Kulturë

Pinjolli i një dinastie politike amerikane

Descriptive Text

Bushët, Ruzvletët, Keneditë, Klintonët: ku do të ishin ata pa John Quincy Adamsin? Që biri i një presidenti mund të mëtonte vetë presidencën, siç bëri John Quincy më 1825, ishte zor e dukshme për një komb që sapo kishte liruar veten nga monarkia. Zgjedhja e John Quincy Adamsit provoi që dinastia politike ishte e mundur në Shtetet e Bashkuara.

Fakti që familja Adams solli vetëm dy presidentë duket më pak e spikatur nëse vetëm dinastitë e mëvonshme politike e bënë të njëjtën. Por nga perspektiva e djemve dhe stërnipërve të John Quincyt, çështja dukej ndryshe. Kur 12-vjeçari Henry Adams e vizitoi për herë të parë Shtëpinë e Bardhë më 1850, ai ndjeu sikur e kishte atë të “veten”. Kjo nuk ishte vetëm për shkak se ai e kishte njohur gjyshin e tij president që kishte ndërruar jetë së fundmi, dhe as pse kopshtari i familjes bënte qoka se Henry i ri priste të bëhej president. Kjo ishte edhe për shkak se i ati, Charles Francis Adams, ishte kandidat për zëvendëspresident më 1848. Henry kishte çdo arsye të besonte se i ati i tij së shpejti do të bëhej presidenti i tretë nga Adamsët, dhe ai i katërti me radhë.

Por ajo çka u bë ai ishte njëri prej intelektualëve më të mëdhenj të Epokës së Artë, i çmuar për veprat e tij elegante të historisë, kritikat e holla politike dhe esetë që kullonin me stërhollim estetik, por që asnjëra prej tyre nuk e bënte atë të lumtur. Biografia e re e mrekullueshme e David S. Brownit “The Last American Aristocrat”, sipërfaqëson atë se si barra dinastike formësoi personalitetin dhe karrierën e njeriut brilant, të hidhur e tërësisht të pangjashëm që solli prominencën e familjes Adams, pritshmëritë për qëndrueshmëri të trashëgimive politike, në një fund poshtërues. Në shtjellë e sipër, libri sjell një përshkrim tërheqës për shndërrimin e Amerikës në hapësirën e jetës së një njeriu, nga një republikë ku emri Adams nënkuptonte gjithçka, te një përbindësh që e la atë pas.

Pak amerikanë kanë filluar jetën me aq shumë epërsi sa Henry Brooks Adams. Ai u rrit në një atmosferë të rrallë në Quincy, Massachusetts, kur familja Adams ishin afër me aristokratët për aq sa republika e lejonte. Dhuntia e tij intelektuale ishte e dukshme qysh në moshë të njomë dhe ai pati fatin e mirë që të ishte djali i tretë. Prindërit e tij adhurimtarë e lejuan t’i shkonte pas muzës së tij, madje edhe kur dy vëllezërit e tij të rritur shkelën në rrugën e pritur nga Harvard College në pozita juridike nën udhëheqjen kombëtare. Edhe Henry diplomoi në Harvard, por ai paskëtaj shkoi në Evropë, ku shkroi ese të bukura mbi gjendjen e pështjelluar politike në fund të viteve 1850 dhe mbëltoi një kozmopolitanizëm që përftoi edhe një kompleks të pakëndshëm sipranie. Vendimi i tij për t’u bërë shkrimtar u bë i mundur nga gjyshi i tij milioner nga ana e nënës, që siguroi se asnjëri nga fëmijët Adams nuk kishte pse të punonte për të mbajtur gjallë veten.

Më shumë se një e treta e klasës së tij në Harvard mori pjesë në Luftën Qytetare, por Henry i bishtnoi fatit të brezit të tij në favor të një jetese në shoqërinë e lartë të Londrës në krah të të atit të tij diplomat, që ishte caktuar nga Lincolni në postin e ministrit, në oborrin e Saint Jamesit. Kur Charles Francis punonte pareshtur për të ruajtur asnjanësinë britanike, Henry kultivoi një qasje prej patrici dhe shkroi artikuj anonimë mbi shoqërinë dhe politikën britanike në “The New York Times”. Kur u kthye në Shtetet e Bashkuara, ai u vendos në Washington D.C., më parë sesa në folenë e Adamsëve në Boston. Duke bërë kështu, ai njoftoi se ambiciet e tij ishin më shumë kombëtare sesa rajonale në qëllim.

Henry synonte që të përvijonte brezat e mëparshëm të familjes Adams në administratën publike; nëse jo në presidencë, në pozicionin e privilegjuar të familjes në shërbimin e jashtëm. Por emërimi i tij ishte i tillë që ai refuzoi të përulte veten në nivel partie, duke pritur që kombi ta thërriste atë në bazë të sipranisë së tij të dukshme. Opozitarizmi i tij ndaj politikave të rindërtimit republikan nuk e ndihmuan aspak çështjen e tij. Henry, “për çudi i paaftë për të njohur njerëzinë e skllevërve të dikurshëm”, argumentonte se ishte jokushtuetuese t’u akordohej njerëzve të liruar nga qytetaria apo të drejta civile. “Paaftësia e tij për të lexuar rindërtimin kongresional si një orvatje morale më shumë se gabim politik”, shkruan Brown, “dëshmonte për një shpërfillje të thellë private sa i përket racës”.

Kështu Henry përqafoi rolin e një jabanxhiu politik. Duke e paraqitur veten si reformues, ani pse ai prirej nga sistemi patrikan i kastave, ai shkroi ese të mprehta mbi njerëzit që mund ta ngrinin atë në pushtet. Ndonëse mjaftueshëm i mprehtë sa për të kuptuar se pritshmëritë e tij aristokratike i takonin një kohe që s’kthehej më, ai kundërshtoi rendin e ri shoqëror, nga njerëzit e parë në krye të piramidës deri te emigrantët në fund të saj.

“Në një shoqëri çifutësh e reshperësh, një botë e bërë prej maniakësh të babëzitur pas arit”, ankohej ai, “unë nuk kam vend”. Antisemitizmi i tij ishte ekstrem edhe për klasën e tij shoqërore; ai urrente edhe irlandezët katolikë.

“The New York Times”. Përktheu: Salih Mehmeti