Kulturë

Çili vs Ahmeti: Kadare jo fajtor për mediokritetin letrar shqiptar, që nuk kapërcen dot Adriatikun!

E dashur Moza, duke qenë një nga poetet e mia të preferuara, dhe një nga bashkëpunëtoret në rubrikën e rrjetit të kritikës shqip në gazetën “Mapo”, u befasova kur lexova shkrimin tënd për çmimin “Kadare” dhe, në përgjithësi rreth debatit që ka shkaktuar edicioni i tretë i këtij çmimi.

Fillimisht, do të doja të thosha që befasia, në fakt nuk është vetëm e jotja, është përfaqësuese nga konstatimi i mungesës së përgjithshme të emancipimit në mjedisit letrar shqiptar. Unë sapo jam futur në kuadrin e iniciativës letrare të Universitetit Europian të Tiranës gjatë këtyre viteve për të strukturuar, për të ndërtuar, për të bërë funksional e legjitimuar për nga cilësia çmimin letrar “Kadare”, një çmim që jepet tashmë për herë të tretë, dhe besoj që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje. Mungesa e emancipimit është befasuese. Shkrimtarë të njohur të cilët refuzojnë të jenë në juri sepse nuk duan të kenë belara, votime jurish të cilët zihen e përpëliten me njëri tjetrin, pjesëmarrës të çmimit të cilët, pas kësaj, as denjojë të vijnë e të përfillin ceremoninë e honorifikimit të një kolegu të tyre, që gjithsesi njëri do ishte fitues dhe nuk do ishin 40 apo 50 shqiptarë.

Por mbi të gjitha, këtë vit, jam befasuar nga reagimet shumë të ashpra të dy prej favoritëve të këtij çmimi, të Virion Graçit dhe tëndin, pasi ishit në short listën e pesë finalistëve. Tamam-tamam është një gjë e ditur banaliteti, meskiniteti apo ligësia e mjediseve letrare kudo në botë. Mirëpo mendoja se kjo ligësi iu përkiste shkrimtarëve periferikë, të parealizuar apo shkrimtarëve të cilët mekanizmin e dështimit përpiqen t’ia projektojnë mjedisit letrar, kohës, epokës, komploteve apo ndonjë gjëje tjetër.

Por, personalisht jam shumë i zhgënjyer që përfaqësues tipik i këtij fenomeni jeni ju dhe Virion Graçi, dy autorë që personalisht ju njoh dhe ju respektoj.

Përtej momentit personal, mendoj që teprimi i madh në lidhje me këtë temë, ia vlen të ndalemi, të analizojmë e të shkojmë më tej.

Së pari, kohët kanë ndryshuar e dashur Moza. Jetojmë në kohë lirie, dhe askush nuk ka detyrim ndaj askujt, dhe askush nuk i jep llogari askujt mbi ndërtimin e një çmimi, një jurie, mënyrën si voton apo mënyrën si akordohet një çmim. Aq më tepër sikurse thashë, se ekzistojnë qendra të mëdha, personazhe të mëdha që kushtëzojnë çmimet, eksportin letrar shqiptar për 27 vjet pas një hyrjeje në botën e lirë, ku liria e qarkullimit të ideve, përkthimeve është e plotë. Madje-madje kaotike. Si të tillë ne kemi marrë iniciativën letrare për të ndërtuar çmimin Kadare si një mënyrë për të inkurajuar autorin shqiptar, që shkruan shqip, letërsinë shqipe, jo vetëm nëpërmjet një çmimi, me një vlerë monetare shumë të mirë, prej 10 mijë eurosh, por edhe përmes botimit dhe marrëdhënieve publike, reklamimit të këtij autori në harkun e një viti pas botimit të fituesit. Kështu kemi bërë me fituesit: Rudolf Markun, Shkëlqim Çelën dhe kështu do të bëjmë edhe me Musa Ramadanin.

Në vend që kjo iniciativë të meritojë një përshëndetje ose të paktën indiferencë, paranoja deri në marrëzira ngrihen në qarkullim në lidhje me skema, kundërskema apo kontrolle të këtij çmimi, për të cilin unë dhe juria, janë dhjetë emra, që çdo vit kemi qenë dhe jemi dëshmitarë.

Së dyti, Ismail Kadare, shkrimtari ynë i shquar i cili pati mirëkuptimin të na lejonte emërtimin e çmimit “Kadare”, pikërisht për inkurajim të autorit shqiptar, për të rritur reputacionin e autorit shqiptar, për të rritur reputacionin e këtij çmimi, që është në bazë të qëllimit, më sjell në vëmendje një fjali të tij. Para tre vjetësh kur Kadare pas shumë hezitimesh (sepse mund të lindnin debate të kësaj natyre) na dha leje për emërtimin e çmimit, duke na thënë: “Nëse ju mendoni se kjo i shërben letërsisë shqipe dhe promovimit të saj, pse jo. Por unë nuk dua, për asnjë arsye të kem lidhje me procesin, fituesin, me emrat”. Dhe, në fakt kështu ka ndodhur. Juritë e çmimit Kadare kanë votuar lirshëm, gjatë këtyre tre vjetëve, për autorin që kanë menduar, duke kryer një proces transparent.

Një gjykim që gjithsesi mbetet subjektiv, por të tilla janë çmimet, që nga dita që janë krijuar e deri sa të perëndojë bota.

E treta dhe më e rëndësishmja, kontributi i Kadaresë nëpërmjet këtij çmimi për autorët shqiptarë, i cili ndryshon kryekëput nga çmimi ndërkombëtar Kadare, nga mesi i viteve ’90, ka diçka shtesë për të theksuar: Kadare nëpërmjet parathënieve, rekomandimeve, diskutimeve, eseve të tij ka nxitur sa më s’ka letërsinë shqipe, autorin e ri apo autorin shqiptar këtu dhe jashtë vendit.

Kujtoj disa parathënie, shënime letrare, intervista apo pjesë nga libri “Mëngjese në kafe Rostand”, ku ai përmend e promovon autorët shqiptarë që kanë botuar jashtë, zonjat e letërsisë shqipe apo autorin shqiptar në përgjithësi i cili del jashtë. Si i tillë Kadare meriton të quhet një promovues sui generis i letrave shqipe.

Nuk duhet të harrojmë e dashur Moza, që Ismail Kadare është e vetmja markë publicitare e letërsisë shqipe e kulturës shqiptare që ne kemi në qarkullim dhe që mund të potencojmë në botën e qytetëruar ku lufta, konkurrenca e veprave cilësore është absolutisht e ashpër, e pamëshirshme.

Fakt është që në këto 27 vjet ku liria e botimeve ka qenë e garantuar, liria e qarkullimit të ideve dhe shkëmbimit kulturor me botën e jashtme ka qenë e garantuar po ashtu, ne nuk kemi arritur të prodhojmë, esencialisht, një autor apo një brez autorësh shqiptarë ndërkombëtarisht të njohur. Dhe për këtë, jo vetëm që Ismail Kadare nuk ka faj, e ka fajin vetëm mediokriteti letrar, apo për ta thënë në mënyrë më të sjellshme, cilësia e munguar e letërsisë apo autorëve shqiptarë për t’u bërë ndërkombëtarisht të përfillshëm.

Me gjithë ndihmën e Kadaresë, duke promovuar përmes parathënieve, shënimeve, rekomandimeve për shumë e shumë autorë shqiptarë, përsëri njohja ndërkombëtare nuk ka qenë e mundur.

Të shohim, nëse në të ardhmen, ndonjë përfaqësues apo fitues i çmimit “Kadare” do të bëjë thyerjen. Pra, do të thyejë premisat për një famë ndërkombëtare të një shkrimtari tjetër shqiptar.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja. Kohët kanë ndryshuar rrënjësisht. Iniciativat kulturore dhe letrare nuk janë më pronë e askujt. Ato janë pronë e të gjithëve. Përbashkimi konstruktiv rreth këtyre iniciativave, çmimeve, dhe eventeve kulturore e letrare, është ndoshta shtrati letrar ku mund të lindin apo kultivohen talentet e mëdha. Të cilat ndoshta një ditë mund të kishim një cilësi të re për të kapërcyer kufijtë e kulturës shqiptare dhe për të hyrë në mjedisin letrar ndërkombëtar.