Kulturë

Veprat e “Grandit” drejt Galerisë që s’ka kushte as për koleksionin e vet

Janari do të jetë muaji kur 121 veprat që gjenden në hotelin “Grand” do të barten në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Por institucioni më i lartë i artit pamor në vend nuk e ka të lehtë ta bëjë këtë. GKK-ja numëron mbi 900 vepra në fondin e vet. Menaxhmenti i Galerisë vazhdimisht është ankuar për mungesë hapësirash. Të njëjtën gjë e ka përsëritur edhe të mërkurën, kur është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të veprave të artit që për dekada kanë qëndruar në ambientet e hotelit që dikur ishte emblematik për kryeqytetin.

Janë dashur 6 vjet që procesi që kishte nisur midis Ministrisë së Kulturës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit të zyrtarizohet me një vendim të Qeverisë së Kosovës. Vendimi për shpronësim është marrë të enjten e javës së kaluar nga Qeveria e Kosovës.

Edhe pse të mërkurën veprat nuk janë bartur nga hoteli “Grand”, Ministria e Kulturës ka organizuar një ceremoni të pranim-dorëzimit.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se për të ky vit po përfundon me shpronësimin e këtyre veprave që janë bazament i artit pamor në Kosovë.

“Ky është një lajm i mirë për fondin e Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe për fondin kombëtar të artit. Shpresoj që këto vepra vitin e ardhshëm të ekspozohen dhe t’i shikojnë familjarët e autorëve dhe njerëzit që e duan kulturën dhe duan të mësojnë për historinë e artit”, ka thënë ajo.

Në emër të GKK-së i pranishëm në këtë ceremoni ka qenë koordinatori i ekspozitave, Naim Spahiu. Ka thënë se GKK-ja ka një fond me mbi 900 vepra që ruhen me xhelozi të veçantë pasi janë vlerë kombëtare. Bëhet fjalë për koleksionin që ka themeluar ndër vite, qysh prej themelimit të institucionit, më 1979.

“Ne i mirëpresim këto vepra (të “Grandit” v.j.). Këto vlera janë themelet dhe rrënjët e shtetësisë së Kosovës. Kultura është identiteti i një populli”, ka thënë ai. Menjëherë ka dalë te kushtet që ka GKK-ja në ndërtesën ku është.

“Mund të them shumë sinqerisht që pavarësisht që ne si institucion nuk i kemi hapësirat e duhura për sistemimin e këtyre vlerave, ne duhet të kujdesemi me xhelozi dhe t’i ruajmë me mundësitë që i kemi. Gjithmonë pretendojmë që të kemi muze të artit bashkëkohor ku do të mund të ekspozoheshin”, ka thënë ai. Spahiu ka konfirmuar se gjatë janarit do të bëhet bartja e këtyre veprave.

Ankesa sa i përket hapësirës për fundusin kishte edhe ish-drejtoresha e GKK-së, Arta Agani.

Strehimorja në “Breg të Diellit”, ku në fillim të vitit Komuna kishte nisur punimet për t’ia dhënë në shfrytëzim GKK-së, del të mos jetë zgjidhje as për krejt fondin e institucionit. Aty mund të ekspozohen jo më shumë se 40 vepra.

Image

Veprat që për disa dekada ishin ekspozuar në hapësirat e “Grandit – në mesin e të cilave edhe “Pritja” e Agim Çavdarbashës – pritet që në janar të barten në Galerinë Kombëtare të Kosovës


“Ekspozimi i disa veprave nga koleksioni assesi nuk e zgjidh problemin e ruajtjes së koleksionit, sepse koleksioni do të mbetet në depon e GKK-së, ndërsa strehimorja do të jetë një lehtësim i madh sa i përket ekspozimit të koleksionit, i cili tani për tani qëndron në errësirë. Pra, strehimorja do të jetë salla muzeale për ekspozitën (semi)permanente të koleksionit”, kishte thënë Agani në janar të këtij viti.

Zgjidhja e përhershme për koleksionin e GKK-së me vepra emrash të njohur jo vetëm vendorë, gjithherë ishte menduar muzeu i artit bashkëkohor, i cili tash e më shumë se një dekadë është shembull i dështimit. Projekti i 2007-s prej atëherë ka mbetur në letër, përderisa Ministria e Kulturës çdo vit në buxhet planifikon si investim kapital.

Të mërkurën Agani ka thënë se në skaj të sallës ekspozuese të GKK-së kishin ndarë një hapësirë për veprat që janë në “Grand”.

“Ne e patëm ndarë atë hapësirë për ato vepra”, ka thënë ajo. Por ajo pjesë është hapur prapë si hapësirë ekspozuese.

Pjesë e koleksionit të “Grandit” që do të barten janë vepra të artistëve shqiptarë me nam, midis të cilëve: Rexhep Ferri, Agim Çavdarbasha e Gjelosh Gjokaj.

Gazeta për këtë çështje ka raportuar qysh prej vitit 2014. Asokohe Komisioni i përbërë nga përfaqësues të AKP-së dhe Ministrisë së Kulturës, të Rinisë e të Sportit ishte themeluar për t’i identifikuar, inventarizuar dhe sistemuar të gjitha veprat që ndodheshin brenda objektit të hotelit në qendër të Prishtinës. Iniciativa për formimin e një komisioni të tillë kishte ardhur pas kërkesës së familjarëve të skulptorit të ndjerë Çavdarbasha, për ta rimarrë njërën prej skulpturave që ndodhej në hollin e “Grandit” dhe që, sipas familjes, dekada më parë ishte dhënë vetëm për ekspozim aty.

“Grandi” katër dekada më parë ishte pasuruar me një fond veprash artistike, shumica prej të cilave ishin vendosur në ambiente të hotelit, e disa të tjera do të zbukuronin suitat. Por në vitet e pasluftës askush nga ata që kanë menaxhuar hotelin nuk ka qenë në gjendje të tregojë saktë për këtë fond të veprave e as për mënyrën se si kanë përfunduar ato në hotel. Sipas AKP-së, punëtorët pretendojnë se këto vepra artistike janë blerë nga ndërmarrja me rastin e hapjes së hotelit. Por për këtë nuk ekziston asnjë dokumentacion. As në Arkivin e Kosovës.

Hoteli “Grand” më 2006 i ishte shitur një biznesmeni. AKP-ja e kishte rimarrë nën menaxhim hotelin, pasi që nuk ishin përmbushur obligimet që kanë dalë nga kontrata e blerjes. Për të dytën herë nxjerrja e tij në shitje qe paralajmëruar në vjeshtën e vitit 2014. Por në mungesë të anëtarëve të Bordit të AKP-së, çështja kishte mbetur pezull.

Sebahate Çavdarbasha, drejtoreshë e fondacionit “Agim Çavdarbasha”, njëherësh bashkëshorte e skulptorit të ndjerë, kishte thënë se dy herë ka bërë kërkesa në AKP për tërheqjen e skulpturës “Pritja” nga “Grandi”, por asnjëherë s’ka marrë përgjigje. Kërkesën e ka përsëritur edhe javën e kaluar. Por, sipas zyrtarëve të AKP-së, në një përgjigje që ia kanë dhënë KOHËS më 2016, asnjëherë nuk janë paraqitur dokumente se vepra i takon familjes.