Kulturë

Mbi 30 shtëpi botuese në Panairin e Librit në Pejë

Në tendën e ngritur në qendër të qytetit të Pejës, të hënën është hapur edicioni i katërt me radhë i panairit të librit “Peja 2017”.

Në panairin e organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport dhe nga biblioteka “Azem Shkreli”, për tri ditë botuesit prezantojnë ofertën e tyre, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në ceremoninë e hapjes ky aktivitet u cilësua si njëri ndër më të rëndësishmit. Mbështetëse të këtij panairi të librit janë Ministria e Kulturës dhe qendra kulturore turke në Pejë “Yunuz Emre”.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Pejës, Islam Husaj, i cili bëri hapjen e Panairit të Librit, ka thënë se ky aktivitet u mundëson qytetarëve të Pejës që të pasurohen me titujt e ofruar nga botuesit.

Kurse drejtori i institutit “Yunus Emre” në Prishtinë, Mehmet Ülker, ka thënë se ky Panair çdo vit e më shumë po e zgjeron aktivitetin dhe ndikimin e tij.

Ai po ashtu ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar për aktivitete të tilla edhe në vitet e ardhshme.

Gjatë panairit poetët vendas lexuan poezitë e tyre në gjuhën shqipe dhe në gjuhën turke.

Drejtoresha e bibliotekës ”Azem Shkreli” në Pejë, Shengyl Kelmendi-Gashi, ka treguar se në këtë panair janë paraqitur 33 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.