Kulturë

80-vjetori i vdekjes së Fishtës përkujtohet me dorëshkrime të reja

30 dhjetor – Me kopje dorëshkrimesh të rralla të letrave dhe veprave është përkujtuar at Gjergj Fishta. Në 80-vjetorin e vdekjes së tij, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, paraditen e së mërkurës, u hap ekspozita “Për Atmé e fé Gjergj Fishta”.

Nga fondi i institucionit më të madh bibliotekar në Kosovë janë nxjerrë ekzemplarë të shumtë të veprave të letrarit shkodran, libra studimorë për të si dhe kopje letërkëmbimesh në italisht.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku ka vlerësuar se Gjergj Fishta ishte figura më e jashtëzakonshme që, gjatë gjithë jetës së tij, shkroi dhe veproi për identitetin shqiptar.

“Ai i dha lexuesit shqiptar mrekullim e mahnitje me veprën e tij letrare që e orientoi kombin shqiptar drejt botës perëndimore”, ka thënë ai.

Drejtori i BKK-së ka bërë me dije se ekspozita sjell 20 vepra të rralla të botimeve të Fishtës, ashtu sikundër që janë sjellë edhe 360 dorëshkrime nga studiuesi, Bejtullah Destani.

“Duhet të ndërtohet një koleksion gjithëpërfshirës dhe të botohet një katalog me veprat e Fishtës”, ka shtuar Gajraku.

I pranishëm në ngjarje ishte edhe zëvendësministri i Kulturës, Engelbert Zefaj, i cili ka thënë se kjo ekspozitë afirmon vlerat e trashëgimisë së shkruar.

“Teksa flasim për figurën e Gjergj Fishtës, ne rikthejmë vëmendjen te përpjekjet e pareshtura të këtij njeriu për ndriçimin e rrugës për shqiptarët”, ka thënë Zefaj teksa ka shtuar se institucionet do të vazhdojnë të përkrahin shpalosjen e vlerave të kulturës albanologjike.

Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji ka falënderuar organizatorët për ekspozitën në 80-vjetorin e vdekjes së Fishtës.

“Nëse latinofonët mburren me Danten, gjermanishtfolësit me Fishtën, ne shqiptarët mburremi me Fishtën që ishte pena më e hollë e të gjitha kohërave”, ka thënë Gjergji.

Kjo ekspozitë – e përkrahur edhe nga MKRS – do të qëndrojë e hapur deri më 11 janar.