Kulturë

Kristë Lekaj – muzikanti i shumanshëm e largpamës

Descriptive Text

Ishte në mesin e muzikantëve të parë të shkolluar të Kosovës, e gjatë karrierës së tij la gjurmë si kompozitor, dirigjent, orkestrues e aranzhues. Kristë Lekaj, për kolegë e bashkëpunëtorë të tij ishte njeri i urtë e largpamës, i cili frymëzonte e përkrahte muzikantët e gjeneratave të reja. “Ishte një muzikant me shumë përvojë e me një qasje tradicionale ndaj muzikës klasike. Vdekja e tij është një humbje e madhe për skenën artistike e muzikore”, ka thënë drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari

Në kohën kur në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore ballafaqimi me analfabetizmin po vazhdonte, nuk ishin të shumtë ata që ia mësynin shkollës së mesme. E krejt të paktë ata që ndiqnin mësimet në shkollën e mesme të muzikës. Në listat e nxënësve të Shkollës së Mesme të Muzikës në Prizrenin e fundit të viteve ’40 ishte edhe emri i Kristë Lekajt. E në vitet ’50 ai do të ishte një ndër emrat e parë të muzikantëve profesionistë. Kompozitori, dirigjenti, orkestruesi e udhëheqësi i institucioneve muzikore ka vdekur të hënën. Ai ishte 85 vjeç.

Si humbje e madhe për artin muzikor, vdekja e Lekajt është konsideruar edhe për faktin që ai i takonte plejadës së parë të kuadrove të edukuara të Kosovës së asokohshme. Njoftimin për vdekjen e Lekajt e ka dhënë Filarmonia e Kosovës.

“Jemi të prekur nga lajmi për ndarjen nga jeta të kompozitorit dhe dirigjentit Kristë Lekaj”, shkruhet në njoftimin e këtij institucioni. Në njoftim tregohet se përveç punës shumëvjeçare në produksionin e Radiotelevizionit të Prishtinës, Lekaj ka punuar, pas luftës, për disa vjet, edhe me Korin e Filarmonisë së Kosovës si dirigjent dhe korepetitor.

“Kristë Lekaj (1935-2021) u nda nga kjo jetë për të lënë pas vetes vepra me vlerë. Me punën dhe kontributin e tij, ai ka fituar respektin e të gjithëve që e kanë njohur. Anëtarët e Filarmonisë së Kosovës do ta kujtojnë me respekt angazhimin e tij të çmuar në fushën e muzikës”, shkruhet në njoftimin e Filarmonisë në Faceboook, ku është dhënë edhe një biografi e shkurtër e Lekajt.

Me prejardhje nga rrethi i Prizrenit, Lekaj u lind në Shkup më 1935. Më pas familja e tij e tij u kthye në Prizren, ku Kristë Lekaj do të ndiqte mësimet në Shkollën e Mesme të Muzikës. Por nuk do ta linte me kaq. Në vitet ’50 do t’ia mësynte Beogradit. E më 1958 diplomoi në seksionin e teorisë së muzikës në Akademinë e Muzikës në kryeqytetin jugosllav. Për një kohë, disa vjet kishte qëndruar në Tiranë për të marrë mësime nga Çesk Zadeja, në fushën e kompozimit.

Pas studimeve u kthye në Prizren, ku punoi si pedagog në Shkollën e Muzikës. Pas Prizrenit, në Prishtinë krahas punës pedagogjike deri në pensionim, punoi në seksionin e muzikës në Radiotelevizionin e Prishtinës. Fillimisht ishte redaktor i muzikës e më pas edhe producent e udhëheqës i produksionit të RTP-së. Qe aranzhues i shumë këngëve të muzikës argëtuese, si dhe dirigjent. Opusi krijues i tij përbëhet nga një numër jo shumë i madh i veprave të muzikës serioze, ndër të cilat, vepra korale “Trualli betohet”, vokalo-instrumentale “Arbëreshës”, kushtuar Nënë Terezës, “Impresione simfonike” për orkestër, “Impresione folklorike I dhe II”, “Suitë korale” për kor miks, muzika e filmit “Proka”, “Requiem” për kor dhe orkestër e të tjera.

Pikërisht me “Requiem” më 2018, Lekaj kishte fituar Çmimin e Ministrisë së Kulturës për vepër vokalo-instrumentale dhe muzikore-skenike për veprën. E njëjta u interpretua premierë nga Filarmonia e Kosovës në mars të vitit 2019.

Pas koncertit, Lekaj kishte thënë se këtë vepër ia ka kushtuar martirëve të popullit të shumëvuajtur ndër shekuj.

“Sa ia kam arritur nuk e di, por shpresoj se vepra të jetojë edhe pas meje”, kishte thënë Lekaj. Ai kishte shpjeguar se këtë vepër e kishte pasur në kokë qe një kohë të gjatë dhe kishte filluar që çdo mëngjes t’ia kushtojë nga një apo dy orë, pa përdorur piano apo të tjera instrumente, por duke i vënë notat direkt në partitura.

“Vepra është shkruar prej frymëzimit. Nuk kam pasur ndonjë mjet tjetër ta përdor në krijim të kësaj vepre. Me interpretim jam shumë i kënaqur, kjo është një orkestër e re e cila dita-ditës po e tregon veten që po zhvillohet”, kishte thënë ai.

Në këtë institucion u angazhua edhe si orkestrues pasi shquhej për këtë punë si në muzikën klasike ashtu edhe në atë të lehtë qytetare. Jo pak kontribut dha edhe si udhëheqës i produksionit të RTP-së. Miq e kolegë të tij e kanë përshkruar si person bashkëpunues, motivues e i përkushtuar në ngritjen e kuadrove profesionale.

Kompozitori Fahri Beqiri ka thënë se Lekaj ishte një prej kompozitorëve të kompletuar, orkestrues e dirigjent i talentuar. Ka kujtuar kohën kur Lekaj ishte udhëheqës në produksionin e Radio Prishtinës.

“E çmoj shumë. Është provuar edhe si kompozitor me lloj-lloj veprash solistike dhe vokalo-instrumentale. Ishte njeri i urtë e punëtor”, ka thënë Beqiri.

Baki Jashari, i cili prej vitit 2006 udhëheq me Filarmoninë e Kosovës, ka kujtime shumë personale sa i përket Lekajt. Do ta njihte atë nga afër në vitin 1987. Pikërisht në një moment të rëndësishëm zhvillimi në karrierën e Jasharit.

“Më 1987 ai më ka ftuar personalisht si udhëheqës i produksionit të RTP-së. Më ka ftuar që ta udhëheq korin e RTP-së. Ka qenë ndër njerëzit kryesorë që më ka motivuar në profesion. Është kujdesuar për banimin e kuadrove deficitare duke treguar largpamësi në krijimin e kuadrit vendor profesional”, ka thënë Jashari. Sipas tij, pos largpamësisë, Lekaj ishte njeri i urtë, stimulues e bashkëpunëtor i mirë.

Më 2006, Jashari si drejtor do ta gjente Lekajn si dirigjent permanent të Korit dhe Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës. Pavarësisht ndryshimeve të mëdha që ishin bërë në Filarmoni, Jashari ishte kujdesuar që Lekaj të jetë i angazhuar në këtë institucion.

“Me vite të tëra e kemi mbajtur të angazhuar. Nuk merrej më me dirigjim, por ka punuar për disa vjet në sigurimin e orkestrimeve të veprave të ndryshme që i kemi interpretuar”, ka thënë ai. E ka përshkruar si orkestrues të shkëlqyeshëm. E ka vlerësuar lart edhe si autor të këngëve të muzikës së lehtë në kohën e RTP-së. Kishte aranzhuar këngë për emra të njohur të plejadës së këngëtareve të shekullit të kaluar si Luan Hajra e Nexhmije Pagarusha.

“Ishte një muzikant me shumë përvojë e me një qasje tradicionale ndaj muzikës klasike. Vdekja e tij është një humbje e madhe për skenën artistike e muzikore”, ka thënë Jashari. Ka kujtuar se Lekaj ishte ndër muzikantët e parë të gjeneratës së vjetër.

“Në kohën kur në skenën tonë ka pasur një numër të vogël të kompozitorëve, Lekaj ishte bashkë me Vinçenc Gjini, Sevim Kajtazin, Akil Kocin e të tjerë”, ka thënë Jashari.

Regjisori Isa Qosja më 1984 realizoi filmin “Proka”, i cili trajton dramën sociale. Lekaj e kishte punuar muzikën për këtë film. Qosja e përshkruan atë si një njeri të urtë.

“Ka qenë në nivel goxha të mirë muzikor. Bashkëpunimi me të ishte imponim i asaj që ka poseduar. Pra ishin vlerat e tij si autor dhe vlerat si njeri. Kisha ndjenjë të veçantë për këtë lajm të vdekjes dhe mendoj që kemi humbur një njeri të mirë dhe profesionist të mirë”, ka thënë ai.

Sipas Qosjes, në vitin që lamë pas, kultura e arti shqiptar humbën emra të mëdhenj.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, mbrëmjen e së hënës e ka kujtuar Lekajn nëpërmjet rrjetit social Facebook. Ajo ka shkruar se është prekur nga lajmi për ndarjen nga jeta të kompozitorit dhe dirigjentit. Ka konsideruar se ikja e Kristë Lekajt është një humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare.

“Ai dha kontribut të madh në produksionin e Radiotelevizionit të Prishtinës dhe për disa vjet në Korin e Filarmonisë së Kosovës. Veprat e tij kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në fushën e muzikës”, ka shkruar Dumoshi, derisa ka shtuar se u shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të kompozitorit të ndjerë. Lekaj kohëve të fundit rrallë shihej ngjarjeve kulturore. Dukej se ishte tërhequr goxha. Por në kulturën e Kosovës ka kohë që ka lënë gjurmët e tij.