Kulturë

Ndërpritet restaurimi i “Eminxhikut”, injorohet ndërhyrja me çimento e hekur

Kushtet meteorologjike dhe problemet e kompanisë punëkryese me Ministrinë e Kulturës sa u përket pagesave, dalin të jenë arsyet e ndërprerjes së punës në restaurimin e shtëpisë kryesore të Muzeut Etnologjik në Prishtinë. Punimet kishin nisur në ditën e 7-të të këtij muaji. Janë ndërprerë pas 9 ditë pune. Hapësira është rrethuar dhe janë vendosur disa shtylla betoni përreth dhe brenda ndërtesës

Nëntë ditë kanë zgjatur punimet e rinisura për restaurimin e shtëpisë kryesore të Muzeut Etnologjik në Prishtinë. Edhe pse punimet filluan tre vjet pas ndërprerjes dhe ishin kritikuar shkaku i materialeve që janë përdorur, ndërprerja është bërë për krejt të tjera arsye. Kushtet meteorologjike dhe problemet e kompanisë me Ministrinë e Kulturës sa u përket pagesave, dalin të jenë arsyet. Punimet kishin nisur në ditën e 7-të të këtij muaji. Janë ndërprerë pas 9 ditë pune. Hapësira është rrethuar dhe janë vendosur disa shtylla betoni përreth dhe brenda ndërtesës.

Por për dallim prej vitit 2017, në vend të institucioneve të trashëgimisë kulturore tash punët po i kryen një kompani private. Është dashur të kalojnë dy muaj pas nënshkrimit të kontratës prej 52 mijë eurosh që të nisin punimet. Përderisa për Ministrinë e Kulturës gjithçka është në rregull, punonjësit e Muzeut më të vizituar të Kosovës nuk janë të kënaqur me punën që po bëhet aty. Sipas tyre, është duke u ndërhyrë me materiale joadekuate.

Më 16 dhjetor për herë të fundit punëtorët janë parë në kompleksin që ishte monumenti më i vizituar në vend.

Të dielën gazeta ka mësuar se vendpunishtja ka mbetur e zbrazët. E ndërprerjen e punimeve e ka konfirmuar edhe arkitekti i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Avni Manaj. Si mbikëqyrës i punimeve ka thënë se nëpërmjet një e-maili është njoftuar nga punëkryesi se puna është ndërprerë.

“Kanë dërguar një e-mail ku tregojnë se puna është ndërprerë për shkak të mospagesave të MKRS-së për disa kontrata të tjera, pastaj shkaku i kushteve meteorologjike...” ka thënë Manaj. Sipas tij, si mbikëqyrës mund të konstatojë se në temperatura në minus gradë nuk mund të kryhen disa punë.

“Janë disa materiale me të cilat edhe me specifikacionet që i jep prodhuesi nuk mund të punohet në temperatura në minus gradë”, ka thënë ai. Si shembull ka marrë Kalanë e Novobërdës, fasada e së cilës kishte rënë shkaku i punimeve në kushte të papërshtatshme meteorologjike. Manaj ka thënë se do të kërkojë nga punëkryesi që të përfundohen disa pozicione ku përdoret çeliku.

“Punët me çelik mund të kryhen”, ka thënë ai.

Gjatë ditës së diel gazeta ka provuar që të marrë një përgjigje nga Ministria e Kulturës në lidhje me këtë çështje, por zyrtarët e kësaj ministrie nuk kanë qenë të qasshëm përmes telefonit.

Më 2017, Muzeu i Kosovës kishte nisur vetë restaurimin, e tash janë duke u përdorur edhe materiale të tjera. Kompania punëkryerëse ka nisur që të vendosë shtylla betoni në themelet e jashtme dhe të brendshme të ndërtesës. Ato janë forcuar me armatura.

Para dhjetë ditësh KOHA ka raportuar se për këtë ndërhyrje ka kritika nga vetë punonjësit e Muzeut Etnologjik.

Etnologu Ilir Sopjani kishte thënë se ndërtesa ka tri materiale përbërëse: drurin, lloçin tradicional dhe kashtën. Sipas tij, ndërhyrjet sikur kjo që ka nisur para dhjetë ditësh nuk janë profesionale.

“Para tre vjetësh ne kemi pasur restaurues e konservues të cilët kanë punuar në vendet e rajonit në projekte të tilla. Puna kishte nisur që restaurimi të bëhej duke ruajtur vlerat e ndërtesës. Tash po përdoren materiale të tjera që nuk kanë të bëjnë me ndërtesën dhe atë që paraqet ajo”, kishte thënë Sopjani.

Ngjashëm me Sopjanin mendon edhe kolegu i tij, Bekim Xhemili. Ai punon në Muze qysh prej vitit 2006 dhe thotë se asnjëherë nuk është ndërhyrë me çimento e me hekur.

“Tash në vitin 2020 dhe duke hyrë në vitin 2021 të përdoren këto materiale, mendoj që është gjë e gabuar”, kishte thënë ai.

Muzeu Etnologjik deri në nisjen e restaurimit të shtëpisë kryesore ishte vendi i vetëm ku ekspozoheshin vlerat etnografike në nivelin e institucioneve qendrore.

Por në Ministrinë e Kulturës thonë se projekti për restaurim ka kaluar në të gjitha fazat institucionale.

“Ka mbikëqyrje nga institucioni kompetent, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Gjithsesi ka mbikëqyrje edhe nga Ministria dhe ne jemi të interesuar që projekti, ashtu siç është miratuar, edhe të zbatohet”, ka thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.

Ndërtesa e shekullit XIX në kompleksin “Eminxhiku”, e njohur si Shtëpia e Familjes, në fund të tetorit ka hyrë në vitin e tretë prej kur kanë nisur konservimi e restaurimi. Muret i kanë mbetur të zhveshura prej fasadës, pa shumicën e dritareve, ekspozuar ndaj kushteve atmosferike e një gjendje e tillë e rrezikon edhe më. Prej atëherë Muzeu Etnologjik vepron vetëm me njërën shtëpi, atë që njihet si Shtëpia e Zjarrit.

Kur u ndërprenë punimet, si një prej arsyeve u përmenden kushtet meteorologjike. Plotësimi i projektit ishte arsye tjetër.

Ministrisë së Kulturës i janë dashur dy vjet e gjysmë që të fillojë me procedurat e prokurimit për këtë kompleks të trashëgimisë kulturore, më të vizituarin në vend e po ashtu më të rekomanduarin nëpër guidat e agjencive që merren me turizëm.

Kontrata e nënshkruar më 5 tetor të këtij viti midis Ministrisë së Kulturës dhe “Albi Company” me seli në Rahovec për punimet në “Eminxhik” peshon 52 mijë e 308 euro. Me projekt parashihen punime qysh prej shkallëve e derës hyrëse.

I gjithë kompleksi i “Eminxhikut” përbëhet nga katër objekte. Dy shfrytëzohen nga Muzeu. Ai i shekullit XVII pritet të restaurohet pas atij ku tre vjet u zvarritën punimet.

Por restaurimi i dy prej katër objekteve të “Eminxhikut” nuk është problemi i vetëm sa i përket ansamblit arkitekturor. Prej majit të vitit 2017 kompania, që ishte duke bërë ndërhyrje emergjente në objektin që njihet si ahur në këtë kompleks, nuk ka pasur ndonjë aktivitet. Ministria e Kulturës ende s’ka zgjidhje me qendrën për art bashkëkohor “Stacion” në lidhje me shfrytëzimin e Shtëpisë së Gurit, që është objekti i katërt i këtij kompleksi. MKRS-ja i kishte akuzuar udhëheqësit e “Stacionit” si uzurpatorë, që prej vitit 2010 nuk kanë leje për shfrytëzimin e objektit. Kishte dhënë edhe afat për lëshimin e objektit, por ai nuk qe respektuar.

Image