Kulturë

Filmi “Përjetësisht Fëmijë” fiton çmim në Bangalore të Indisë

Descriptive Text

Filmi i metrazhit të shkurtër “Përjetësisht Fëmijë /Eternally Child/” me skenar e regji të Lorena Sopit, prodhim i AS Film Production dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ka fituar Çmimin Special të Jurisë /Special Jury Prize/ në festivalin e njohur aziatik “Bangalore Short Film Festival” që është mbajtur nga data 30 maj e deri më 11 qershor në Bangalore të Indisë.

Po ashtu, filmi “Përjetësisht Fëmijë” është nominuar në dy kategori kryesore, Regjia më e mirë /Best Director – Lorena Sopi, dhe Aktori më i mirë /Best Actor/ - Xhevat Qorraj në “Alternative Film Festival” i cili në edicionin e 20-të jubilar do të mbahet nga data 16 – 20 qershor në Peskara të Italisë.

Filmi “Përjetësisht Fëmijë”, është përzgjedhur në programet zyrtare edhe të disa festivaleve ndërkombëtare si, “Golden Bridge International Film Festival”, i cili do të mbahet në Moskë - Federata Ruse, pastaj “Pune Short International Film Festival”, i cili do të mbahet në Pune të Indisë, në “Los Angeles Cine Fest”, i cili mbahet në Los Angeles, për të vazhduar në “Sunlight International Film Festival”, i cili do të mbahet në Moskë, në festivalin “Regina International Film Festival”, i cili do të mbahet në Pedreson Crescent të Kanadasë, etj.

“Përjetësisht Fëmijë” trajton raportin e rrënuar familjar mes babasë autoritar dhe fëmijës të mitur. Moni, një djalë dhjetë vjeçar, jeton me të atin Xhemën në varfëri të madhe. Gjatë një dreke fatale, i ati Xhema vret aksidentalisht djalin e tij, Monin. Gjatë gjithë jetës së tij, Xhema do të ndjenë peshën e mallkimit, duke bartur mbi vete fajin për atë që ka ndodhur.

Në ditët e tij të fundit, në moshë të shtyrë, Xhema kthehet në shtëpinë ku ka ndodhur vrasja për të kërkuar falje nga djali i tij i vdekur,me shpresë se do të liroj shpirtin nga pesha e fajit dhe do të pushoj i qetë në jetën e përtejme.

Në rolin kryesor paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj dhe Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhe Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.

Drejtori i fotografisë është Latif Hasolli. Montazhier Nexhmi Mehmeti. Kostumografe Samka Ferri. Mjeshtër zëri Gëzim Rama. Skenograf Uran Duli. Kompozitor Naim Krasniqi.