Kulturë

“Të vdekurit mbajnë zi për Atdheun” me dramat e traumat e së shkuarës

Descriptive Text

Prishtinë, 27 dhjetor – Në muajin e parë të vitit që vjen, Teatri Kombëtar i Kosovës do të jep një shfaqje ku e kaluara është emëruesi i përbashkët i krejt lojës. Do të vijë nën perspektivën dramaturgjike të shkrimtarit Beqir Musliu. Nën regji të Erson Zymberit, shfaqja “Të vdekurit mbajnë zi për Atdheun” përshkruhet si një udhëtim teatror nëpër dramaturgjinë e shkrimtarit të njohur Beqir Musliu. Me adaptim dhe dramaturgji skenike të Jeton Nezirajt, kjo shfaqje do të sjellë para publikut një lloj reflektimi mbi historinë.

“Motivet kryesore nga përmbledhja e autorit me katër drama ‘Shtrigani i Gjel-Hanit’, janë lidhur e bërë bashkë për të krijuar një strukturë të re dramatike e cila rezonon e i jep eho një bote të shkuar, ku kalorës me kuaj prej druri kalërojnë nëpër mitet e legjendat tona, nëpër dramat e traumat tona, nëpër fajin tonë të cilin e kemi ndrydhur e gjuajtur në harresë”, ka thënë Neziraj. Sipas tij, në shfaqje defilojnë shtriga e zana mali, kalorës të vdekur, dasmorë gazmorë, dhëndurë të çuditshëm, mbretër gjakatarë e pretendentë fronesh revolucionarë.

të harruara në vetmi e motra që udhëtojnë kaluar me të vdekur, cuba të kastruar, kuaj prej druri e viktima pa kokë! Dhe të gjithë këta, para se për të shkuarën, flasin për të tashmen, për mizoritë tona, për dellin tonë, për ta shkatërruar veten, për të shkatërruar Atdheun dhe të ardhmen në lindje…”, ka shkruar Neziraj në njoftimin për këtë shfaqje. E ka cilësuar si një shfaqje e çuditshme mbi një dramaturgji të çuditshme që vazhdon t’i bëjë ballë kohës. “Dhe plot pikëpyetje: për viktimat tona e për Atdheun e shpërthyer nga ne të gjallët”, ka shkruar ai.

Regjisori Erson Zymberi ka thënë se provat i kanë filluar para afro 3 jave, me disa pauza për shkak se 2 nga aktorë të kësaj shfaqjeje kanë qenë me virus dhe është dashur t’i presin deri në rikuperim të plotë.

“Shfaqja është një udhëtim teatror në dramaturgjinë e Beqir Musliu. Në shfaqje ne udhëtojmë në mitet kryesore të veprës ‘Shtrigani i Gjel-Hanit’ duke i risjellë ato të konceptuara e të përpunuara në një kontekst tjetër bashkëkohor”, ka thënë ai. Ka treguar se do të ringjallen heronjtë, kreshnikë e viganë, të cilët, përkundër veprave e të bëmave të tyre, edhe pse tashmë të vdekur, do të mbajnë zi për atdheun. Sipas regjisorit, shfaqja do ta ketë premierën në fund të janarit, për të vazhduar pastaj me repriza. Me asistente regjie Natyra Kallabën, skenografi të Bekim Korçës, kostumografi të Yllka Bradës, koreografi të Gjergj Prevazit e muzikë të Irena Popoviq në “Të vdekurit mbajnë zi për Atdheun” luajnë Majlinda Kasumoviq, Semira Latifi, Shengyl Ismaili, Arta Selimi, Afrim Muçaj, Shpëtim Kastrati dhe Ermal Sadiku.