Kulturë

Varrezat e grave – dëshmi të radhës për Luftën Qytetare në Spanjë

Arkeologët në Spanjën verilindore kanë zbuluar një varrezë masive me trupat e dhjetë grave të vrara nga një skuadër fashiste e pushkatimit në ditët e para të Luftës Qytetare Spanjolle, duke sjellë në vëmendje vuajtjet shpesh të nënvlerësuara të grave gjatë këtij konflikti. Të ruajtura mjaft mirë, kopsa të bardha në shpinë janë të fundit mbetje nga rrobat që ato kishin veshur ditën e ekzekutimit më 31 gusht 1936, pasi një natë më herët ishin marrë nga shtëpitë e tyre në fshatin e Uncastillos.

Trupat e tyre ishin varrosur në një kanal të ngushtë në varrezën lokale në Farsduesin fqinj, në trevën e Aragonit.

Gjyshja e Mari Carmen Riosit, Inocencia Aznares ishte në mesin e tyre.

“Pse e kanë vrarë atë? Për shkak se nuk mund ta gjenin dajën tim? Për shkak se ajo dinte të shkruante e të lexonte? Për shkak se ajo votoi për republikën?...Nuk e di. Nuk ka kurrfarë kuptimi ajo që ata bënë”, ka thënë Rios.

Më shumë se 500 mijë njerëz u vranë gjatë luftës së viteve 1936-1939. Sipas kërkimeve historike vlerësohet se trupat e mbi 100 mijë njerëzve mbetën të pagjetur, shumë prej tyre në varreza të pashënjuara masive.

Koalicioni i majtë qeverisës ka miratuar një ligj në shtator për financimin e zhvarrimit nga varrezat masive si pjesë e përpjekjeve për të “restauruar kujtesën demokratike”.

Kërkimet akademike për konfliktin, ani pse të gjera, janë fokusuar me të madhe vetëm në përvojën e burrave, ka thënë Cirstina Sanchez, që hulumton dhunën ndaj grave në Universitetin e Saragosës.

“Ku janë të gjitha gratë?...Tani po e shohim që ato ishin të pranishme si viktima të dhunës dhe si dorase”.

Disa ishin persekutuar për animet e tyre politike apo edhe për aktivizëm, por shumë të tjera u vranë si viktima në vend të të afërmeve të tyre meshkuj, ka thënë ajo. Metodat e ekzekutimit ishin njësoj mizore për të dyja gjinitë.

“Kishte vdekje përmes fundosjes, vdekje me varje, dhe shumica qenë vrarë prej skuadrave të pushkatimit”.

Gërmimet në Farasdues kanë nisur në nëntor, por masakra prej dekadash ishte e ndryrë në kujtesën kolektive të trevës, ka thënë arkeologu Javier Ruiz.

“Bartja e dhjetë grave me një veprim nuk ngjau në shumë vende, të paktën jo në Aragon. Në Uncastillo, këto dhjetë gra nuk u harruan kurrë”.

Pranë varrezës, arkeologët kanë zbuluar një tjetër vend me trupat e të paktën shtatë burrave, që duhet ende të identifikohen.

Për Riosin, gërmimet kanë përftuar ndjenja të forta hakërrimi, e që më vonë i hapi rrugën një ndjesie mbylljeje: “Kur thua ‘Ne e gjetëm atë, ajo është aty, do ta varrosim me gjyshin’, sinqerisht kjo më bën shumë të lumtur”.

Marrë nga “Reuters”. Përktheu: Salih Mehmeti