Kulturë

“I’m Your Woman” mbi politikat gjinore dhe racore

 

Dramat e zhanrit kriminalistik dhe filmat “noir” janë shpesh të keqidentifikuar si tërësisht ose kryesisht, një zhanër mashkullor ku trupat e grave janë një tastierë zëri në të cilën jehona mashkullore toksike mund të dëgjohet. Por, një arsye pse unë fascinohem nga ky zhanër janë gratë: vezulluesja Sharon Stone te “Casino”, Michelle Pfeiffer, e rrezikshme si tehu i mbrehtë i thikës në “Surface”, paraqitja e jashtëzakonshme, kapriçoze në gjithçka duke filluar nga “In a Lonely Place” deri te “The Big Heat”. Dëshirat e zjarrta të Ingrid Bergman në “Notorious”. Jane Fonda dhe lëvizjet e saj në “Klute”. Barbara Stanwyck duke zbritur shkallët gjatë prezantimit të saj në “Double Indemnity”, duke zbuluar në çdo hap tërheqjen fatale të karakterit të saj.

Por çfarë ndodh kur terreni emocionues i filmit bëhet fusha e tyre kryesore? Çfarë ndodh kur këto karaktere – të cilat zakonisht ekzistojnë në margjina dhe rrallëherë kanë një perspektivë definuese – lëvizin në qendër?

Julia Hart, e cila ka bërë regjinë dhe bashkëshkroi skenarin e “I’m Your Woman” duket sikur i ka këto pyetje dhe përgjigjet e mundshme në mendje dhe se është e vetëdijshme jo vetëm për historitë e këtyre zhanreve, por edhe për mundësitë e tyre. Filmi zhvillohet në vitet ’70, por strehohet në një karakter që shumë lehtë mund të ekzistojë në një hapësirë tjetër brenda manovrave të zhanrit. Jean (Rachel Brosnahan), gruaja e një hajduti të argjendit me emrin Eddie (Bill Heck), prezantohet si Jean, mendjen e saj të errët dhe paraqitjen e saj të ndritur të modës. Flokët e saj bionde me valë. Ajo me avashllëk pi cigare. Vesh fustan të purpur të pastër me një lloj lehtësie që sugjeron se bukuria nuk është vetëm interes për të, por një princip garues. Është diçka nga e cila filmi përfiton falë kostumeve të dizajnuara me precizitet nga Natalie O’Brien. Në kohën kur titulli me një rozë të lehtë trëndafili u shfaq në ekran, e dija se do të entuziazmohesha nga ky film.

Janë shkëputjet nga jetesa e saj e lehtë, e rehatshme, qartësisht e vetmuar nga dy veprime që janë jashtë kontrollit të saj. Eddie “i dhuron” asaj një foshnjë me shumë pak sqarime se nga ka ardhur, dhe Jean detyrohet të arratiset pas veprimeve katastrofike të burrit të saj. Ai zhduket nga jeta e saj dhe nga ekrani, dhe Jean e mbush hapësirën që ai ka lënë me pyetje pa fund që shumë rrallë marrin përgjigje. Ajo ndihmohet vetëm nga Cal (Arinze Kene) një shok i Eddiet, që ka për detyrë të kujdeset për të gjatë kësaj jete të re të përkohshme në arrati nga njerëzit që i ka zëmëruar bashkëshorti i saj.

Vendosja e filmit “I’m Your Woman” në vitet ‘70 është një çështje stili sesa një peizazh politik – të paktën kështu duket në shikim të parë. Nuk dua të gënjej, por mendoj se kinemaja është një medium i së bukurës. Hart, kinematografi Bryce Fortner dhe produksioni e ekipi i dizajnit, përdorin një gjuhë vizuale marramendëse që nuk ikën pa u vënë re. Duke shikuar filmin, u mrekullova nga paleta e tij e butë e ngjyrave, xhaketa prej lëkure që shkëlqen, dritaret e mbuluara me perde, duke dhënë një sfond gjeometrik në pikën ku është fokusi i xhirimeve, fytyra e shokuar e Brosnahan. Kamera rrëshqet mbi muret e veshura me dru dhe me tapete me pika ari. Tingujt e pianos dhe këngët e Aretha Franklin theksojnë gjendjen emocionale të filmit. Por bukuria nuk është e mjaftueshme për mua që të dua një film në mënyrën që e dua “I’m Your Woman”. E shoh Jean, duke biseduar me Cal. Mendoj nëse filmi do t’i eksplorojë politikat racore që shtrihen në mes tyre. Fatmirësisht, e bën këtë.

Jean me shpejtësi zbulon se ajo është një figurë që varet nga burrat, sepse nuk di sesi të funksionojë. Tërhiqet nga Cal, se gjithnjë e më shumë varet nga ai, gjersa përpiqet që t’i përcaktojë kufijtë e jetës së saj të re. Kjo nevojë e saj për ta gjetur veten, që të jetë e pavarur, ia jep filmit një hark të pasur që e trajton me delikatesë. Jean është e detyruar që të rritet. Ndonjëherë, karakteri përballet me të drejtat e saj dhe pamundësitë për të parë përtej dhimbjes së saj, por unë i shoh këto kualitete.

Realiteti për gratë në vitet ‘70 ishte edhe i zymtë, edhe i mbushur me shpikje të zjarrta feministe. Deri në atë dekadë gratë nuk u lejuan që të marrin kartela krediti dhe të hapnin xhirollogari bankare. Vetëm në vitin 1978 ligjet filluan që të rregulloheshin për të pasqyruar më saktë të vërtetën e dhunimit martesor. Kjo ishte një periudhë monumentale për gratë, afro-amerikanët dhe vendin. Nuk ka sesi të mos ndodhë që këto të shpalosen në film. Por, “I’m Your Woman” nuk i hedh si me spërkatje këto fakte. Ato bashkekzistojnë prapa marrëdhënieve të karaktereve. “I’m Your Woman” me lehtësi mund të kishte vendosur historinë e Jeanit për të rezonuar vetëm një periudhë të caktuar. Ajo mund të kishte thënë shaka të lezetshme për t’i “shkelur” burrat në jetën e saj dhe sistemin patriarkal që e formëson trajektoren e saj. Historia mund t’i kishte injoruar politikat racore të narratives së vet. Por nuk është kështu. Është diçka më e rrëshqitshme dhe tërheqëse: historia e përthekuar në mënyrë të thjeshtë e një gruaje që përpiqet të qëndrojë në këmbët e veta.

Marrë nga “Vulture”. Përktheu Alberina Haxhijaj