po përmirësohet çdo ditë, por ende nuk mund të thuhet se është e kënaqshme.

“Ne kemi gra inteligjente e të afta për të kryer çdo punë, por nuk është se u jepet mundësia dhe nuk është se inkurajohen shumë”, thotë ajo. Ka treguar se gjatë xhirimeve i ka qëndruar besnike skenarit, por jo edhe gjatë montazhit në mënyrë që të arrinte pika të caktuara dramaturgjike, dhe ta bënte tregimin më kompakt. Ani pse nuk e ka shumë të qartë se çfarë e ka shtyrë drejt regjisë, shton se ndoshta ka qenë dëshira për të jetësuar në ekran tregime që e intrigojnë.

“Për t'u dhënë zë zërave të padëgjuar, për të rikriju realitetin dhe për t’i bërë shikuesit ta përjetojnë atë realitet përmes ekranit”, thotë Basholli. “Zgjoi” është padyshim një fillim i mbarë për këtë. Zëri i tij tashmë jehon. E ky është veç fillimi.

Image
Në shesh-xhirim të filmit ”Zgjoi” me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, i cili do të jepet premierë botërore në “Sundance Film Festival”, i cili mbahet prej 28 janarit deri më 3 shkurt të vitit 2021